E Diel, 1 Nëntor 2026

Dallku, gafat fatale që kanë dënuar Shqipërinë

TIRANE- Një karrierë e nisur me gafa dhe që ka vazhduar në mënyrë të tillë. Armend Dallku është një titullar i padiskutueshëm në kombëtaren shqiptare, por është fakt, se mbrojtësi kosovar, megjithë dëshirën që tregon në fushën e lojës, e ka ndëshkuar dhjetëra herë atë. Që në debutim, në ndeshjen e 26 marsit 2005 ndaj Turqisë, ai bëri dy gabime të rënda në 5 minutat e para, duke bërë që futbollistët turq të shënonin dy herë. Më pas, Dallku pati një ngritje të dukshme në lojën e tij, duke fituar vendin si titullar dhe duke treguar në pak se Brigel kishte të drejtë që besonte tek ai, sidomos sa i përket anës fizike. Por, dy-tre edicionet e fundit kanë qenë vërtet shkatërrues për mbrojtësin kosovar.

Në eliminatoret e Euro 2008, ai nuk mund tëndaonte dot Urbi Emanuelson në ndeshjen me Holandën. Lojtari aktual i Milanit, pasi një kalimi nga e majta, futi një top në zonë që u dërgua në rrjetë nga Van Nistelroi. Në eliminatoret e Botërorit 2010, Dallku ishte protagonist i disa momenteve deri diku qesharake. Ndaj Hungarisë në Tiranë, e konsideruar si ndeshja më e rëndësishme e edicionit, ai mund të kishte kontrolluar qetësisht një kros pa pretendime për Torgelen, por kërkoi të merrte një faull edhe pse sulmuesi mik ishte dy metra larg dhe nuk e preku. Aksioni u konsiderua i rregullt dhe Hungaria në fund fitoi 1-0. Ndërkohë, "epopeja" e çudive vazhdoi në Kopenhagen, në rastin e golit të dytë, ku për një ngatërresë mes tij e Hidit, Shqipëria nuk kishte më asnjë shans për të reaguar.

Në ndeshjen e fundit të edicionit, ndaj Suedisë (4-1), Dallku ishte një nga protagonistët më negativë. Njëri prej golave u shënua pasi ai nuk kishte mendjen në një top të kthyer nga Cana dhe vendasit përfituan, duke mposhtur Ujkanin. Këtë edicion Dallku e ka nisur mjaft mirë, por në ndeshjen e katërt, në Bjellorusi, doli me karton të kuq, duke lënë ekipin me probleme për ndeshjen pasardhëse në Tiranë, sërish ndaj bjellorusëve. Më tej, gabime pafund në ndeshje si ajo me Francën, ku një karton i kushtoi skualifikimin për sfidën e rëndësishme me Luksemburgun. Së fundmi, ndaj Azebajxhanit ai tregoi se ende nuk e ka kaluar "makthin" e gafave, duke qenë fajtori kryesor në pësimin e golit të disavantazhit.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›