E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adami i rrugëve dhe urave

Botohet vepra shkencore dhe publicistike e inxhinier Jovan Adamit, një figurë ithtar i mendimit: do bërë Shqipëria. Studenti i parë shqiptar në Salzburg e bëri realitet këtë mendim me vepra publike dhe punë shpirtërore.


Tetëdhjetë vjet të shkuara u përgjigjet atyre që edhe sot thonë s'bëhemi njerëz. Trashëgimtarët e Adamit botojnë, mes të tjerash, ditarin e studentit në Austri, shënime intime dhe dëshmitë e një të riu në kohë të Luftës Botërore


Në qershor të vitit 1920, kur Jovan Adami, nga studimet në Austri, kthehej me vapor nga Trieste përgjithmonë në Shqipëri, u takua më dy zotërinj. Kur i pyeti "Ç'kemi nga Shqipëria?", iu përgjigjën: "Jo more, jo, ne s'bëhemi njerëz!".


Një muaj më vonë, në Gazetën e Korçës, vendlindja e tij, ai përshkruan për këtë mendim të rrënjosur tek një shtresë shqiptarësh, njëlloj si sot, që hëm dredhin zinxhirë, hëm fryjnë bulçitë për jetën dhe punët e katundarisë.


Adami, që deri atëherë kishte jetuar larg Shqipërisë, në kolonitë e shqiptarëve në mërgim në Bullgari dhe më pas mes librave, student i inxhinierisë, gjen në atdhe jo vetëm bindjen, por edhe mënyrën e të jetuarit sipas asaj "ne s'bëhemi". Me siguri kjo na vë përballë veten tonë, sot e tërë ditën.


"Pse s'bëhemi njerëz? S'duam t'i zbulojmë të metat tona,"- përgjigjet ai, në të tjera shkrime publicistike, që lexuesi i gjen në përmbledhjen e sapobotuar të veprës shkencore dhe letrare të inxhinier Jovan Adamit. "Jeta dhe vepra e Jovan Adamit 1892-1951" është botuar nga shtëpia botuese "Elena Gjika", me parathënie të Aleksandër Meksit. Kur flet për Adamin, Meksi, i së njëjtës fushë si ai, e pohon si element të plejadës së shquar të intelektualëve të Rilindjes dhe Pavarësisë.


"Brezit të intelektualëve të ndershëm dhe patriotë të pas viteve 20-të të shekullit të kaluar, si Jovan Adami, u ra për detyrë të ishin në ballë të punëve për ndërtimin e shtetit të ri modern shqiptar...


Kishin studiuar në vende të qytetëruara, por erdhën në atdhe dhe "nuk i trembi as varfëria e as injoranca, në të cilën ishte zhytur vendi e as forcat konservatore, veçse shumëfishuan forcat e energjitë dhe punuan me vetëmohim... Bindja dhe thirrja e Jovan Adamit, "Të kemi besim në forcat e kombit tonë", nuk ishte thjesht një slogan."


Adami ishte një figurë ithtare e mendimit: do bërë Shqipëria. Studenti i parë shqiptar në Salzburg bëri realitet këtë mendim me vepra publike dhe punë shpirtërore.


Trashëgimtarët e Adamit botojnë për herë të parë, mes të tjerash, ditarin e studentit në Austri, shënime intime dhe dëshmitë e një të riu në kohë të Luftës Botërore
Pjesa e parë është Ditari në Austri 1917-1920, student në Salzburg; pjesa e dytë e librit janë artikuj në shtypin e viteve 1920-'51; pjesa e tretë - përshtypje udhëtimi botuar në "Illyria", "Bota e re" etj.; pjesa e katërt - studime, shkrime divulgative për njohuri tekniko-shkencore; pjesa e pestë një vepër e tij "Bota dhe origjina e njeriut", 1943, i pritur me reagime dhe replika në botimet e klerit katolik të Shkodrës; pjesa e gjashtë përbëhet nga përkthime studimesh për Shqipërinë; pastaj vjen letërsia origjinale dhe në fund letërsia e përkthyer. Librit i bashkëngjiten skica e ilustrime nga ekspeditat kërkimore arkeologjike dhe një album fotografik.


