E Shtunë, 31 Tetor 2026

Danimarka

Gazeta Shqip

Një vend i vogël nuk mund të mbijetojë me konflikte ideologjike

Territori i vogël i Danimarkës bëri që ajo të jetë më e përmbledhur dhe drejtuesit e saj të mendonin se cilat janë tashmë resurset që mund të çojnë në një begati të vendit. Dhe dolën në përfundimin se ata nuk mund të mbijetonin me konflikte ideologjike, por vetëm me një bashkëveprim dhe unitet për të mirën e përgjithshme dhe mbi të gjitha me konsensus dhe paqe

Vijon nga numri i mëparshëm

Në të djathtë  të hyrjes së portit të Kopenhagës qëndron edhe simboli i parë i dukshëm, i suksesit të demokracisë daneze, që e quajnë edhe demokracia e erës. Vetëm 3 kilometra nga bregu  përballë një plazhi të vogël të përdorur shpesh nga banorët e kryeqytetit, gjenden 20 turbina të rrumbullakëta që ngjajnë si perla të vendosura me kujdes dhe njëra pas tjetrës në një varëse. Ndodhen pikërisht në ngushticën që ndan Danimarkën me Suedinë. Kjo është një fermë ere, ndër më të mëdhatë dhe më të suksesshmet. Kur kjo fermë u krijua në vitin 1997 në stafin e punës ishin vetëm shtatë vetë, ndërsa sot aty punojnë 8642 vetë. Pronari i gjysmës së saj është dhe ideatori i kësaj vepre dhe ka gjysmën e aksioneve aktualisht. Ai është një burrë rreth të 50-tave me mënyra të qeta komunikimi dhe ka një mentalitet të qartë për një industri të pastër dhe sa më ekologjike. Ky njeri është një nga individët që e bënë të suksesshëm këtë biznes në Danimarkë. Dhe ky njeri dhe shumë të tjerë kanë lënë që të punojnë dhe të ndihmuar nga shteti dhe kjo është një nga mënyrat që ndikon në mbarëvajtjen e punëve në këtë vend. Pra vazhdimësia në një detyrë. Në vende të tjera ikën një pushtet dhe tjetri që e zëvendëson sjell me vete një kastë të tërë drejtuesish të rinj, mbështet biznesmenë të caktuar dhe të mëparshmit e ndiejnë veten befas në një terren shumë të vështirë dhe të pamundur ndonjëherë për të çuar në fund apo vazhduar projektet e tyre. Ndërsa në Danimarkë ka vazhdimësi dhe një qartësi nga klasa drejtuese për mbarësinë e kësaj vazhdimësie. Kjo është një garanci e suksesit në Danimarkë. Filozofi i madh danez, Soren Kierkegaard, ka rekomanduar se të menduarit politik dhe veprimi duhet që të bazohen edhe në respektimin e një realiteti të caktuar.

 

Një lëvizje e popullit

Për një kohë të gjatë, parku i erës jashtë Kopenhagës ishte më i madhi në botë. Pronari i gjysmës së tij dhe kolegët e tij  këmbëngulën shumë për këtë projekt dhe treguan rrugën se si të bënin edhe para të madhe me të. Për këtë fillimisht mblodhën 24 milionë dollarë që duheshin për të nisur punën. Për këtë iu deshën 1 vit dhe optimizmi i aksionerëve ishte i lartë, por edhe i garantuar në një farë mënyre nga profesionalizmi i inxhinierëve dhe provat që kishin dhënë në të shkuarën se dinin se si ti vinin gjërat në funksionim. Si bazë për ndërtimin e kësaj vepre nuk kishte ligje apo rregulla ende. Gjithçka nisi nga zeroja dhe rrugës u përcaktuan edhe parametrat edhe ligjet dhe rregullat e reja.

Disa peshkatarë protestuan për ngritjen e impiantit në vendet ku ata zinin peshk, por edhe ata me kalimin e kohës u qetësuan. Dhe sigurisht pati shqetësime edhe nga dashamirësit e natyrës sipas të cilëve kjo ndërtesë dhe ky aktivitet do të krijonte probleme për zogjtë që fluturonin në atë zonë. Këto kundërshtime janë të kuptueshme, por veç këtyre ky projekt u përkrah në masë të gjerë nga njerëzit dhe mund të thuhet se ishte gati-gati një lëvizje popullore.

