E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dajti, njeriu i arratisjes spektakolare nga gjykata

I shumëkërkuari prej 6 vjetësh: si ka arritur që të sfidojë herë pas here efektivat blu të Policisë së Shtetit


TIRANË - Ishin orët e paradites së 11 nëntorit 2003 kur disa krisma arme trembën personat që ndodheshin brenda, por edhe jashtë ambientit të Gjykatës së Tiranës. Njerëz të ulur nga frika e ndonjë plumbi, krisma dhe policë që vraponin e më pas fjala "arratisje" ndihej kudo.


Dyert e gjykatës u mbyllën menjëherë, ndërsa efektivë të policisë dhe hetues mbërritën në vendngjarje. Pas pak u mësua se një nga të pandehurit e sjellë nga toga e shoqërimit në Gjykatën e Tiranës kishte arritur të arratisej, pasi kishte kërcënuar me armë personat që ndodheshin në sallën e gjyqit. Bëhej fjalë për Dritan Dajtin, i akuzuar për vrasje me paramendim në bashkëpunim të biznesmenit Agim Beqja.


Në pranga për ngjarjen u vunë tre policë të togës së shoqërimit, të cilët e kishin sjellë të pandehurin nga dhomat e paraburgimit deri në gjykatë. Që në hetimet e para u hodh dyshimi se gjithçka ishte e organizuar në çdo detaj.


Dajti ishte pajisur me armë pak pasi ishte sjellë në ambientet e gjykatës. Ai kishte qëndruar i vetëm për pak momente në banjë, ku dyshohet të jetë futur edhe arma nga persona të jashtëm.


Më pas, teksa ka pritur ta çojnë në sallën e gjyqit, Dajti ka kërcënuar me armë policët që e shoqëronin dhe të pranishmit, ndërsa në momentet që ka dalë nuk ka ngurruar t'ia drejtojë armën edhe prokurorit të çështjes, të cilin e kishte kërcënuar edhe më parë me fjalë. Kanë qenë disa të shtëna të nxjerra nga arma e tij, ndërsa një prej tyre qëndroi si e tillë për disa kohë në tavanin e katit të dytë të Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës.


Persona të pranishëm në vendngjarje u shprehën se kishin parë që përballë gjykatës Dajtin e priste një shtetas me një motor, ku ai hipi dhe më pas u largua. Ndjekja nga policët e tjerë rezultoi e kotë, pasi njerëzit e shumtë që ndodheshin rrotull e bënin shumë të rrezikshme reagimin me armë zjarri.


Pas hetimeve u dënuan duke u deklaruar fajtorë për neglizhencën e treguar tre policët e togës së shoqërimit, të cilët u përjashtuan edhe nga forcat e policisë, ndërsa prokurori i çështjes dha dorëheqjen pas kërcënimit që iu bë.


Akuzave të ngritura ndaj tij se kishte vrarë biznesmenin Agim Beqja, Dritan Dajti i është përgjigjur gjithnjë negativisht, ndërsa të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe familja e tij, duke u shprehur se ai ishte i pafajshëm.


Por gjithsesi, mbas rikthimit të çështjes së tij disa herë, Dajti u dënua me 20 vjet heqje lirie për "vrasje me paramendim" në vitin 2004. Ndërsa në nëntor të vitit 2005, dënimit të tij i bashkohen edhe 9 vjet të tjerë për arratisje, armëmbajtje pa leje dhe kanosje me armë të prokurorit të çështjes.


Në korrik të vitit 2007 shtëpisë së prindërve të Dritan Dajtit iu vu një sasi tritoli. Fillimisht për këtë ngjarje u arrestuan dy nipat e Agim Beqes, të cilët u liruan më pas, sepse nuk kishte prova për përfshirjen e tyre në një ngjarje të tillë.


Në vitin 2005, Dajti i shpëtoi një operacioni të policisë për arrestimin e tij, ndërsa në pranga u vu një tjetër shtetas. Përpjekja për arrestimin e tij edhe këtë radhë ishte në qytetin bregdetar të Durrësit. por edhe më pas nga ana e uniformave blu janë bërë përpjekje të shumta, por të pasuksesshme për arrestimin e Dritan Dajtit.

