E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, ekstremistët në qeveri, reagime në Gjermani e Francë

ATHINE - Pjesëmarrja e ultranacionalistëve të LA.OS në qeverinë e re te Papadhimos, shkaktoi reagime të menjëhershme.

Mediat gjermane kanë botuar tituj, që sulmojnë këtë fakt. 

Gazeta Bild shkruan: "Në qeverinë e Greqisë tashmë të marrin pjesë dhe anti-semitët e LAOS-it".

"Është hera e parë që nga rënia e juntës ushtarake në vitin 1974, që një parti e ekstremit të djathtë përfshihet në qeveri. Ministri i ri i infrastrukturës, Makis Voridis vjen nga organizata rinore e diktaturës ushtarake dhe bënte pjesë për shumë vjet në ekstremin e djathtë “Fronti Popullor” të Jean Mari le Pen, në Francë", thekson gazeta gjermane.

Artikulli përmend edhe Andonis Georgiadhis, i LAOS, duke shkruar se "shoku i Voridis, botues i pamfleteve anti-semite, tani merr postin e zëvendësministrit në ministrinë e Zhvillimit rajonal."

Gazeta i referohet deklaratës së kreut të kësaj partie Jorgos Karaxhaferis, gjatë themelimit të partisë në vitin 2000: "Ne jemi grekët e pastër. Ne nuk kemi të bëjmë me hebrenjtë, homoseksualët dhe komunistët".

Edhe kryetari i Këshillit Qendror të hebrenjve në Gjermani, Dieter Grauman, shpreh keqardhje për këtë fakt. 

"Është shumë keq që të marrin pjesë në kabinetin grek ministra të asaj partie. Unë mendoj se do të jetë e vështirë për çdo qeveri gjermane të negociojë me qeverinë greke," është shprehur ai. 

Të shokuar edhe socialistët francezë

Hyrja e LA.OS në koalicion e qeverisë greke ka shkaktuar tronditje edhe në Partinë Socialiste franceze.

"Hyrja e të djathtës ekstreme në koalicionin e ri të qeverisë greke për herë të parë që nga kthimi i demokracisë në Greqi në vitin 1974, shkaktoi një tronditje në Partinë Socialiste Franceze", thuhet në një deklaratë të saj.

Partia më e madhe opozitare e Francës thekson është e pamundur të përshëndesë këtë qeveri koalicioni, ashtu sic bëri presidenti francez, Nicolas Sarkozy.

“Jorgos Karaxhaferis, kreu i ultra të djathtëve të LA.OS, ish-kreu i një lëvizje rinore që mbështeti kolonelët, të cilët vendosën diktaturën në këtë vend, nuk mund t’i ndihmojë qytetarët greke të kapërcejnë krizën", thotë në një deklaratë Partia Socialiste. 

LAOS është parti e njohur për parullat e saj ksenofobe.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›