E Shtunë, 31 Tetor 2026

Danimarkë - Suedi, ndizen gjakrat



Derbi i shumëpritur skandinav, Danimarkë-Suedi, në “Parken Stadium” mund të përcaktojë edhe të ardhmen e njërit prej dy ekipeve në finalet e Kampionatit Botëror 2010. Dy rivalet e përjetshme do të takohen pas dy vjetësh sërish në këtë stadium, qysh kur një nga tifozët danezë çau rrethin për të goditur gjyqtarin e ndeshjes, pasi më parë ai kishte larguar me karton të kuq mesfushorin Kristian Pulsen. Danimarka e humbi ndeshjen në tavolinë dhe dështoi të kualifikohej në Kampionatin Europian.
Në fakt, atmosfera gjatë javës ka qenë e nxehtë midis shtypit të dy vendeve skandinave, kjo edhe për shkak të deklarimeve provokuese të superyllit suedez Zlatan Ibrahimoviç në lidhje me ekipin suedez. Ibrahimoviçi, i cili luan në Spanjë me Barcelonën dhe fiton më shumë se e gjithë skuadra daneze, kritikoi Danimarkën se ajo aplikon sistemin 4-3-3 pasi nuk ka lojtarë cilësorë. “Danimarka luan një sistem loje siç e aplikon Ajaksi dhe Barcelona, por unë mendoj se ata nuk kanë lojtarët për këtë gjë. Duhen 11 lojtarë teknikë dhe kërkon që ju të luani shpejt”, - provokoi Ibra danezët. Por, deklarimeve agresive të Ibrës, iu kundërpërgjigj mbrojtësi Simon Kjaer, i cili pohoi se u argëtua jo pak nga komentet e suedezit. “Është shumë argëtuese të dëgjosh gjërat që ai tha. Ne jemi liderit e grupit dhe kështu, besoj se diçka funksionon te ne. Lë t’i përfundojmë gjërat të shtunën”, - tha Kjaer. Danimarka nuk humbet një ndeshje kualifikuese botërori në shtëpi qysh nga viti 1981. Dhe nëse kjo statistikë do të merrej si shembull, atëherë do të jetë Danimarka që do të kualifikohet për në Botërorin e Afrikës së Jugut. Përpara kësaj ndeshjeje, Danimarka ka 18 pikë dhe Suedia, 15. Danimarka mund të kualifikohet edhe me dy barazime në dy ndeshjet e fundit, kundër Suedisë të shtunën dhe Hungarisë, më 14 tetor. Gjithsesi, nëse Danimarka humbet me Suedinë, ndoshta edhe duke mundur Hungarinë, mund të mos jetë e mjaftueshme për t’u kualifikuar.

El. Kupa e Botës
Grupi 1

20:00 Danimarkë-Suedi
21:45 Portugali-Hungari

1. Danimarka 18
2. Suedia 15
3. Portugalia 13
4. Hungaria 13
5. Shqipëria 7
6. Malta 1

Miqësorja
Fyrth: Shqiptarët synojnë rezultat pozitiv

Shqipëria do të luajë sot miqësoren kundër Grojther Furth, Bundesliga, përpara se të mërkurën e ardhshme kuqezinjtë e Kuzhes të përballen në ndeshjen zyrtare kundër Suedisë. Të enjten, përfaqësuesja jonë fitoi 2-0 në testin e kontrollit kundër skuadrës amatore, FC Hasloh, me nga një gol të realizuar nga Klodian Duro dhe Besart Berisha. “Shqiptarët nuk kanë më asnjë shans për tu kualifikuar në Botëror, por përpara ndeshjes kualifikuese në Suedi, lojtarët dëshirojnë të bëjnë një paraqitje të mirë dhe të marrin një rezultat pozitiv”, - citohet trajneri i Grojther Fyrth, Beno Mëhloman, nga faqja zyrtare e atij klubi. Trajneri i kundërshtarëve tanë dëshiron të testojë disa lojtarë ndaj nesh, madje edhe nga skuadra e tyre U-19.

Trajneri
Lienen: “Na duhen kompetentë si Skela”

Trajneri i skuadrës gjermane të Bundesligës 2, TSV 1860 Mynqen, Evald Lienen, vazhdon të tregojë një interesim të fortë ndaj Ervin Skelës, për momentin pa skuadër. Kualitetet e shqiptaret njihen mirë nga tekniku i “luanëve” bavarezë, madje sipas asaj që shkruan faqja gjermane Spox.de, janë të domosdoshme për ekipin. “Ne kemi nevojë për lojtarë kompetentë në mesfushë”, - citohet Lienen. Duke pasur Skelën në majën e listës së tij të dëshirave, trajneri Lienen do të jetë i ftuari “VIP” në ndeshjen miqësore midis Kombëtares së Shqipërisë dhe Grojther Furth, takim i programuar për sot (ora 14:00). Për Skelën, 1860 Mynqen do të ishte ekipi i tij i nëntë në Gjermani.

10 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›