E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perspektivë për largim

Nga Express më 01 prill 2011 në ora 08:49

Në Kosovë po qëndron për një vizitë ministri gjerman i Mbrojtjes, Tomas de Maiziere. Ai vizitoi trupat gjermane të NATO-s dhe u takua me homologun kosovar, Agim Çeku.

Gjatë një vizite që u bëri trupave gjermane të KFOR it, Tomas de Maiziere tha se tërheqja e trupave të NATO-s nga Kosova do të bëhet gradualisht, konform vlerësimeve të situatës së sigurisë.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Tomas de Maiziere, tha se në Kosovë, 12 vjet pas përfundimit të luftës, është krijuar një perspektive pozitive, që mundëson tërheqjen e trupave të NATO-s nga Kosova. Tërheqja e trupave të NATO-s do të bëhet gradualisht konform vlerësimeve të situatës së sigurisë, tha ai. Këtë deklaratë, ministri gjerman e bëri gjatë një vizite të trupave gjermane të KFOR-it, të stacionuara në jug të Kosovës.

Tomas de Maiziere gjatë ditës së djeshme takoi me dyer të mbyllura kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, me të cilin është biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Ai thotë se ky dialog është i rëndësishëm për të dyja palët. "Është e rëndësishme që bisedimet Kosovë-Serbi kanë filluar.

E di që kjo është e vështirë për t’u kuptuar për popullatën e Kosovës, mirëpo nëse paraqiten probleme, atëherë duhet biseduar njëri me tjetrin. Komuniteti ndërkombëtar është duke i përcjellë me vëmendje këto biseda dhe është me rëndësi që këto biseda të zhvillohen në një mirëbesim të dyanshëm, sepse ndryshe nuk mund të arrihen në rezultate", tha ministri gjerman i mbrojtjes Tomas de Maiziere.

Gjermania ka në kuadër të KFOR-it numrin më të madh të ushtarëve, me gjithë reduktimin e trupave të KFOR it, të cilat aktualisht numërojnë vetëm pesë mijë sosh.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›