Nga shkrimet në shtyp, ku Adami trajton probleme të kohës, 1920-1945, përmendim: "Të kemi besim në fuqitë e kombit tonë"; "Që nga drita e pishës gjer te drita elektrike"; "Pyjet dhe qytetërimi"; "Uji që do të sjellë Tirana -qysh duhet të veprojë bashkia; "Ligji i rrugëve - nevoja e ndryshimit të tij"; "Pse nuk zhvillohen skelat e Shqipërisë, një përgjigje Mehdi Frashërit"; "Si mund të mbahen rrugët e shtetit tonë"; "Një rrugë e re Korçë-Sarandë"; "Qymyri i bardhë-fuqia e lumenjve të Shqipërisë"; "Rregullimi i Bunës dhe i Drinit". Udhëton shumë dhe shkruan për Shqipërinë e sotme. Tek përshkrime udhëtimi hyn edhe një shëtitje nëpër Romë, në Romën e Musolinit, ku trajton me detaje qendrën e saj monumentale dhe veprat e artit të inxhinierisë dhe arkitekturës.


Adami ishte shkolluar në Austri për inxhinieri ndërtimi, pasi kishte punuar edhe si gurskalitës, zanat që e kishte ushtruar bashkë me të atin. Prej kësaj pune, qysh fëmijë, si më i madhi i katër djemve të familjes, atij iu dëmtua përjetë njëri sy nga një cifël guri.
Ishte lindur në fshatin Progër të rrethit të Devollit, kishte bërë filloren në shkollë greke. I ati, gurskalitës, kishte punuar në disa vende të Evropës Lindore.


Ai do të merrte me vete Jovanin për të punuar bashkë deri në ndërtimet e qyteteve të Bullgarisë. Punoi në shtypshkronjën "Mbrothësia", në koloninë shqiptare në Bullgari, të patriotit Kristo Luarasi, i cili do ta ndihmonte që të fitonte një bursë studimi për në Austri. Tek "Mbrothësia" kishte shtypur vepra të shqiptarëve të mëdhenj.


Dhe ai është i vetëdijshëm për këtë lloj patriotizmi që u mboll tek ai në këtë mjedis. E përshkruan edhe në faqet e ditarit të studentit, ku lexuesi nuk mund të rrijë indiferent nga shqipja aq kultivuar e Adamit.


Me t'u kthyer në atdhe, punoi si inxhinier bashkie, bëri plane, studime dhe aplikime për ndërtime rrugësh, urash, ujësjellësish. "Ai dinte çfarë duhej të bënte për vendin e tij: të ndërtonte ura dhe rrugë që ishin edhe profesioni i tij, por edhe u përpoq për ngritjen e nivelit kulturor të popullit të tij."


Autori i parathënies, Meksi, shkruan se ky personalitet i shquar është lënë në harresë "sigurisht, jo pa qëllim, sepse për pushtetet pas vitit 1944, bota fillonte me ardhjen e tyre." Ai vë në dukje punën e këtij njeriu në Institutin e Shkencave, në sektorin e arkeologjisë - pasioni i tij - përkrah Hasan Cekës e Skënder


Anamalit, kreu kërkime në terren dhe studime për ndërtimet e lashtësisë dhe të mesjetës, studioi monumente të kulturës, pak të njohura ose aspak, "duke ndihmuar në studimet albanologjike të brezave të tërë studiuesish të ndërtimeve antike e mesjetare, por edhe për vënien në mbrojtje të tyre, çka i shpëtoi mjaft prej tyre nga humbja."


Kjo është arsyeja që në këtë vepër janë përfshirë edhe shkrime e studime për kulturën materiale, raporte dhe relacionet e punës së tij si inxhinier nga ekspeditat arkeologjike. Familja ka ruajtur për një kohë fletore me skica dhe planimetri me vlera arkeologjike dhe kanë botuar aq sa kanë mundur të gjejnë.


Vepra përmban studime ekonomike, analiza shkencore, studim historik mbi gjeografinë dhe gjeologjinë e vendit, studime për historinë e rrugëve të Shqipërisë, sidomos për rrugën Egnatia, për ujësjellësin antik të Durrësit.


Gjatë katër vjetëve si inxhinier, kryetar i zyrës së punëve botërore në Bashkinë e Korçës, në mesin e viteve '30-të, ai mbajti definitive pjesën e rrugës Pogradec-Qafa e Thanës, caktoi trasetë e rrugës ura e Maliqit pas Devollit deri në Lozhan me lidhje Gramshin, e një rruge e cila nga çdo pikëpamje - ekonomike dhe strategjike - që lidh Qarkun e Korçës me Durrësin, si dhe të asaj Voskopojë-Qafa e Marës me lidhje Çorovodë-Berat. Shtypi i kohës e vlerësonte një shembull të papërsëritshëm këtë punë të tijën.


Plani rregullator i Shkodrës është gjithashtu vepër e tij. Më 1935-ën, Adami është inxhinier i Bashkisë së Elbasanit, ku punon për projektimin e objekteve dhe ndjekjen e tyre në terren, i ujësjellësit të Elbasanit, i rrugës Peqin-Elbasan.


Pas tre vjetësh, deri më 1945-ën, u transferua në Tiranë, në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare. Pastaj në Ministrinë e Ndërtimit, i ngarkuar me disa punë drejtuese në tharjen e Kënetës në Maliq, në rindërtimin e burgut të Burrelit.


Me siguri që, meritë të veçantë për paraqitjen e veprës së Jovan Adamit ka edhe redaktorja e veprës, përkthyesja Donika Omari. Ajo s'ka bërë gjë tjetër, veçse ka ruajtur freskinë e gjuhës dhe logjikën racionale. Tekstet e Adamit janë të përpunuara gjuhësisht falë punës me përkthime jo vetëm studimesh për Shqipërinë, po edhe letrare. Ai ka përkthyer nga Guy De Maupassant, Van Vermeskerken, Hans Wesemann, përrallat shkencore nga Karl Ewald, Emil Zola.


Lirizmi në pjesën e parë, në Ditarin, i përket një botë ndjesish që s'ka frikë të rrëfehet, t'i sjellë përvojat si përjetime shumë personale.
Në ditar shkruan:


"Po përse vallë këto kujtime ma lëndojnë zemrën?! A nuk i kam prerë marrëdhëniet me të dashurit e mi që kur ka nisur lufta?! Përse më vete mendja gjithnjë në shtëpi?!


Ç'është kjo fuqi misterioze, ky zë i fortë që, nga fundi i shpirtit, më thërret: Ti je i qetë, i gazçëm, po i lumtur jo! Në rrembat e tua lëvrin gjak shqiptar i ushqyer me erën e maleve dhe bjeshkëve të vendit tënd.


Lumturinë e vërtetë do ta gjesh vetëm në ato male e brigje, ku sytë e tu panë për herë të parë dritën e diellit dhe veriu përkëdheli flokët e tu."
Duket, dhe për këtë bien dakord disa nga lexuesit e parë të veprës se Adamit para se kjo të botohej, se po të mos i përkushtohej inxhinierisë, do të ishte një shkrimtar i talentuar. Ja si e përshkruan takimin me të dashurën e tij sygështenjë, atje, në Salzburg. Janë përshkrime që zënë vend të konsiderueshëm në Ditar:


"Natë e Krishtlindjes! Thuamëni, vajzë, a ju pëlqen kjo natë? A e ka pushtuar zemrën tuaj kjo dritë e magjepsur e hënës?" Asnjë përgjigje!. Ngriti kokën e vogël, më pa me sytë e saj të mëdhenj plot zjarr dhe, pa dashur, buzët tona u përpoqnë.
- A dëgjon, - tha, - si më rreh zemra, a ndien si më dridhet trupi, si më djegin faqet,? Pse tërë këto?!!!


- Nga dashuria, vajzë!
- Thuamë i dashur, ç'është dashuria?
- Dashuria është më mister se vdekja, o gocë sygështenjë. Mos kërko të dish për këtë fuqi të paanshme, mos pyet për Perëndinë. Dashuria është më e ëmbël se mjalti dhe më e hidhur se zeheri.


