E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përbërja e qeverisë së re drejt fundit

04/09/2009  Me nisjen e legjilslaturës së re ekzekutivi do të ketë marrë formën përfundimtare

Koalicioni i ri qeverisës me LSI-në diktoi lëvizjen e disa prej ministrave të kabinetit

Konfigurimi i kabinetit të ri qeveritar është drejt përfundimit. Mësohet se tashmë janë caktuar pjesa dërrmuese e atyre që do të marrin drejtimin e portofoleve ministrore. Qeveria e re pritet të jetë ndryshe për sa i përket përbërjes së saj nga ajo e kaluara, ku shkak kryesor është edhe përfshirja e Lëvizjes Socialiste për Integrim pas marrëveshjes së nënshkruar mes krerëve të dy partive dy ditë më parë. Në qeverisë e re një pjesë e mirë e ministrave aktualë nuk do të jenë më. Kështu, e padiskutuar është largimi i ministres së Shëndetësisë Anila Godo, e cila u propozua nga Partia Republikane. Vendin e saj do ta zërë sekretari i përgjithshëm i LSI-së Petrit Vasili. Po ashtu ndër aleatët e PD-së ai që do të lërë postin e ministrit është edhe kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Lufter Xhuveli. Ndërkohë numërohen edhe disa nga radhët e deputetëve që do të lënë postet e ministrave që kanë gëzuar deri më tani. Kështu, e sigurt është largimi i ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, vendin e të cilit mund ta marrë Sokol Olldashi ose nënkryetari i partisë Astrit Patozi. Jashtë qeverisë së re do të mbetet edhe ministri aktual i Mbrojtjes Gazmend Oketa, në vend të të cilit diskutohet të shkojë kolegu i tij deputet i zgjedhur në Qarkun e Durrësit Fardinad Xhaferri, ose Astrit Patozi. Jashtë qeverisë mësohet se do të mbetet edhe ministri i Bujqësisë Jemin Gjana. Të njëjtin fat do të ketë edhe ministri aktual i Arsimit dhe Shkencës Fatos Beja, ai i Punës dhe Çështjeve Socialiste Viktor Gumi. Po ashtu mendohet se do të lërë Ministrinë e Drejtësisë edhe Enkelejd Alibeaj, për të cilin ende nuk është vendosur nëse do të marrë ndonjë post tjetër në qeveri apo do të mbetet deputet i thjeshtë. Me marrëveshjen e bërë me LSI-në të pashmangshme janë lëvizjet e dy ministrave Lulëzim Basha dhe Genc Ruli. Për Bashën mësohet se mund t’i rezervohet posti i ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, ndërsa për Rulin Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ose ndonjë dikaster tjetër. Ndërkohë mësohet se do të lërë postin e ministrit të Kulturës Ardian Turku, i cili mund të zëvendësohet nga Rajmonda Bulku ose Genc Ruli. Ndërkohë në Ministrinë e Drejtësisë përflitet rikthimi i Ilir Rusmalit. I vetmi që nuk mendohet të ndryshojë pozita është ministri i Financave Ridvan Bode.

Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit bënë të mundur që në politikën shqiptare partitë të kalojnë nga njëra anë në anën tjetër. Kështu ndodhi edhe me Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila u bë pjesë e koalicionit “Bashkimi për Ndryshim”, që drejtohej nga Partia Socialiste. Qëndrimi i deritanishëm i PBDNJ-së është se do të vazhdojë të jetë pjesë e opozitës, por kryeministri Berisha e ka ftuar këtë parti të reflektojë dhe të kthehet në mazhorancë. Për këtë qëllim, nisur edhe nga zërat brenda PBDNJ-së, Berisha mësohet se do lërë edhe për pak ditë pa vendosur një emër në postin e ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale, post i cili është mbajtur për rreth katër vjet nga PBDNJ-ja.

Marrëveshja me LSI-në

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë nënshkruar marrëveshjen politike për të bashkëqeverisur vendin në katër vjetët e ardhshëm. Kryeministri Sali Berisha, njëherësh lideri i PD-së, dhe kryetari i LSI-së Ilir Meta, dy ditë më parë kanë hedhur firmat e tyre në marrëveshjen e bashkëqeverisjes së vendin për katër vjetët e ardhshëm. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, LSI-ja përveç postit të zëvendëskryeministrit, të ministrit të Punëve të Jashtme, të ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe të ministrit të Shëndetësisë përfiton 20% të të gjithë aparatit politik qeverisës.

Qeveria e re

Sali Berisha - kryeministër

Ilir Meta - zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme

Petrit Vasili - ministër i Shëndetësisë

Dritan Prifti - ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës

Lulzim Basha - ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit

Majlinda Bregu - ministre e Integrimit

Ilir Rusmali - ministër i Drejtësisë

Partia Republikane - ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave

Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit - e pa përcaktuar

Sokoll Olldashi ose Astrit Patozi - ministër i Brendshëm

Ferdinand Xhaferri ose Astrit Patozi - ministër i Mbrojtjes

Myqerem Tafaj ose Genc Pollo - ministër i Arsimit dhe Shkencës

Genc Ruli ose Rajmonda Bulku - ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve

Ridvan Bode - ministër i Financave

Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në pritje të përgjigjes së PBDNJ-së për t’u bërë pjesë e koalicionit qeverisës

Negociatat për qeverinë

Pretendimet e republikanëve dhe partisë së çamëve

Forcat politike aleate të Partisë Demokratike, të cilat arritën që në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit të merrnin nga një mandat deputeti, kanë parashtruar pretendimet për përfaqësimin e tyre në kabinetin e ardhshëm qeveritar. Kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar paraditen e djeshme një takim kokë më kokë me kryetarin e Partisë Republikane Fatmir Mediu, me të cilin ka biseduar mbi marrëveshjen që partitë e tyre do të lidhin me njëra-tjetrën në funksion të bashkëqeverisjes. Mësohet se Mediu ka kërkuar që republikanët të marrin në dorë drejtimin e Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave si dhe përfaqësime në poste të dyta qeverisëse, ato të zëvendësministrave. Mësohet se Berisha ka pranuar parimisht kërkesën e bërë nga kreu i PR-së dhe pritet që në fundjavë të nënshkruhet marrëveshja. Ndërkohë edhe Partia për Drejtësi dhe Integrim ka shpallur pretendimet për përfaqësim në qeveri. Kryetari i PDI-së, Tahir Muhedini, ka deklaruar dje se forca politike që drejton duhet të jetë patjetër në qeveri. Kështu, PDI-ja do t’i kërkojë Kryeministrit Berisha drejtimin e Ministrisë së Mjedisit ose të Bujqësisë, dy poste zëvendësministrash dhe një ambasador. Ai shprehet se preferohet posti i zëvendësministrit të Jashtëm dhe ambasadori në një ndër vendet me peshë në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, këto kërkesa bëhen me qëllim mbrojtjen e interesave të komunitetit çam.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›