Hiri vullkanik, në Rinas anulohen 15 linja fluturimi drejt Evropës
Hiri vullkanik i krijuar nga aktivizimi i një vullkani në Islandë është bërë shkak për pezullimin e fluturimeve të shumë shoqërive ajrore në disa vende të Evropës. Mes tyre, edhe aeroporti Nënë Tereza në Rinas ka pezulluar disa nga fluturimet në disa linja ajrore.
Burimet zyrtare nga aeroporti i Rinasit bënë të ditur se pas pezullimit të fluturimeve në Londër dhe në Budapest, aeroporti i Rinasit ka pezulluar dje fluturimet dhe për tri linja ajrore me vendet e Bashkimit Evropian. Burimet zyrtare kanë njoftuar se dje u pezulluan edhe fluturimet e linjave ajrore për në Itali, Gjermani dhe Austri. Vendimi për pezullimin e fluturimeve ka ardhur nga drejtuesit e aeroportit ndërkombëtar të Tiranës.
Kështu, gjatë ditës së djeshme, ka shkuar në 15 numri i fluturimeve që janë pezulluar në aeroportin shqiptar në Rinas. Përmes një njoftimi për mediat, aeroporti Nënë Tereza njoftoi dje se gjatë ditës së shtunë janë anuluar fluturimet direkte për në Londër, Budapest, Vjenë, Mynih, Shtutgart, Bolonjë, Milano, Trevizo, Verona, Frankfurt, Lubjanë, Rimini, Xhenova, Torino dhe Prishtinë, për shkak të hirit në zonën e Islandës, si rrjedhojë e vullkanit që shpërtheu ditën e mërkurë. Fluturimet janë anuluar deri në një njoftim të dytë. Ndërkaq, mësohet se fluturimet e planifikuara për në Romë, Athinë, Bari, Stamboll kanë operuar normalisht. Ndërprerja e fluturimeve ka krijuar probleme për shumë udhëtarë, ku shumë syresh janë emigrantë shqiptarë që udhëtonin drejt vendeve ku punojnë e jetojnë.
Kaosi është rritur në shumë vende të Evropës, ku më shumë se gjysma e udhëtimeve të parashikuar janë pezulluar. Organizata evropiane për sigurinë e trafikut ajror, Eurocontrol, ka bërë të ditur për median se bllokimet e trafikut ajror vazhdojnë edhe sot në një pjesë të madhe të kontinentit evropian. Janë anuluar 16 mijë fluturime nga 22 mijë që ishin parashikuar në Evropë. Organizata evropiane për sigurinë dhe transportin ajror, Eurocontrol, deklaroi se efektet e reve të hirit nga Islanda do të jenë të pranishme për të paktën edhe 24 orët e ardhshme, çka do të pengojë fluturimet në pjesën më të madhe të Evropës Qendrore dhe Veriore.