Evropa Juglindore përballë stuhisë financiare
Nga Natasha Radiç SET
Çrregullimi në tregjet globale financiare është ndier mjaft në Ballkan. Kriza ka detyruar shtyrjen e shumë projekteve të mëdha financiare dhe një numër ndërmarrjesh kanë njoftuar se do të fillojnë të pushojnë punonjës. Sektorët jetikë të ekonomisë, të tillë si turizmi, janë goditur rëndë. Vendet që varen shumë nga rimbursimet nga jashtë kanë parë pakësimin e atyre fondeve.
Krerët politikë përballen me sfidën e dyfishtë të ofrimit të sigurisë ndaj ankthit publik, ndërsa marrin hapa për të zbutur goditjet ekonomike. Anembanë rajonit, qeveritë kanë miratuar plane kundër krizës që do të ndihmojnë mbijetesën e ekonomive të brishta.
Për javë, publiku kroat u argëtua me përpjekjet zyrtare që synonin në analizën nëse vendi ishte apo jo në recesion. Të qeshurat kanë pushuar tani që kanë ardhur statistikat ku tregohet efekti mbytës në turizëm. Regjistrimet paraprake për verën kanë rënë me 10% dhe mund të pakësohen deri në 30%, thonë analistët.
Ekspertët e Institutit të Ekonomisë kanë dërguar një plan shpëtimi për shqyrtim nga qeveria. Plani përfshin pesë masa për zbatimin e menjëhershëm: mbajtjen e deficitit të buxhetit nën 450 milionë euro; refuzimin për të braktisur projektet e infrastrukturës të financuara nga investimi i huaj; rritjen e eksporteve dhe uljen e importeve; ruajtjen e normës së shkëmbimit të valutës dhe mbrojtjen e anëtarëve më të cenueshëm të popullsisë, ata që humbën punën e tyre apo që mbijetojnë me ndihmën financiare që jepet nga shteti.
Deri tani, nuk ka vlerësime mbi atë se sa njerëz mund të humbasin punën e tyre dhe nuk janë identifikuar se cilat industri apo ndërmarrje mund të falimentojnë për shkak të krizës.
Vende të tjera në rajon kanë miratuar planet e tyre për të përballuar vështirësitë. Qeveria serbe miratoi masat në fund të muajit të kaluar, duke parashikuar një investim prej 1.3 miliardë eurosh për të rritur prodhimin dhe zhvillimin e eksportit këtë vit. Qeveria i ka kërkuar Komisionit Evropian 400 milionë euro në ndihmë makroekonomike dhe Bankës Botërore 235 milionë euro për të forcuar buxhetin e saj. Vendi tashmë ka një borxh ndihme prej 407 milionë eurosh nga FMN-ja.
Kryeministri serb, Mirko Cvetkoviç, tha se autoritetet do të përcaktojnë përparësitë dhe do të zgjedhin sektorët ekonomikë që do të marrin fondet e emergjencës. Banka Kombëtare e Serbisë do të përcaktojë kriteret për zgjedhjen e bankave tregtare që do të shpërndajnë huat.
Kredia e parë për ndërmarrjet individuale - Beogradi po ndihmon eksportuesit në një përpjekje për të zvogëluar deficitin e saj tregtar - do të jepet këtë muaj dhe përparësia e qeverisë do të jetë ruajtja e nivelit të punësimit në Serbi dhe stabilitetit të dinarit. Qeveria ka caktuar gjithashtu rreth 85 milionë euro për të përgjysmuar interesin e kredive ndaj korporatave dhe shtetasve.
Qeveria ka vendosur të anulojë taksat për kursimet bankare më 2009, në një përpjekje për të inkurajuar shtetasit për të investuar paratë e tyre në banka dhe për të mos tërhequr depozitat e tanishme.
“Sipas parashikimeve të qeverisë, rritja ekonomike këtë vit do të jetë rreth 3.5%, por që nga java e fundit, ekonomia ka pasur një rritje gjatë vitit prej vetëm 1.5%”, - tha shefi i bankës qendrore.