- Ti flet si një filozof. A vjen kjo nga vera e tepërt?
- Vera turbullon trutë, po dashuria deh zemrën, shpirtin, dhe nga kjo dehje vijnë fjalët e mia, o vajzë e dashur!"
Shkrimet e Jovan Adamit të përmbledhura në këtë libër, u mblodhën e u sistemuan dhe u përgatitën për botim nga fëmijët e tij, Vita Adami, në bashkëpunim me të vëllanë, Dhimitër Adami. Ndërsa specialisti i Bibliotekës Kombëtare, Maksim Gjinaj, ndihmoi në grumbullimin e artikujve të Jovan Adamit, të botuara në shtypin e kohës.

Jo more, se nuk bëhemi njerëz Jovan Adami

Qershor 1920


Çukat dhe kodrat e Triestes po skuqeshin nga rrezet e para të diellit që s'kish lindur ende. Poshtë në skelë frynte një erë e hollë, që lozte me flamurin e vaporit. Deti kishte tallaz; valët suleshin njëra pas tjetrës, përpiqeshin mbi gurët e limanit, përçaheshin, shkumëzoheshin, humbitnin që të lindin përsëri.


Vapori i madh "Baron Buck" i shoqërisë "Lloyd Triestino", që nisej për në skelat e Dalmacisë dhe të Shqipërisë, po mbushej me udhëtarë. Shqiptarë, italianë, sllavë, grekë, austriakë po mbushnin dhomat e tij të paqme dhe të bukura.


Meqë s'njihja njeri, dhe kisha shumë kohë që s'kisha dëgjuar shqip, digjesha nga dëshira për të kuvenduar me bashkatdhetarë, të fjalosesha mbi Shqipërinë, të këmbenja mendime mbi të, mbi gjendjen e sotme dhe mbi të ardhmen e atdheut tim të dashur. Iu afrova një zotërie që mbante një fletë italiane në dorë, dhe e pyes:
- Ç'kemi ndonjë të re, zotëri?
- A, shqiptar qenke ti, o? Pe nga të kemi, more?
- Nga Devolli.
- Punët në Shqipëri venë si mos më keq; gazeta shkruan se Shqipëria nuk do qëndrojë shumë.


- Po pse?
- E po pse...? E me kë more? Me tanët, me bejlerët? A bëhet punë me ta? Ata shikojnë vetëm për qesen e tyre, s'i shikon se si zihen njëri me jatrin, kush e kush të bëhet i parë?
Zotëria e la gazetën sa të dridhte mustaqet e plota dhe të zeza, dhe të shikohej në pasqyrë.


- Mos u zemëro, ti, kështu është si...
- Jo, zotëri! - ia pres fjalën.
- E ku di ti, ti je edhe djalë; unë u thinja në këto punë, do t'i shohësh vetë e do më kujtosh.
E lashë këtë pesimist dhe shkova në anën tjetër të vaporit, duke mallkuar veten për pyetjen që bëra.


Dielli ishte hedhur disa hostenë në qiell dhe udhëtarët mbi det e ndienin fuqinë e rrezeve të tij. Era kish pushuar dhe, përveç bujës që bënte vapori ynë, asgjë tjetër nuk i trondiste ujërat e kaltra të atij deti të dëgjuar. Malet e Dalmacisë, fare të zhveshura, i tërheqin vërejtjen çdo udhëtari. Një austriak më pyet:
- Pa më thuaj, o zotëri, me se rrojnë njerëzit e këtushëm?
- Me gurë, - i them.


Në Spalato pashë për herë të parë policë jugosllavë. Në skelat e para kisha parë vetëm italianë. Ky ndryshim më bëri të pyes një shqiptar:
- Ju lutem, më thoni pse s'janë edhe këtu italianët, po shqehtë?
Ngriti kokën, mblodhi vetullat e trasha dhe të rëna, rrudhosi ballin:
- E pse thua shqeh, ore?


- Po si të them, zotëri, a nuk janë shqehë këta?
- Ky është një emër i keq për këtë komb aq trim. Ne duhet të qitim kapellën përpara sllavëve. Luftuan me një mbretëri të madhe dhe dolën mundës. S'jemi të zotët t'i zëmë me gojë ata.


- Po në janë të zotët, janë për veten e tyre, ne mund të marrim shembull nga ata.
- E kush, more? A je edhe ti nga ajo parti? Jo, more jo, mbusheni kokën: ne s'bëhemi njerëz!
Dacka e dytë qe më e fortë nga e para!!!


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›