Dalja nga kriza politike në Maqedoni shikohet tek Ahmeti
Partia Socialdemokrate (LSDM), raporti negativ i Komisionit Europian në të cilin Maqedonia nuk ishte në rend dite, zvarritja e problemit të emrit janë shenja se qeveria e Kryeministrit Nikolla Gruevski po hyn në një krizë të thellë politike. Analistët politikë janë të mendimit se lufta politike kundër Gruevskit teksa ka filluar, ndërsa se si do të rrjedhë më tej pjesa më e madhe e këtyre zhvillimeve, do të varet drejtpërdrejt nga BDI-ja dhe roli i saj në qeveri. “Ka një kohë të gjatë që kriza politike në Maqedoni është evidente, mirëpo falë faktorit politik shqiptar, i cili gjithmonë i jepte gjasa dhe nuk kishte vizion të qartë se si të veprojë kjo krizë politike, nuk hapej. çelësi i thellimit të krizës është faktori politik shqiptar për arsye se është i vetmi problem real i Maqedonisë, përveç ekonomisë, oportunizmi i partive politike shqiptare dhe ruajtja e rolit të rojtarit të stabilitetit të Maqedonisë, që është në duart e shqiptarëve. Kësaj radhe kriza politike mund të mos hapet, në rast se në këtë krizë nuk kyçet partia shqiptare, për arsye se kriza objektivisht ekziston mënyra e udhëheqjes nga ana e VMRO-DPMNE-së, me 63 deputetët mënyra vendosëse autokrate e kësaj partie pa asnjë konsultim me partitë tjera politike, në të vërtetë, shpreh krizën e thellë dhe autoritarizmin e partisë së Gruevskit”, ka thënë profesori Alajdin Demiri. Sipas tij, protesta e LSDM-së hapi frontin kundër kësaj politike të Gruevskit, ndërsa partia maqedonase në opozitë do të jetë kundërshtari numër një i politikës së VMRO-së, dhe Gruevskit. “Kambanat e qeverisë filluan të bien, kjo është evidente, mënyra autoritare vetjake dhe kokëfortë e Kryeministrit Gruevski. Kjo do të rezultojë me një ribërje apo rikomponim të qeverisë”, ka thënë profesori Demiri. Nga ana tjetër, profesoresha Biljana Vankovska, me mendime ndryshe, vlerëson se nuk do të ketë ndonjë krizë të thellë në Maqedoni, pasi që dyja partitë të cilat janë në pushtet, VMRO-DPMNE dhe BDI, edhe më tej gëzojnë mbështetje më të madhe tek elektorati. ”Në rast se mbahen zgjedhje të parakohshme edhe në periudhën e ardhshme, fitues do të dalin VMRO dhe BDI, prandaj nuk shoh ndonjë përfitim nga zgjedhjet e parakohshme, sepse forcat do të jenë të ngjashme. Pra, VMRO do të fitojë te blloku politik maqedonas, ndërsa BDI-ja te ai shqiptar dhe atëherë ata do të jenë të obliguar që të bëjnë qeveri të përbashkët. Pra, të gjitha sondazhet flasin se në Maqedoni, në rast se mbahen zgjedhje të parakohshme, qeverinë do ta formojnë BDI-ja dhe VMRO-ja”, ka thënë profesoresha Vankovska. Sipas saj, partia maqedonase në opozitë, LSDM-ja, momentalisht nuk ka forcë të rrëzojë qeverinë e Nikolla Gruevskit “Përfundimisht, LSDM-ja nuk ka fuqi të bëjë diçka më tepër, pra nuk flas për atë se sa njerëz kjo parti arriti të grumbullojë. është e vërtetë se LSDM-ja nuk përfaqëson të gjithë opozitën, ku është këtu faktori politik shqiptar që të kyçet në protesta. Përderisa Cërvenkovski dhe partia e tij janë pakicë në Parlament, LSDM-ja nuk do të mund të shpallë zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Vankovska.
#