E Shtunë, 31 Tetor 2026

Darka e Pierre Mirel, KE: Asnjë deklaratë kundër interesave të Shqipërisë

TIRANE- Debatet dhe akuzat për cështjen e vizave mes maxhorancës dhe opozitës kanë detyruar Komisionin Europian të reagojë duke sqaruar një darkë të mbajtur në 24 nëntor në Tiranë për nder të zyrtarit të lartë të KE Pierr Mirel. Menjëherë pas largimit të drejtorit për vendet e Ballkanit Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit të Komisionit Evropian nga Tirana përfaqësues të maxhorancës përfshirë dhe kryeministrin Berisha kishin deklaruar se në këtë darkë përfaqësues të PS kishin kërkuar nga zyrtari europian që të mos kryehej liberalizimi i vizave dhe të pengohej procesi. Maxhoranca akuzonte se një prej këtyre deputetëve ishte dhe socialisti Ditmir Bushati.

Pas këtyre akuzave dhe debateve ka ardhur sot reagimi i KE nëpërmjet zyrës së shtypit në Tiranë. Në njoftimin për mediat thuhet se, për të shmangur çdo paqartësi, Komisioni Evropian deklaron se më 24 nëntor në rezidencën e Shefit të Delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë u mbajt një darkë për t’i krijuar zotit Mirel mundësinë të takohet me politikanë nga Partia Demokratike, Partia Socialiste dhe parti të tjera. Njoftimi shton se deputeti socialist Ditmir Bushati nuk ka marrë pjesë në këtë darkë. Asnjë nga pjesëmarrësit nuk ka thënë asgjë që mund të interpretohet se mund të jetë kundër interesit të Shqipërisë për të arritur sa më parë heqjen e vizave me Bashkimin Evropian apo që mund të jetë në kundërshtim me qëllimin e saj për integrim evropian; përfundon reagimi për mediat zyra e KE në Tiranë. Ndërkaq akuzat e maxhorancës për viziat janë hedhur poshtë nga deputetët socialistë ndërsa sot ka ardhur dhe sqarimi i zyrës së KE në lidhje me këtë ngjarje.
(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›