Dallavere për social
Një kosovar dhe një gjerman janë dënuar nga gjykata në Offenburg të Gjermanisë. Ata të dy kishin bërë një marrëveshje interesante. Gjermani, i cili punonte në entin social, ia kishte rregulluar kosovarit letrat për të marrë ndihmën sociale ndërkaq, si “shpërblim”, ky ia kishte dërguar atij çdo muaj nga 10 gramë kokainë.
Gjermani ia kishte bërë të mundur kosovarit që ndihmën ta marrë që nga viti 2006, si dhe ia paguante banesën dhe rrymën me paratë e entit social.
Sipas portalit të gazetës “Badische-Zeitung”, Gjykata e Lartë në Offenburg gjermanin 32 vjeçar e ka gjetur fajtor në 23 raste për ryshfet dhe keqpërdorim detyre dhe e ka dënuar me 18 muaj burgim me kusht e 2000 euro. Ndërkaq, kosovarit 35 vjeçar i është shqiptuar dënimi prej dy vitesh burgim, po ashtu me kusht, për trafikim droge dhe 200 orë punë sociale.