E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhdukja e Bleonës, djali misterioz, banor i fshatit përballë

Prokuroria zbulon identitetin e djalit që është ngjitur në mal ditën e zhdukjes së 6-vjeçares

Shuhen enigmat e djalit misterioz që është parë ditën e zhdukjes së Bleona Matës në malin që kullosnin bagëtitë vajzat e fshatit Zapod. I riu është një banor i zonës dhe ditën e ngjarjes është parë shumë pranë zonës ku qëndronin halla e Bleonës, si dhe fqinja e familjes Mata. Hetuesit e Krimeve të Rënda kanë verifikuar dhe krehur sërish zonën ku mendohet se është zhdukur Bleona, pasi kishte dyshime se në këtë zonë mund të gjenden gjurmë të vajzës 6-vjeçare, ndërsa hetuesit e çështjes janë përqendruar më së shumti tek identiteti i djalit misterioz që ishte parë ditën e zhdukjes. Në pyetje janë marrë sërish vajzat dhe banorë të zonës, ndërsa gjyshja e Bleonës, e cila hodhi dyshimet e para tek ky djalë, pasi e kishte parë të ngjitej drejt vajzave, ka dhënë përshkrimin e tij. Nga të dhënat e mbledhura është arritur të zbulohet identiteti, ndërsa vajzat kanë mohuar në mënyrë kategorike se kanë takuar këtë djalë ditën e ngjarjes. Ato kanë pohuar se kanë parë lëvizje në atë zonë, por nuk kanë njohur asnjë person, pasi nuk ishin banorët e zonës. Policia dhe më pas prokuroria përqendroi fillimisht hetimet tek ky djalë misterioz, ndërsa kishte dyshime se pikërisht vajzat fshihnin të vërtetën dhe mund të kishin ndonjë lidhje intime. Por pas verifikimeve, vajzat kanë mohuar në mënyrë kategorike ndonjë lidhje me këtë djalë, ndërsa edhe djali ka pohuar të njëjtën gjë, duke deklaruar se është ngjitur në mal për bagëtitë dhe nuk kishte dijeni nëse kishte vajza në mal. Djali është treguar shumë i ftohtë në deklarime, ndërsa ai ende është një nga personat e dyshuar për zhdukjen e Bleonës. Krahas djalit, prokuroria ka verifikuar edhe një mjet të dyshimtë që ka lëvizur ditën e zhdukjes, i cili mendohet se ka lëvizur drejt Kosovës. Megjithatë, kur kanë kaluar më shumë se pesë javë nga zhdukja e 6-vjeçares Bleona Mata, ngjarja vazhdon të mbetet mister për hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Dëshmitarë okularë, familjarë dhe banorë të zonës janë marrë në pyetje, por asnjëri prej tyre nuk ka treguar se çfarë ka ndodhur mbrëmjen e 21 majit në malet e fshatit Zapod të Kukësit. Ajo që aktualisht hetuesit kanë shpresa është gjetja e ndonjë gjurme si rroba, sandale, apo diçka tjetër në terrenin malor të fshatit Zapod. Kjo pasi, sipas tyre, zona nuk është krehur mirë nga banorët e zonës dhe policitë e dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës. Ky problem është kthyer në një pretekst për grupin hetimor, të cilët vazhdojnë të mendojnë se në pyllin e dendur që ndodhet mbi fshatin Zapod, duhet të ekzistojnë gjurmë të vogëlushes.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›