Kronologji


17 shkurt 1999 - Vritet biznesmeni Agim Beqaj
20 mars 2003 - Në familjen Beqaj dërgohet "dhuratë" një pako-bombë
17 nëntor 2003 - Dritan Dajti, i akuzuar për vrasjen e Beqes arratiset me armë nga salla e gjyqit
28 qershor 2004 - I shumëkërkuari Dritan Dajti dënohet me 20 vjet heqje lirie për "vrasje me paramendim"
30 mars 2005 - Dritan Dajti arrin t'i ikë policisë në Durrës, teksa një person vihet në pranga
14 nëntor 2005 - Dajti dënohet me 9 vjet burg për arratisje, armëmbajtje pa leje dhe kanosje të prokurorit të çështjes
7 korrik 2006 - Pranë pallatit ku banon familja e Dritan Dajtit vihet një sasi tritoli. Ngjarja ende e pazbardhur. Fillimisht u dyshua për hakmarrje
08 janar 2008 - Vëllai i Dritan Dajtit arrestohet pasi, sipas policisë, tentoi të vriste një 18-vjeçar


07 gusht 2009 - Dritan Dajti vret katër efektivë policie të cilët tentuan që ta arrestonin.


Humbjet në radhët e policisë


TIRANË- Vdekja e katër efektivëve të policisë gjatë mesditës së të premtes nuk ka qenë rasti i parë ku blutë kanë pasur humbje të mëdha mes tyre. Kështu, duke nisur nga viti 2004, në muajin maj, dy ushtarë të Gardës së Republikës Guxim Kërtoçi e Sovran Qeleposhi vranë në hyrje të kryeqytetit policin rrugor Allaman Dervishi dhe plagosën rëndë kolegun e tij. Dënimi i marrë për ta nga Gjykata për Krimet e Rënda ishte "burgim i përjetshëm".


Më pas, në shkurt të vitit 2006 dy vëllezër nga fshati Nangë i Kukësit, Rifat dhe Ramiz Onuzi, tashmë të dënuar njëri me burgim të përjetshëm e tjetri me 24 vjet burg, janë hetuar e dënuar për vrasjen e policit Fran Kaçori dhe pasagjerit të autobusit që u mor peng, Mefail Spahiu.


Ngjarja e fundit me viktima policë ndodhi në fund të muajt mars 2009, kur shtetasi Afrim Hasani vrau dy policët Ramadan Hilaj dhe Shkëlzen Dobrusha në Shëmri të Kukësit, pasi këta të fundit "kishin guxuar" ta ndalonin makinën me të cilën po udhëtonte pasi kishte thyer xhamat e një lokali.


Hetimet për të kanë përfunduar, ndërsa dosja e tij ndodhet në duart e togave të zeza. Por rasti i djeshëm ku humbën jetën katër efektivë është ndër më të rëndët e këtyre viteve.

PROKURORIA


Prokuroria nis hetimin për operacionin e policisë


TIRANË- Prokuroria për Krimet e Rënda, e cila ka marrë në dorëzim hetimin e ngjarjes makabre ku mbetën të vrarë katër efektivë policie dhe kunati i të shumëkërkuarit Dritan Dajti, shtetasi Ledion Mara, ka vazhduar mbrëmë me mbledhjen e dëshmive dhe provave materiale.


Sipas burimeve, pranë institucionit të akuzës, hetimin e kësaj ngjarjeje po e drejton zv.prokurori për Krimet e Rënda, Henrik Ligori, bashkë me dy prokurorët Eugen Beçi e Ardian Nezha, të cilët që në momentet e para të pasngjarjes kanë mbërritur në Durrës.


Mësohet se prokurorët kanë filluar punën me sekuestrimin e dokumenteve dhe raporteve të vëzhgimit, si dhe detajet e operacionit për arrestimin e të shumëkërkuarit Dajti. Sipas këtyre burimeve, prokurorët kanë kryer verifikimin dhe këqyrjen e vendit të ngjarjes, dëshmitë e mbledhur nga policia si dhe kanë urdhëruar kontrollin e banesave të të arrestuarit në spital, Dritan Dajti, shoferit të automjetit, Ergest Xhaxhi, si dhe banesën e të vrarit Ledion Mara.


Sipas këtyre burimeve konfirmohet se katër efektivët e policisë që mbetën të vrarë në këtë operacion për arrestimin e Dajtit, me ndihmën e grupit të gatshëm të policisë së Durrësit fillimisht i kanë zënë rrugën makinës ku po udhëtonte i dënuari me 29 vjet burg Dajti, duke i kërkuar të dorëzohet. Por i shumëkërkuari ka filluar menjëherë të qëllojë me dy pistoletat që mbante me vete në drejtim të oficerëve të policisë që po vëzhgonin prej ditësh me rroba civile.


I pari që është qëlluar në kokë, sipas burimeve, ka qenë shtetasi Festim Xhani duke vazhduar më pas për pak sekonda në shkëmbim të zjarrit mes Dajtit dhe tre oficerëve të tjerë që mbetën të vrarë, por që plagosën me tre plumba të shumëkërkuarin që më pas u arrestua nga efektivët e grupit të gatshëm të policisë së Durrësit, që kishin shkuar në mbështetje të operacionit për arrestimin e Dritan Dajtit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›