FIFA, e shqetësuar për yjet e mëdhenj
Me 75 ndeshjet kualifikuese që do të luhen të shtunën e të mërkurën e ardhshme, Botërori 2010 do të njohë shumë prej emrave të finalistëve të Afrikës së Jugut. Qeveria e futbollit botëror, FIFA, është jo pak e shqetësuar për disa nga ekipet më të mëdha dhe që kanë një marketing të jashtëzakonshëm ndërkombëtar si Argjentina, Franca, Gjermania apo Portugalia, të cilat janë në buzë të dështimit për të pasur një vend në finale. Një turne pa Lionel Mesin, Mikael Balak, Frenk Riberi apo Kristiano Ronaldo, është gjëja më pak e dëshirueshme nga FIFA dhe sponsorët e saj të fuqishëm. Në Europë, situata duket shumë e komplikuar dhe FIFA me zgjuarsi futi sistemin e koeficientit të skuadrave që do të përfundojnë në vendin e dytë në grupet e tyre. Kjo do të thotë, se nëse Gjermania apo Rusia, për shembull, nuk do të përballet me Francën në plejofet e muajit nëntor, por me ekipe si Sllovenia, Letonia, Norvegjia apo dhe Kroacia, që kanë koeficient më të ulët. Sistemi i koeficienteve nuk ishte i shkruarat në rregullat në fillim të kualifikueseve, por tani merr një rol të qartë proteksionist. Biznesi në futboll është shumë i rëndësishëm, paraja vendos. Duhen shmangur në një farë mënyre dramat. A do të përfundojë me një fund të lumtur aventura e Argjentinës kundër Perusë në Buenos Aires dhe të mërkurën kundër armikut të vjetër, Uruguait, në Montivideo? Duket se kjo “enigmë” e madhe, nuk shqetëson vetëm trajnerin e Argjentinës, Diego Armando Maradona, por dhe vetë botën e futbollit e FIFA-n. Nga rezultati midis Danimarkës e Suedisë mund të varet edhe fati i Zlatan Ibrahimoviçit, njërit prej lojtarëve më të paguar në botë, por edhe Kristiano Ronaldos me Portugalinë. Në Beograd, Serbisë i mjafton të mundës Rumaninë, për të mbetur në vendin e parë e të kualifikohet direkt, pavarësisht se çfarë mund të bëjë Franca, aktualisht në vendin e dytë, kundër modestëve nga Ishujt Faroe. Rusia nuk ka humbur asnjë ndeshje në Moskë për tre arsye në stadiumin “Luzhniki”: “Së pari, - thotë ish-trajneri i Rusisë, Juri Semin, - ka një atmosferë të jashtëzakonshme, me 84 mijë tifozë. Së dyti, fusha me bar artificial. Së treti, Rusia e qarkullon topin më bukur dhe më efektiv sesa Gjermania”.
Në prag të ndeshjes shumë të rëndësishme me Rusinë, e ku varen edhe shanset e Gjermanisë për një vend në Botërorin e Afrikës së Jugut, mediat gjermane kujtojnë rastet kur skuadra e tyre ka qenë seriozisht në prag të dështimit.
NDESHJET NË EUROPË
Grupi 2
17:45 Luksemburg-Zvicër
20:00 Izrael-Moldavi
20:30 Greqi-Letoni
Grupi 3
20:30 Çeki-Poloni
20:30 Sllovaki-Slloveni
Grupi 4
16:00 Finlandë-Uells
17:00 Rusi- Gjermani
20:00 Lihtenshtejn-Azerbajxhan
Grupi 5
18:00 Armeni-Spanjë
18:00 Estoni-Bosnjë H.
20:45 Belgjikë-Turqi
Grupi 6
17:00 Bjellorusi-Kazakistan
18:15 Ukrainë-Angli
Grupi 7
20:30 Austri-Lituani
20:30 Serbi-Rumani
21:00 Francë-Ishujt Faroe
Grupi 8
19:00 Qipro-Bullgari
19:00 Mali i Zi-Gjeorgji
21:00 Irlandë-Itali
10 Tetor 2009