E Shtunë, 31 Tetor 2026

Daniel Godellit i soset durimi: Do largohem nga Shqipëria

Sos durimi për kampionin e dyfishtë, njëherësh rekordmen i Lojërave Mesdhetare në shkëputje, Daniel Godelli. I indinjuar nga shmangia e djeshme e mesditës, por jo e parë e autoriteteve shtetërore sipas tij, për shlyerjen e shpërblimeve prej 40 milionë lekësh, si rezultat i katër medaljeve të fituara nga 2011-ta, dje “Dragoi” Godelli konfirmoi publikisht largimin nga Shqipëria. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, kampioni i peshës 69 kg deklaroi se është i lodhur nga pritja e hershme, ndaj ka vendosur të mos garojë më për Shqipërinë. “Edhe pritja ka një kufi. Realisht jam lodhur dhe nuk do të toleroj më. Nuk kam për të marrë pjesë në asnjë garë kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe Kampionatin Botëror të Polonisë në tetor. Shteti më detyrohet plot 40 milionë lekë, premio e përfituar me vendim të Këshillit të Ministrave. Dhe këtu përfshihen shpërblimi për medaljen e fituar në Rusi (10 mln), në Europianin e Shqipërisë (10 mln) dhe dy medaljet e arta të fundit të Lojërave Mesdhetare ‘Mersin 2013′ (20 mln). Sot e kësaj dite, askush nuk më jep përgjigje se kur do t’i tërheq. Edhe tani që flasim, nuk kam shumë që kam ardhur nga Ministria e Sporteve dhe më përcollën me argumentin që ne e kemi plotësuar dokumentacionin, tashmë i takon Ministrisë së Financave për çeljen e fondit. Nuk më duhet mua se kush është përgjegjësi, unë kërkoj as më pak e as më shumë atë që më takon. Nuk do të lejoj më askënd të tallet me djersën time, boll kam duruar justifikimet e tyre. Unë e dua flamurin, por jam i detyruar me këto që po bëjnë të iki nga Shqipëria. Ofertat janë lojë. Pa dashur t’i zbardhë jo një, por tri shtete më kanë kontaktuar për të garuar për shtetin e tyre. Madje, biseda e parë ka qenë fill pas kampionatit europian të zhvilluar në Tiranë. Tani e tutje do t’i marr në konsideratë”, deklaroi medalisti i shumëfishtë. Mes të tjerash, Godelli shprehu keqardhjen edhe për indiferencën që ka shfaqur deri tani Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. “Si të mos mjaftojnë këto, unë nuk kam përfituar asnjë bursë olimpike pavarësisht rezultateve të arritura prej meje, që të gjithë i dimë se cilat janë. Me bilancin aktual, shkëputjen e Mesdheut dhe shtytjen e Europianit në Tiranë, unë jam i treti në Botërorin e ardhshëm”.

Bilanci
Nga 10 medalje të fituara në total nga Shqipëria, në edicionin e 17-të të Lojërave Mesdhetare “Mersin 2013″, vetëm 8 prej tyre mbajtën firmën e peshëngritjes. Nga këto, dy medalje ari u fituan nga Daniel Godelli në peshën 69 kg, përkatësisht 151 kg në shkëputje (rekord mesdhetar) dhe 174 në shtytje. Edhe në klasifikimin në dygarësh, shqiptari Godelli zuri vendin e parë me 325 kg të ngritura, por në Lojërat Mesdhetare nuk vlerësohet. 
(e.m/panoramasport/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›