Platini kundër Blaterit: Jo teknologjisë në futboll
Presidenti i UEFA-s deklaron se Fair-Play do të zbatohet dhe se Mesi do të thyejë rekordin e tij të tre “Topave të Artë”
Mishel Platini këmbëngul për ekzekutimin e “Fair Play” financiar. Në një ceremoni ku presidenti i UEFA mori çmimin ‘Il bello del Calcio’ në nder të Xhakinto Faketit, ai deklaroi se nuk duhet që klubet europiane të kenë humbje financiare të mëdha. “Aplikimi i Fair-Play financiar në këtë moment është shumë i rëndësishëm. Nuk e kuptoj si është e mundur që klubet të kenë një humbje prej 1.4 miliardë eurosh, në një kohë që ekonomia botërore po vuan. Ajo që duhet të bëjnë drejtuesit e tyre është që të mos shpenzojnë më shumë nga sa përfitojnë”, tha Platini. Ndërsa më pas, Platini i ka thënë “Jo teknologjisë në futboll, Po për arbitrat pranë portës”. Ky është mendimi i Presidentit të UEFA-s, për tezat që disa ditë më parë hodhi numri 1 i FIFA-s, Sep Blater për sa i përket vendosjes së kamerave apo çipave në vijën fatale për të treguar nëse topi kalon vijën apo jo, duke kundërshtuar kështu numrin një të futbollit botëror. Sipas Platinis, futbolli duhet të jetë sa më njerëzor. “Nuk e di nëse Blater do të lejojë të kalojë eksperimenti i arbitrave të portave. Ideja nuk i pëlqen pasi nuk është ide e tija. Jam kundër teknologjisë në sport. Futbolli duhet të mbetet një sport njerëzor dhe arbitrat nuk kanë pse të ndihmohen as nga telekamerat e as nga televizionet gjatë mbarëvajtjes së ndeshjeve", deklaroi numri 1 i futbollit europian, duke çelur kështu një farë “lufte” me zviceranin.
Tjetër argument që Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini preku, ishte edhe ai i “Topit të Artë”. Së shpejti Lionel Mesi mund të barazojë rekordin e tij të tre “Topave të Artë” të fituar, por ish-fenomeni i Juventusit nuk e dramatizon situatën. “Rekordet janë bërë për t’u thyer dhe i imi së shpejti do të kalohet. Unë kam ardhur te Juventus kur isha 27 vjeç, por po të vija 13 vjeç, si Mesi te Barcelona, ndoshta do të fitoja më shumë", deklaroi Platini. Më pas ish-juventini nuk harroi të hedhë edhe një batutë për kapitenin bardhezi Aleks Del Piero: " Do të ishte një mëkat nëse Aleks do të largohej në fund të sezonit", raporton Agjensia Italiane e Lajmeve "Ansa"