E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daka: Do të evitohen të gjitha parregullsitë eventuale

Nga Express më 15 dhjetor 2010 në ora 18:52

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vlerësuar pozitivisht mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të dielës, ndërsa ka premtuar se do të përkujdeset që të evitohen të gjitha parregullsitë eventuale gjatë këtij procesi.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë të mërkurën se mbarëvajtja e zgjedhjeve të përgjithshme është konfirmuar edhe nga vëzhguesit ndërkombëtare dhe sipas saj të gjitha obligimet ligjore janë përmbushur gjatë këtij procesi.

Megjithatë ajo është shprehur e brengosur lidhur me disa zhvillime ne ditën e zgjedhjeve ne disa qendra te votimit ne Kosove.

Daka ka thënë se është me rëndësi të theksohet se rezultatet preliminare të prezantuara nga KQZ-ja, janë rezultate të cilat janë përpiluar nga komisionet komunale të zgjedhjeve dhe si të tilla nuk prodhojnë efekt juridik.

“Është me rëndësi të theksohet se rezultatet preliminare të prezantuara nga KQZ-ja, janë rezultate të cilat janë përpiluar nga komisionet komunale të zgjedhjeve dhe si të tilla nuk prodhojnë efekt juridik. Aktualisht, Qendra e numërimit dhe rezultateve pranë KQZ-se, është në procesin e përpilimit të rezultateve dhe gjatë zhvillimit të punës në QNR, KQZ do të kujdeset që të evitohen të gjitha parregullsitë eventuale, të cilat mund të konstatohen nga zyrtarët tanë, e gjithmonë duke u bazuar në ligjin zgjedhor të Republikës së Kosovës dhe rregullat zgjedhore të KQZ-së”, ka thënë Daka, siç transmeton Kosovapress.

Për më tepër, Daka ka bërë të ditur se KQZ do të zbatojë të gjitha vendimet e institucioneve kompetente për shqyrtimin e ankesave të partive politike që kanë të bëjnë me zhvillimin e procesit zgjedhor, dhe se vullneti i qytetarëve i shprehur përmes votës së tyre të pasqyrohet dhe të respektohet plotësisht.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›