E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dajti përdorte numra të shitësve ambulantë

04/09/2009  Super i kërkuari i policisë i blinte për të shmangur përgjimet telefonike

TIRANE- Prokuroria për Krime të Rënda ka marrë në dorëzim të gjitha tabulatet telefonike të 10 telefonave të përdorur nga Dritan Dajti, në kohën kur ky ka qenë në arrati si dhe tabulatet e telefonit të kunatit të tij Ergest Xhoxhi. Nga të dhënat e para ka rezultuar se shumë numra që ndodheshin në telefonat e 38-vjeçarit Dritan Dajti, janë regjistruar me emra të rremë, ndërsa për sa i përket verifikimeve të tabulateve të Xhoxhit, është konstatuar se numrat e shumë përfolur të 5 efektivave të policisë së shtetit, gjendeshin pikërisht në telefonin e tij. Nisur nga kjo gjë ekspertët e grupit hetimor kanë shtuar dyshimet se informacionet për rreziqet që mund t’i vinin Dritan Dajtit, në shumicën e rasteve merreshin nga kunati i tij Ergest Xhoxhi, i cili më pas vinte dhe në dijeni 38-vjeçarin Dajti. Gjithashtu mes tabulateve të shumta që tre kompanitë celulare i kanë dërguar Prokurorisë për Krime të Rënda, janë gjendur shumë numra, të cilat nga verifikimi kanë rezultuar me emra të rremë, si dhe me emrat e shitësve ambulantë të këtyre kartave. Me sa duket gjatë periudhës së arratisë, strategjia e super të kërkuarit Dritan Dajti nuk ka qenë vetëm humbja e gjurmëve të tij, por edhe vështirësimi i punës së policisë, e cila me çdo kusht donte të arrestonte Dritan Dajtin. Për t’ju shmangur përgjimeve si dhe për të mos rënë në sy, ky i fundit kishte zgjedhur që të gjitha kartat e telefonit t’i blinte në shitës ambulantë. Mësohet se nëpërmjet tyre ai shmangte regjistrimin e numrit, si dhe largonte çdo dyshim që policia mund të ngrinte për mundësinë e ekzistencës së tij. Ekspertët thonë se 8 nga 10 numrat e Dajtit janë me emra të rremë, si dhe me emrat e shitësve ambulantë, ndërsa vetëm dy prej tyre i përkasin kompanive celulare të huaja, të cilave mësohet se në ditët në vazhdim pritet t’i dërgohet letërporosi nga organi i akuzës. I superkërkuari Dritan Dajti kishte zgjedhur t’i blinte kartat e telefonit në shitësit ambulantë, pasi mësohet se këta të fundit të gjithë numrat që blejnë në tre kompanitë celulare, i regjistrojnë me emrat e tyre. Fill pas kësaj procedure ata mundësojnë tregtimin në rrugët e ndryshme të Shqipërisë, duke favorizuar në një farë mënyre personat me eksponentë kriminalë, të cilët në shumicën e rasteve bëhen klientët më besnikë të tyre. Një nga këta klientët mendohet se ka qenë edhe 38-vjeçari Dritan Dajti. Në pamundësi për të regjistruar të gjithë numrat me emra të rremë si dhe dëshira e tij për të mos mbajtur shumë gjatë një numër telefoni, e kanë shtyrë atë të blejë kartat e regjistruara në emrat e disa shitësve ambulantë. Aktualisht mësohet se Prokuroria ka bërë identifikimin dhe lokalizimin e tyre, dhe pritet që në kohët në vazhdim ata të japin deklarime, lidhur me këtë çështje. Ndërkohë që habia e grupit hetimor ka ardhur kur ata kanë konstatuar se në 10 kartat e telefonin të 38-vjeçarit Dajti, nuk kanë konstatuar asnjë numër telefoni të ndonjë punonjësi policie. Dritan Dajti u arrestua në 7 gusht të këtij viti pas një përplasjeje të përgjakshme me agjentët e policisë së shtetit, ku si pasojë e së cilës humbën jetën katër oficerët Fatos Xhani, Kastriot Feska, Altin Dizdari si dhe Sajmir Duçkollari. Gjatë përplasjes me policinë Prokuroria ka vërtetuar se Dritan Dajti ka vrarë edhe “ushtarin” e tij, Ledion Mara, i cili në ato momente sapo ishte ndaluar nga agjenti Altin Dizdari.

Frika e përgjimit, shmangte komunikimin me celular

Në tabulatet e 10 kartave, s’kishte numra familjarësh

TIRANE- Dritan Dajti gjatë kohës kur ka qëndruar në arrati nuk ka komunikuar asnjëherë në telefon me familjarët dhe bashkëshorten e tij. Gjithçka ai e ka kryer në mënyrë të fshehtë dhe mjaft të kontrolluar. Ky fakt është konstatuar edhe në tabulatet telefonike që aktualisht Prokuroria ka marrë nga tre kompanitë celulare që operojnë në territorin shqiptar. Gjatë verifikimit të tyre, ekspertët hetimore të kësaj çështjeje nuk kanë mundur të gjejnë asnjë numër konkret, i cili i përket familjarëve apo bashkëshortes së të shumë kërkuarit. Siç duket 38-vjeçari Dajti i ka prirë më përpara mundësisë së vënies në përgjim të të afërmve të tij, me qëllim lokalizimin dhe më pas arrestimin e tij. Për këtë gjë ai nuk ka kryer asnjë telefonatë me prindërit e tij. Dyshimet e Prokurorisë tregojnë se i shumëkërkuari, mund të jetë takuar me të afërmit e tij, nëpërmjet lënies së një vendi konkret, i cili u është komunikuar gojarisht nga “ushtarët” që Dritan Dajti mbante me vete. Aktualisht Prokuroria është duke verifikuar të gjithë numrat dhe emrat e personave që kanë komunikuar me 38-vjeçarin Dritan Dajti. Pritet që së shpejti ata të thirren në Prokurori për të dhënë sqarime lidhur me bashkëpunimin që ata kanë pasur me Dajtin.

Pritet zbardhja e misterit të sms e telefonatës

Drejtoria e policisë dhe SHKB, njihet me tabulatet

TIRANE- Numrat e shumtë që janë nxjerrë nga 11 kartat e telefonave që janë sekuestruar nga Prokuroria për Krime të Rënda, mësohet se i janë vënë në dispozicion edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB), i cili aktualisht po kryhen paralelisht hetime me Krimet e Rënda. Qëllimi i kësaj strukture është përcaktimi i pozicionit të 5 policëve të uniformave blu, ku mësohet se njëri prej tyre është pushuar nga komisariati i Lushnjës, përpara se të arrestohej i shumë kërkuari Dritan Dajti. Specialistët e kësaj njësie shprehen se gjatë verifikimeve kanë konstatuar edhe disa numra që i përkasin personave vip të politikës shqiptare si dhe botës së biznesit. Ndërkohë që për katër agjentët e policisë që mendohet se kanë dhënë informacion në shërbim të Dajtit, nuk është marrë asnjë vendim për pezullimin e tyre. Burimet thonë se një gjë e tillë do të vijë atëherë, kur në tabulate të gjenden prova konkrete që implikojnë pozicionin e tyre në këtë çështje. Gjithashtu ekspertët e SHKB-së, pritet të hedhin dritë edhe mbi mesazhin dhe telefonatën misterioze që Dajtit dhe kunati i tij Ergest Xhoxhi, mori 20 minuta përpara operacionit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›