E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iftari, mblidhen 1500 besimtarë myslimanë

04/09/2009  Bashkia turke ceremoni në shesh

ELBASAN-Rreth 1500 besimtarë myslimanë janë mbledhur bashkë në iftarin e madh të Ramazanit të organizuar në sheshin “Gensher” përballë kalasë së Elbasanit në orën 18.00 të ditës së djeshme. Gjithçka është organizuar nga Bashkia “Bajram Pasha” në Stamboll të Turqisë, e cila çdo vit nis pelegrinazhin e iftarit në vendet myslimane. Nën moton “Vëllazëria nuk njeh kufij” rreth 1500 besimtarë myslimanë të qytetit të Elbasanit, Cërrikut, dhe rrethinave të tij kanë ngrënë vaktin e iftarit shtruar në sheshin “Gensher” me ushqimet më të shëndetshme sigurisht në mungesën e pijeve alkoolike. Gjithçka ka qenë e përgatitur nga organizatorët turq, të ardhur nga Turqia, të cilët kanë përgatitur edhe një koncert me këngë fetare. Drejtuesit e këtij aktiviteti kanë thënë se qëllimi është bashkimi i besimtarëve në këtë muaj të madhërishëm dhe lehtësimin e agjërimit të besimtarëve. Nënkryetari i Bashkisë “Bajram Pasha”, Rexhep Kërpat, tha se pelegrinazhi i tyre përfshin Ballkanin dhe sidomos vendet me shumë besimtarë myslimanë. “E kemi nisur udhëtimin tonë para pesë vjetësh në rajonin e Ballkanit, dhe ardhja në Elbasan është hera e katërt. E nisëm rrugën tonë nga Bosnjë Hercegovina, Mali i Zi, Kosova, Shqipëria, në 23 qytete të shtatë vendeve ballkanike, dhe mesazhi që japim është “Vëllazëria nuk njeh kufij”. Pasi është kënduar “syrja” në fillim të akshamit nga imami turk, 1500 besimtarët kanë thyer iftarin. Darkën e iftarit e kanë ngrënë drejtues të komunitetit myslimanë, imamë të xhamive dhe pushtetarë të pushtetit lokal, mes tyre dhe kryetari i bashkisë Qazim Sejdini. Që nga viti 1994 me iniciativën e Kryeministrit të Turqisë, Raxhep Taip Erdogan ka nisur shtrimi i iftarit nëpër vende të ndryshme të Ballkanit gjatë muajit të madhërueshëm të Ramazanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›