Dako, këshilltarëve : Nëse nuk paguani taksat, do tju mbajmë rrogën
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, ka deklaruar për mediat: Mbi gjysma e anëtarëve të Këshillit Bashkiak, të majtë e të djathtë, nuk i kanë paguar taksat vendore, ato nuk paguhen nga pjesa më e madhe e familjeve në Durrës, por më e keqja është se këtë veprim e bëjnë edhe këshilltarët. Sipas tij, e vetmja mënyrë mbetet mbajtja e parave nga paga e tyre mujore që marrin si këshilltarë. Sipas Dakos, gjysma e anëtarëve të Këshillit Bashkiak anashkalojnë detyrimin ligjor. Vangjush Dako deklaroi: Pagesat e detyrimeve të familjeve ndaj taksave vendore janë problematike. Durrësi numëron 46 mijë familje në total, nga këto 6 mijë familje janë hequr nga lista e detyrimeve të pagesave të taksave vendore, si familje në nevojë. Bashkia e Durrësit ka planifikuar që për të realizuar të ardhurat e vitit 2010, nga i cili varen edhe investimet e planifikuara, me vlerë 17 milionë euro, të mbledhë edhe taksën e pasurisë për 40 mijë familjet e tjera. Mbledhja e taksës së pasurisë në vite rezulton problematike në Durrës, pasi vetëm 1/4 e familjeve e kanë paguar atë për këtë vit. Kryebashkiaku i qytetit të Durrësit, Vangjush Dako, gjatë debatit të bërë në Këshillin Bashkiak, ka deklaruar: Nuk janë vetëm familjet e zakonshme që nuk i kanë paguar këto taksa, të cilat edhe mund të kenë justifikime për shkak të papunësisë e të ardhurave të pakta, por edhe se është gjysma e anëtarëve të Këshillit Bashkiak që nuk i kanë paguar vetë taksat vendore. Dako nuk ka nxjerrë emra se cilët janë këta anëtarë si krah politik e as si emër, por, sipas deklaratës së tij: Mbi gjysma e tyre nuk i kanë paguar taksat vendore. Ky është një shembull i keq i klasës politike lokale që ndërsa marrin poza oratorike dhe japin mësime se si të rregullohet mirëqenia lokale për masat e familjeve të thjeshta, deklarimet e tyre mbeten vetëm deri tek ekranet televizive, por në realitet ata janë shkelës ligjesh që japin një shembull jo të mirë për qytetarin, - tha Dako.