Zbardhet skema e kontrabandës së naftës në Porto Romano
Prokuroria: Përgjimet dhe ndjekja zbuluan sesi u kontrabanduan 52 mijë litra naftë në port. Gjykata lë në burg doganierët, shoferët dhe agjentët doganorë
Është zbardhur skema e kontrabandës së naftës në Durrës, që mendohet se ka sjellë një dëm prej 20 milionë lekësh të vjetra, ndërsa prokuroria njofton se vazhdon hetimet në lidhje me rastin. Gjykata e Durrësit caktoi dje masën e sigurisë me burg për 8 nga të akuzuarit e prokurorisë, mes të cilëve doganierë, shoferë dhe përfaqësues kompanish private, ndërsa 2 punonjës të doganës janë pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimit.
Prokuroria Gjyqësore e Rrethit Durrës njoftoi dje se, për çështjen në fjalë, hetohej prej rreth 7 muajsh. Ndërkohë që akuza ishte ngritur “në bazë të raporteve të vëzhgimit dhe bisedave telefonike nën përgjim, dhe përfshin aktivitetin e zyrës doganore të Porto-Romanos në Durrës, ku personat e ndaluar apo në ndjekje penale me detyra si doganierë, magazinierë, kontrollorë, punonjës të agjencisë doganore Ferries sh.p.k, dhe shoferë të transportit, kanë konsumuar veprat penale të “Kontrabandës me mallra që paguhet akcizë” dhe “Kontrabandë nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
Sipas prokurorisë, të ndaluarit kanë “favorizuar subjektin Europetrol Durrës Albania sh.a. në mosdoganimin e një sasie të konsiderueshme karburanti dhe kalimin e saj kontrabandë në treg”. Prokuroria dhe policia, falë vëzhgimit dhe ndjekjes, kanë dokumentuar sesi të akuzuarit në bashkëpunim kanë bërë të mundur kalimin e autoboteve të ngarkuar me sasi karburanti, të cilat e kishin tejkaluar sasinë e deklaruar nga subjekti pa kryer asnjë procedurë zhdoganimi apo njoftim në autoritetet doganore, të cilat janë lejuar të drejtohen në treg.
“Në bazë të ligjit për akcizat, lëndët djegëse u nënshtrohen ndër të tjera detyrimeve doganore të: akcizës dhe të TVSH, ndërkohë që, sipas procesverbalit të datë 03.11.2011, pas evadimit të një sasie të caktuar lënde djegëse të zhdoganuar, për llogari të subjektit Europetrol, është lejuar të evadohet sasia prej rreth 52 000 litra naftë e pazhdoganuar nëpërmjet dy autoboteve. Sipas fletës së përllogaritjeve, në rastin konkret janë shmangur detyrimet doganore të importit në shumën 2 625 588 lekë”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Nën hetim
Laurent Bega, magazinier, i dyshuar, arrest në burg
Klodian Cullai, punonjës i agjencisë doganore Ferries, arrest në burg
Afrim Meçe, shofer, arrest në burg
Pëllumb Malollari, shofer, arrest në burg
Kadri Rrapaj, doganier, arrest në burg me afat
Artur Mustafaj, doganier, arrest në burg me afat
Selman Doçi, doganier, shef turni, arrest në burg me afat
Ylli Troplini, doganier, arrest në burg me afat
Lavdi Rraklli, doganier, pezullim nga kryerja e funksionit apo shërbimit publik
Dashamir Kabaj, doganier, pezullim nga funksioni apo detyra shtetërore