E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dardani -RTK-së: S’e transmetuat deklaratën time

Sekretari organizativ i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Dardan Molliqaj, është sqaruar të premten në lidhje me një reagim të Asociacionit të Gazetarëve Profesionist të Kosovës dhe RTK-së ditën e enjte.

RTK ishte ankuar në AGPK se Molliqaj kishte ushtruar presion ndaj mediumit në fjalë. Por, Molliqaj thotë se nuk e di “se për çfarë ‘presioni’ timin po flet RTK-ja”.

“Shpresoj që të përshkruhet e shpjegohet se cila është përmbajtja konkrete e akuzës së RTK-së ndaj meje. Nëse bëhet fjalë për një prononcim timin të datës 28 tetor që nuk u transmetua, po e jap sqarimin në vijim. Atë ditë, pra të dielën, më 28 tetor 2012, RTK-ja kërkoi deklarim nga unë mbi dallimet konceptuale dhe ato në qëndrimet politike nga e kaluara e Jakup Krasniqit me Lëvizjen VETËVENDOSJE!”, ka thënë ai.

Gjatë kësaj kohe Molliqaj ishte jashtë vendit (ku edhe vazhdon të jetë) dhe për pyetjen në fjalë i është përgjigjur atyre me shkrim ku edhe i ka kërkuar që deklarata e tij të transmetohet e plotë. RTK-ja, sipas Molliqajt nuk e transmetoi fare atë.

“Pra, nëse e kanë pasur fjalën për këtë rast, atëherë është e qartë që s’bëhet fjalë për presion timin mbi RTK-në por për censurë të RTK-së ndaj meje. Në atë deklaratë unë e dhashë qëndrimin tim mbi këtë çështje dhe të njëjtën e keni më poshtë:

“Sa më shumë që qeveria Thaçi e egërson privatizimin në Kosovë dhe e zbret pazarin me Serbinë, aq më shumë shtohen zërat kundërshtues brenda PDK-së. Jakup Krasniqi, Hydajet Hyseni, Fatmir Limaj, Flora Brovina, nganjëherë Nait Hasani etj. kohëve të fundit po e artikulojnë zërin e ndërgjegjes brenda PDK-së. Sigurisht që këta kanë dallime jo të vogla me VETËVENDOSJE!-n, me konceptin e programin tonë, me aktivitetet dhe metodat tona. Mirëpo, këto dallime aktualisht janë të dorës së dytë krahasuar me refuzimin që po ja bëjnë kryeministrit Thaçi, i cili servilitetit të tij ndaj ndërkombëtarëve ia ka shtuar nënshtrimin e tij ndaj Daçiqit. Përjashtimi nga udhëheqja e PDK-së i ish të burgosurve politikë dhe i atyre që e kanë për zemër bashkimin kombëtar në njërën anë, dhe hyrja e marrja e PDK-së nga kreu i ShIK-ut, Kadri Veseli, në anën tjetër, janë dy anë të së njëjtës medale të fitores që duan ta shpallin pas zgjedhjeve të brendshme të PDK-së të paralajmëruara për këtë fundvit. E kuptoj që mediet e regjimit janë të interesuara që ta dramatizojnë dallimin e Jakup Krasniqit me VETËVENDOSJE!-n, në vend se ta trajtojnë shkombëtarizimin dhe shpronësimin e Kosovës që po e udhëheq kryeministri Thaçi e të cilin po e kundërshton kryeparlamentari Krasniqi”, thuhet në fund të deklaratës së Molliqajt.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›