Dako: Bllokimi i buxhetit dëmton qytetarët e Durrësit
Kryetari i Bashkisë së Durrësit ka dalë në një konferencë për shtyp për të informuar qytetarët durrsakë për fatin e buxhetit të Bashkisë së Durrësit për vitin 2009. Në mbledhjen e para disa ditëve, ky buxhet nuk u votua në Këshillin Bashkiak të Durrësit për shkak se këshilltarët e PD-së, që përbëjnë mazhorancën në këtë këshill, nuk pranuan as ta diskutonin atë, pa ditur më parë se ku kanë vajtur paratë e 2008-s dhe sa taksa janë mbledhur për vitin e kaluar. Madje, sipas tij, Komisioni i Ekonomisë, i drejtuar nga z. Arqile Gorea, përfaqësues i PD-së, as nuk është mbledhur për të diskutuar buxhetin. Në deklaratën e tij kryebashkiaku Dako deklaroi: “Vendimi politik i PD-së për të mos e miratuar buxhetin dëmton rëndë qytetarët e Durrësit dhe mund të konsiderohet një strategji antikombëtare”. Sipas Dakos: “Në vazhdim të kontratës që kam lidhur me qytetarët e Durrësit dhe të transparencës së punëve të bashkisë, po ju vë në dijeni se buxheti i bashkisë ka hyrë nëpër labirintet e politikës, duke i shkaktuar një dëm të madh qytetit tonë. Prej 3 vjetësh vazhdon telenovela e projektbuxheteve të bashkisë sonë të cilët bllokohen nga këshilltarët e djathtë që përbëjnë mazhorancën në Këshillin Bashkiak dhe miratohen vetëm në limitet kohore që lejon ligji”. Sipas tij: “Kjo forcë politike, duke menduar se nëpërmjet kësaj strategjie ka nxjerrë përfitime politike, nuk ka prodhuar asgjë tjetër përveç shtyrjes së projekteve në qytetin e Durrësit, të cilat kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së jetesës të këtij komuniteti”. Ndonëse Bashkia e Durrësit ka mundësi të përdorë 1/12 e buxhetit të vitit të kaluar edhe gjatë këtyre muajve, kryebashkiaku bëri thirrje që të miratohet sa më shpejt drafti, pasi ekzistojnë probleme në menaxhimin e qytetit.
Artur Ajazi
Shirat shkatërrojnë rrugët e Durrësit
Vetëm pak ditë pas shirave kanë dalë në sipërfaqe dëmet e shkaktuara prej tyre gjatë këtij sezoni të pazakonshëm në rrugët e Durrësit. Pas tharjes së pellgjeve të ujit nëpër rrugët e Durrësit, është vënë re se një pjesë e mirë e tyre kanë pësuar gërryerje e një pjesë tjetër janë bërë për rikonstruksione të thella. Shirat të cilët nisën në muajin nëntor të vitit që shkoi e që kanë pushuar vetëm pak ditë më parë, kanë shkaktuar dëme jo vetëm në rrugët dytësore, por edhe në disa prej rrugëve kryesore të qytetit të Durrësit. Nga ana e saj, bashkia ka nxjerrë në terren specialistët për të përcaktuar saktësisht segmentet e dëmtuara si dhe nivelet e prishjeve në mënyrë që më pas të përcaktohet edhe shkalla e ndërhyrjes për riparimin e tyre. Rrugët që e kanë pësuar më tepër nga ky sezon me shira të mëdha, të cilat nuk mbahen mend që nga viti 1967, janë ajo që të shpienë nga prefektura deri te spitali, segmenti nga kryqëzimi pranë ish-lulishtes “1 Maji” deri te stacioni i urbanëve të Plazhit, rruga e Currilave, rrugët pranë stadiumit të futbollit, rruga e Shkozetit e të tjera, të cilat janë në proces vëzhgimi. Ndërsa rrugët që kanë qenë të dëmtuara janë shkatërruar fare. Të tilla janë rruga që lidh varrezat e vjetra me Porto Romanon si dhe rruga e tregut industrial. Tashmë në këto rrugë nuk shihen më gjurmë asfalti, por syri të sheh vetëm baltë dhe gropa në tabanin e saj. Sipas specialistëve të Mirëmbajtjes, rrugën e Porto Romanos e ka marrë përsipër ta rikonstruktojë Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve pranë Ministrisë së Transporteve, por punimet ende nuk kanë filluar. Ndërsa rruga e tregut ende ka mbetur e pambuluar me fonde. Nga ana e saj bashkia do të marrë masa për mbushjen e gropave dhe asfaltimin e tyre pasi të përfundojë plani i ndërhyrjes nga ana e ndërmarrjes përkatëse. Por qetësimi i situatës meteorologjike ka nxjerrë në pah edhe dëmtimet në sistemin e kanalizimeve dhe të rrjetit të ujit të pijshëm. Shkak janë bllokimet e kanalizimeve si dhe shpërthimi i tubave të ujit. Një situatë e rëndë është krijuar përballë drejtorisë së spitalit rajonal të qytetit, pasi ka disa muaj që tubacioni kryesor i ujit ka shpërthyer në dy pika, duke përmbytur një zonë të tërë.