E Diel, 1 Nëntor 2026

Dallku: Bëjmë maksimumin me Maqedoninë

SHKRUAN: Jeton Selimi 15-11-2011 13:59

Mbrojtësi kosovar i kuqezinjve shpreson që në miqësoren e sotme të shohë një skuadër në nivel më të mirë sesa ndaj Azerbajxhanit

Ndaj Azerbajxhanit u aktivizua në qendër të mbrojtjes, pasi telashet në mesfushë e detyruan trajnerin Mustedanagiç që të spostonte Canën në rolin e tij natyral, duke i dhënë Dallkut detyra të tjera. Megjithatë, për Armendin, kosovarin që militon prej vitesh në radhët e Vorskla Poltavës në kampionatin ukrainas, nuk është se pati shumë punë. Dallku ende nuk e di se në çfarë roli do të luajë ndaj Maqedonisë, por premton që të bëjë maksimumin për të arritur një rezultat pozitiv dhe për të harruar disi atë paraqitje të dobët ndaj azerëve, ndonëse në fund të fundit ishte thjesht një ndeshje miqësore që kishte të tjera objektiva.

Armend, ndaj Maqedonisë do të luani sërish në qendër të mbrojtjes?

Ende nuk e di se në çfarë roli do të luaj, por kam përshtypjen se mbrojtja ndaj Azerbajxhanit u paraqit mirë dhe nuk pati shumë telashe, ndaj besoj se trajneri do të më caktojë sërish në qendër, pasi Loriku nevojitet më shumë në mesfushë.

Kundër Azerbajxhanit kombëtarja u shfaq shumë e pasigurt dhe e pamotivuar…

Nuk ishim të pamotivuar. Nuk u futëm përnjëherë në ndeshje pasi patëm dy pjesë me dy fytyra. Në të parën ishim pak të rrezikshëm, ndërsa në të dytën patëm disa raste për gol, goditëm dhe një shtyllë, por fati nuk deshi që të shënonim. Sidoqoftë, ishte vetëm ndeshja e parë pa disa lojtarë që në kombëtare kanë pasur një peshë të madhe.

Mos do të thotë kjo se derisa të ambientohen të rinjtë Shqipëria do të vijojë të ketë rezultate jo të mira?

Mendoj se ia vlen të sakrifikosh disa miqësore për të arritur aty ku duhet. Ne kemi disa lojtarë të rinj shumë të mirë. Duhet që ata të ingranohen ashtu siç duhet me pjesën tjetër të skuadrës dhe që ata ta arrijnë shpejt këtë, duhet që ne të vjetrit të punojmë më shumë.

Kundër Maqedonisë, çfarë Shqipërie do të shohim?

Një Shqipëri agresive dhe të etur për fitore. Duhet patjetër të bëjmë një lojë të mirë dhe ta shoqërojmë me rezultat të mirë qoftë për moralin e lojtarëve të rinj, qoftë edhe për moralin e tifozëve, të cilët duhet të na mbështesin shumë, pasi kemi nevojë për ata në këtë moment, pasi në kombëtaren tonë po ndryshojnë shumë gjëra.

Çfarë ndjetë kur vutë re se stadiumi kundër Azerbajxhanit ishte bosh?

U ndjeva keq. Që kur unë kam ardhur të luaj me kombëtaren kam ndjerë gjithmonë ngrohtësinë e tifozëve, edhe kur kam gabuar në episode të ndryshme. Shpresoj që të jetë ndeshja e fundit që të shoh një stadium të braktisur nga tifozët. Ne kemi nevojë për ata.

Ndeshja luhet sot në orën 13:00

Është një orar i pazakontë për ndeshjet e përfaqësueseve, por gjithçka i faturohet federatës maqedonase që e ka çuar ndeshjen në qytetin e Prilepit, një nga vatrat më anti-shqiptare në Maqedoni, ku kombëtarja kuqezi është mposhtur disa vjet më parë me shifrat 3-1. Arsyeja e këtij orari lidhet me stadiumin e Prilepit, “Goce Delcev”, që nuk plotëson asnjë kriter minimal për zhvillimin e një ndeshjeje ndërkombëtare, aq më tepër në rang përfaqësuesesh. Stadiumi i Prilepit është në qendër të kritikave nga mediat maqedonase, për shkak të problemeve që me terrenin e lojës, infrastrukturën në dhomat e zhveshjes e deri te siguria e tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›