Pavarësisht të gjitha paragjykimeve, më pas u arrit që këto parqe ere të ngriheshin edhe në zona të tjera dhe pronarët e tokave e panë veten shumë të fituar me kalimin e kohës dhe pak nga pak edhe ekologjistët reshtën së ankuari kur panë se efektet nuk ishin edhe aq negative nga sa mendonin. Një nga veçantitë e këtij investimi ishte se ndërsa në vende të tjera projekte të tilla të mëdha investohen nga banka të mëdha dhe institucione të mëdha financiare ndërkombëtare, në këtë rast u mendua që investimin mund ta bënin vetë danezet pak e nga pak. Kështu, projektuesit ia dolën që të merrnin si aksionerë rreth 20% të punimeve njerëz të thjeshtë, që sigurisht ishin biznesmenë të vegjël. Një pjesë tjetër u bë nga fondet e pensioneve dhe kishte shumë të moshuar që ishin dakord për një gjë të tillë dhe madje thoshin se ishte gjë e bukur që pensionet e tyre të investuara në këtë sipërmarrje të mbarë tashmë do të ishin më të larta. Dhe tashmë këto ferma dhe parqe ere janë shndërruar edhe në një nga pikat më të rëndësishme të vizitave të delegacioneve të huaja që vijnë në Danimarkë. Nuk ka ditë që sidomos ajo që ndodhet në kryeqytet të mos vizitohet nga njerëz të rëndësishëm të cilëve u tregohet ky model i suksesshëm i një vendi me një demokraci dhe qeverisje të suksesshme. E si për ta theksuar edhe njëherë, në bazë të këtij suksesi është pa dyshim qëndrueshmëria e qeverisë ndaj projekteve dhe biznesitvendasqë investon dhe derdh djersë e para. Kjo duket edhe nga konsensusi që arrihet në Parlament në rastin e çuarjes përpara të projekteve madhore e me rëndësi për mirëqenien dhe ardhmërinë e vendit, një konsensus që është i rrallë për vende të tjera. Dhe ajo që dikujt mund ti duket si një uniformitet, apo mungesë pasionesh ideologjike në fakt ka avantazhe shumë të mëdha dhe kjo është e dukshme për një vend si Danimarka.

Në fakt, dëshira dhe vullneti gjithmonë i madh i skandinavëve për të arritur kudo dhe për gjithçka konsensus në vend që të tentojnë për konflikte dhe kontradikta, është diçka që njihet botërisht. A mos vallë kjo i ka rrënjët te protestantizmi që u bazua në kryerjen e reformave dhe jo në revolucione të mirëfillta për të ndryshuar situatën? Ka një sërë faktorësh që ndikojnë në këtë mënyrë të të parit të situatës dhe të të zgjidhurit të problemeve. Në fakt, që në faza të hershme priftërinjtë protestantë personalisht dolën për tu mësuar njerëzve shkrim dhe këndim dhe përmes tyre mësuan edhe katekizmin që në moshë të hershme dhe në masë. Duket se kjo krijoi një maturi te masat e gjera që është e pakrahasueshme në Europë. Këtë e përmend edhe Fukujama në librin e tij në të cilin i bën një studim filozofik psikologjik Danimarkës, por edhe vendeve të tjera skandinave që kanë të njëjtën mendësi gjykimi të situatave. Por ndërkohë sigurisht që ka pasur edhe arsye pragmatiste për një mendësi të tillë që tenton drejt kompromisit dhe jo drejt konfliktit. Por gjithsesi konsensusi mund të jetë edhe një mësim i mësuar nga humbja dhe plagët e shkaktuara nga luftërat e shumta në të cilat u përfshi Danimarka në një pjesë të historisë së saj. Mbi të gjitha mbahet mend mirë Lufta e Dytë e Schleswing në vitin 1864 që çoi edhe në humbjen e territoreve jugore të vendit në favor të Gjermanisë. Territori i vogël i Danimarkës bëri që ajo të jetë më e përmbledhur dhe drejtuesit e saj të mendonin se cilat janë tashmë resurset që mund të çojnë në një begatim të vendit. Dhe ata dolën në përfundimin se ata nuk mund të mbijetonin me konflikte ideologjike, por vetëm me një bashkëveprim dhe unitet për të mirën e përgjithshme dhe mbi të gjitha me konsensus dhe paqe. Sistemi danez i konsensusit bazohet në besimin që kanë qytetarët e këtij vendi te shteti dhe politika. Në fakt, ky besim është më i madh në Danimarkë se në të gjitha vendet e tjera të demokracive perëndimore dhe punonjësit civilë e dinë mirë këtë gjë dhe punojnë me përkushtim pavarësisht kush është në pushtet, sepse ata janë të mbrojtur dhe të përkrahur.

Ndërsa për sa i takon transparencës ajo është e dyanshme në Danimarkë: e qytetarëve dhe e gazetarëve të cilët lejohen që të shohin funksionimin e brendshëm të shtetit dhe administratës shtetërore. Në këmbim, qytetarët i lejojnë shtetit një futje më të thellë në çështjet priv

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›