Dallimet mes Lojërave Olimpike Londrës 2012 dhe Pekinit 2008
Krahasimi
Për shumë adhurues veteranë të Lojërave Olimpike, përvoja e Londrës ka qenë shumë më e ndryshme sesa ajo e Lojërave të Pekinit në vitin 2008. Amerikani Geri Dejvis ka ndjekur zhvillimin e 9 Lojërave Olimpike dhe thotë se stadiumet e ndërtuara për këto lojëra në Londër nuk mund të krahasohen me arkitekturën e stadiumit kryesor, si dhe të qendrës së pishinave të ndërtuar për Lojërat Olimpike 2008 në Pekin. Por ai shton se Londra ka të tjera përparësi: Objektet në Pekin ishin të mahnitshme. Të pabesueshme…! Por edhe këtu janë të mira. Çdo gjë është e mirorganizuar. Është kënaqësi që flitet anglisht”. Jon Fogarty nga Los Anxhelosi thotë se deri më tani Lojërat e Londrës janë të kënaqshme. Por publiku ishte më i kënaqur në Pekin: “Nuk e di nëse kjo vinte ngaqë qyteti, ndonëse ishte i madh, ishte më i përmbledhur, ndërsa këtu është më i përhapur… më duket se kudo që të shkoje në Pekin kishte më shumë vëmendje për Lojërat Olimpike”. Natyrisht që për kinezët, Lojërat Olimpike të Pekinit ishin një mundësi për të treguar zhvillimin e vendit, ndërsa qeveria kineze mbajti një qëndrim të rreptë për aktivitetet politike, që mund të zhvilloheshin gjatë Olimpiadës. Në Londër, aktivistët politikë dhe protestues të tjerë janë të lirë. Për britanikët, Lojërat Olimpike janë thjesht një prej ngjarjeve ndërkombëtare sportive, që Londra zhvillon prej vitesh. Adhuruesi i Lojërave Olimpike, lituani Alius Bilunas, thotë se ai dhe miqtë e tij preferojnë më shumë argëtimin dhe sportet në Londër sesa madhështinë artificiale të Pekinit: “Kina donte të mburrej disi me lojërat. Dhe kjo e bëri të mos dukej aq mirë sa ishte në sytë e të tjerëve. Mendoj se Londra po tregon respekt të vërtetë për secilin”. Shumë nga adhuruesit me përvojë të Lojërave Olimpike preferojnë më shumë kohën e freskët e të lagësht të Londrës sesa vapën e nxehtë të Pekinit në verë.
Dallimet mes Lojërave Olimpike Londrës 2012 dhe Pekinit 2008 burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip