Pranga kryetarit të komunës dhe kryeplakut
DROGA/ Policia ka arritur të zbulojë e më pas të asgjësojë 1114 rrënjë bimë narkotike në fshatin Miçan
Sipas bluve, dy drejtuesit nuk kanë zbatuar ligjin, pasi nuk kanë dhënë informacion lidhur me bimën e mbjellë
PËRMET- Nuk informoi policinë për kanabisin e kultivuar, arrestohet kryetari i komunës, ndërsa kryeplaku i fshatit prangoset pasi kishte kultivuar bimë narkotike. Dy arrestime dhe 1100 rrënjë kanabis sativa të asgjësuara janë rezultatet e operacionit policor "Era e Jugut", i përqendruar në komunën Frashër në rrethin e Përmetit.
Operacioni
Aksioni antikanabis "Era e jugut" ka goditur disa parcela të mbjella me kanabis sattiva në komunën Frashër të rrethit të Përmetit e pikërisht në fshatin Miçan.
Mësohet se në këtë fshat janë evidentuar 14 parcela dhe në total janë gjetur të kultivuara e më tej asgjësuar 1114 rrënjë bimë narkotike, të cilat varionin nga 1 metër deri në 4 metra të larta. Ndërkaq, menjëherë pas asgjësimit të bimëve narkotike është bërë edhe prangosja e kryetarit të komunës, Tomor Kotorri, 48 vjeç dhe kryeplakut të fshatit Miçan, Faslli Canka.
Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se arrestimi i kryekomunarit të Frashërit dhe kryeplakut ka ardhur në bazë të ligjit që detyron kryetarët e njësive të qeverisjes vendore të japin informacion për bimët narkotike të kultivuara në territorin që drejton. Po sipas policisë, një informacion i tillë nuk ka mbërritur. Ndërkaq, mbi kryelakun e fshatit Miçan rëndon edhe akuza e "kultivimit të bimëve narkotike".
Policia
"Në bazë të ligjit nr.7975, "Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope", ku neni 10/1 i detyron drejtuesit vendorë të japin informacion për kultivim të këtyre bimëve në territoret që ata mbulojnë, ka rezultuar se kryetari i komunës Frashër, Tomor Kotorri, si dhe kryeplaku i fshatit Miçan, Faslli Canka, nuk kanë dhënë asnjë informacion për kultivimin e këtyre bimëve narkotike të dyshuara si kanabis sativa, pavarësisht se nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër u është kërkuar informacion për verifikimin e këtij territori",- ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë, Gentian Mullai.
"Shpërdorim detyre" dhe "moskallëzim krimi" janë veprat që rëndojnë mbi kryetarin e komunës Frashër, ndërsa mbi kryeplakun rendojnë akuzat e "kultivimit të bimëve narkotike" dhe "moskallëzimit të krimit". Ndërkaq, policia deklaron se është duke u punuar edhe për identifikimin e personave të tjerë që kishin kultivuar lëndë narkotike.