Çmimi i energjisë, zbardhet vendimi i ERE-sa
Niveli i ri i humbjeve, me të paktën 1.2 për qind më shumë nga sa ishte deklaruar para rritjes së çmimit të energjisë elektrike, i jep të drejtë OSSH-së të kërkojë kompensim. Vendimi i ERE-s, nr.46, i marrë më 14 qershor, vërteton situatën e re, të krijuar pas verifikimeve në terren të nivelit të humbjeve të energjisë, që OSSH e kishte kërkuar prej më shumë se një viti, por që ishin të vështira për t’u saktësuar. Tani që palët kanë një tregues më të qartë, vendimi për rritjen e çmimit të dritave për vitin që vjen nuk do të sjellë më konflikte si ky i sotmi, ku OSSH dhe ERE po përballen në gjykatë. ERE nuk specifikon mënyrën e kompensimit ndaj OSSH-së për diferencën 1.2 për qind, por garanton njohjen e saj. Sipas Deklaratës Rregullatore, pika 6, dy janë rrugët e kompensimit: tarifat e reja në përputhje me planin e të ardhurave ose rimbursimi nga fondet e buxhetit. Në dyja rastet, shqiptarët dalin të humbur ekonomikisht, si te tarifat e rritura për xhepat e tyre, ashtu dhe te buxheti i shtetit, i cili do të heqë dorë nga disa projekte investimesh. Në shkrimin e botuar nga “Shqip”, ku paralajmëronte rritjen e çmimit në 2011-n, ERE reagoi duke rrëzuar lajmin, por nga ana tjetër nuk jepte sqarime mbi të vërtetën e vendimit, e cila konfirmon të drejtën që i jepet OSSH për t’u kompensuar.
Vendimi i plotëBordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë, në mbledhjen e tij të datës 14.06.2010, pasi analizoi kërkesën e OSSH-së, të datës 27.04.2010 dhe rezultatet e monitorimit të kryer nga ERE në zonat e shpërndarjes dhe relacionin e Drejtorive Teknike të Entit që ka kryer këtë monitorim, del me konkluzionin se niveli i ri i humbjeve në rrjet është më i madh nga sa ishte deklaruar para privatizimit.
Auditi i Humbjeve i kryer nga ADL nuk arriti të verifikonte dhe të përcaktonte nivelin e humbjeve totale për vitin 2008 në sistemin e shpërndarjes për shkak të kohës së shkurtër për verifikime dhe pamjaftueshmërinë e dokumentacionit dhe të të dhënave.
Bordi i Komisionerëve, për qëllim të llogaritjes së tarifave të energjisë elektrike për vitin 2010, pranoi nivelin e deklaruar të humbjeve për vitin 2008, në masën e deklaruar nga OSSH (përpara privatizimit) në nivelin 32.74%, duke e lënë të hapur të drejtën për t’u shprehur në kuadër të të dhënave që do të rezultonin e verifikoheshin në vijim.
Nga monitorimi i kryer nga ERE lidhur me humbjet në shpërndarje, ka elementë të tillë si vetëkonsumi i OSSH-së, mbifaturimet e ndryshme, efektet e kufizimeve të furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve, të cilat ndikojnë në nivelin e humbjeve në shpërndarje dhe nuk janë marrë në konsideratë në shifrën e supozuar sipas Deklaratës Rregullatore (pika 4,5).
Deklarata Rregullatore, pika 4.5, paragrafi 7, përcakton se Niveli i Humbjeve Aktuale për vitin 2009 do të pranohet i barabartë me nivelin aktual të vitit 2008 dhe do të jetë plotësisht i transferueshëm në tarifat e DSO (OSSH) në përputhje me Mekanizmin e Kompensimit të përshkruar në pikën 6 dhe do të shërbejë si nivel fillestar për programin e uljes së humbjeve në periudhat e përcaktuara.
Duke marrë shkas nga elementët e mësipërm, ERE vendos që niveli i humbjeve të pranuara për OSSH-në për vitin 2008, për efekt të vendosjes së objektivave të humbjes për tre periudhat rregullatore (2010-2014) sipas Deklaratës Rregullatore dhe të llogaritjes së tarifës së shpërndarjes është 33.92 për qind. Efektet financiare të axhustimit të të ardhurave të kërkuara do të reflektohen në tarifat për shoqërinë e OSSH-së, duke përdorur mekanizimin e kompensimit siç përcaktohet në Deklaratën Rregullatore.