Anembanë rajonit, marrja hua e parave për të shmangur zhytjen e mëtejshme në krizë nuk është një strategji e pazakontë. Për shembull, qeveria malazeze planifikon të huajë 44 milionë euro nga Banka e Parë e Malit të Zi për të forcuar uzinën e shkrirjes së aluminit të vendit, duke dhënë një linjë kredie midis 8 milionë dhe 10 milionë eurosh. Punonjësit e fabrikës do të marrin ulje taksash, ndërsa tarifat do të zvogëlohen për mallrat e importit që i nevojiten uzinës. Uzina e shkrirjes jep pothuajse 50% të eksportit të Malit të Zi dhe ka rreth 4,000 punonjës, rreth 0.6% e popullsisë së vendit.
Qeveria po shqyrton gjithashtu se si të ndihmojë stabilizimin e sektorit të turizmit. Pronarët e hoteleve i kanë kërkuar qeverisë të bindë bankat për të shtyrë pagesat për linjat e kreditit dhe të ulin TVSH-në nga 17 në 7%. Ndërkohë, ndërmarrjet duan që ndërmarrja e linjës ajrore kombëtare, Montenegro Airlines, të ulë tarifat e saj.
Vende të tjera po përqendrohen në frontin vendas. Qeveria rumune miratoi një plan që parashikon midis të tjerash, caktimin e 20% të buxhetit të vendit për të financuar investimet e mëdha publike në infrastrukturë: transport, mjedis, kujdes shëndetësor, arsim, "rehabilitim termal" (aplikimi i izolimit të jashtëm) në ndërtesat e apartamenteve dhe rrugë, sektori kryesor që do të krijojë punë dhe do të sigurojë njëfarë shkalle të rritjes ekonomike.
Masa të tjera të "planit dekalog" përfshijnë përjashtimin e taksave për fitimin e riinvestuar, kapitalizimin e CEC Bank dhe Exim Bank, masa që kanë për qëllim të mbështesin ndërmarrjet e vogla e të mesme (SME-të), nxitjen e eksporteve dhe përfshirjen e të ardhurave të institucioneve shtetërorë dhe agjencive në buxhet.
Rumania provoi rritje ekonomike rekord dy vjet me radhë, por tani disa ndërmarrje të mëdha ndërkombëtare kanë njoftuar plane për të zhvendosur fabrikat e tyre me bazë në Rumani gjetkë dhe SME të shumta po falimentojnë. Megjithëse ishin optimiste në fillim rreth shkallës së papunësisë, autoritetet tani po i përdorin statistikat me më shumë kujdes. Ata tani frikësohen se papunësia do të arrijë në 5.5% më 2009-n, në krahasim me 4.5% në dhjetor 2008. Trazira sociale po shfaqen, funksioni i qeverisë, e cila mori detyrën vetëm dy muaj më parë, po zvogëlohet, ndërsa nuk po zbaton premtimet e veta zgjedhore për rritjen e pagave nga frika e prishjes së buxhetit të pasigurt të shtetit.
Rumania, ashtu si fqinja e vet, Bullgaria, është një vend anëtar i BE-së. Vende të tjera ballkanike, megjithatë, ndeshen me shqetësime të tjera se kriza mund të ndikojë në shpresat e tyre të pranimit. Kjo mund të ndodhë në dy mënyra: duke ndikuar në vetë procesin e zgjerimit dhe duke penguar përpjekjet e vendeve për të përmbushur kriteret. Çrregullimi ekonomik nuk pengon vetëm rritjen, por mund të prishë stabilitetin politik të fituar me shumë përpjekje. Gjithsesi, pavarësisht nga shqetësimet, ka vend për optimizëm. Qeveritë dhe votuesit shpresojnë se hapat që po merren do ta mbajnë rajonin në rrugën e duhur dhe me synimet afatgjata të duhura.
*Për këtë shkrim kontribuuan Igor Jovanoviç në Beograd, Paul Kiokoiu në Bukuresht dhe Nedjeljko Rudoviç në Podgoricë.