Pritet një bashkëpunim mes Kosovës e Hungarisë
Ministri i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Fehmi Mujota dhe komandanti FSK-së gjenerallejtënant Sylejman Selimi, kanë pritur në takim një delegacion të Ministrisë të Mbrojtjes të Hungarisë, të kryesuar nga sekretari Lajos Fodor i shoqëruar edhe nga ambasadori i Hungarisë në Prishtinë.
Ky ishte takimi i parë zyrtar në mes të dy ministrive përkatëse, me ç’rast ministri Mujota e njoftoi sekretarin Fodor me zhvillimet në FSK-së, si dhe rreth bashkëpunimit të MFSK-së me ministritë e mbrojtjes në rajon dhe më gjerë.
Bëhet e ditur se gjatë këtij takimi është shprehur gatishmëria nga të dyja palët, që të fillohet me hapa konkretë rreth përgatitjes dhe finalizimit të nënshkrimit të një Memorandumi të Bashkëpunimit edhe me Ministrinë e Mbrojtjes së Hungarisë.
Në këtë memorandum do të përfshihen të gjitha fushat me interes të dyanshëm bashkëpunimi.
Në këtë rast, sekretari Lajos Fodor premtoi se kjo marrëveshje dhe bashkëpunimi i mëtejmë në mes dy ministrive, do të jetë në fokus të tij personal dhe të ministrit të mbrojtjes të Hungarisë.