Darka e kujtesës

Regjisori Fatos Haxhiraj tregon rreth dramatizimit të veprës "Darka e gabuar", përse e zgjodhi, çfarë i thotë ajo teatrit sot, linjës që ndjek, si dhe përvojat me filmin në Romë
Dje në Teatrin Kombëtar, regjisori Fatos Haxhiraj prezantoi për median punën e bërë për dramatizimin e veprës së Ismail Kadaresë "Darka e gabuar", botim i 2009-ës. Drama u përzgjodh nga Bordi Artistik i Teatrit Kombëtar mes 15 dramave shqipe në konkursin e këtij viti dhe u vlerësua për "origjinalitetin, trillerin, gjuhën e përzgjedhur".
E para vepër kombëtare e këtij sezoni mendohet të shfaqet në muajin maj, në jubileun e 65-të të themelimit të Teatrit Kombëtar.
Haxhiraj ka pak ditë që ka filluar punën me aktorët: Ndriçim Xhepa, Artan Imami, Bujar Asqeriu, Naun Shundi, Pirro Malaveci, Marjana Kondi, Erjona Kakeli, Dritan Boriçi, Saimir Sina. Shumica prej tyre të pranishëm në takimin e djeshëm.
Po për ç'arsye Fatos Haxhiraj zgjodhi veprën e Kadaresë për ta shfaqur në skenën, prej së cilës është larguar para 20 vitesh? "Për idetë, për personazhet, dramatikë, komikë, dhe teatralë". Këto e e kanë thirrur regjisorin në leximin e parë të veprës.
Ka besim tek aktorët e zgjedhur për të interpretuar tek "Darka e gabuar", "skuadrën", siç ka dëshirë ta quajë ai, për të shmangur fjalën "kastë" të gjuhës moderne.
"Besoj që kemi zgjedhur një skuadër të mirë dhe do t'ia dalim", u shpreh Haxhiraj qysh në fillim të takimit. Ai foli edhe për linjat e gërshetuara në vepër, fatin tragjik, komik, ironik e shpesh absurd të personazheve.
Në skenën shqiptare, ata do të ndërrojnë lëkurë, kjo për "bukurinë e spektaklit, por edhe për mangësinë e aktorëve", pohon Haxhiraj dhe e ka fjalën për numrin e madh të aktorëve që kërkon "Darka e gabuar"
Regjisori është për një lojë të barabartë të aktorëve e personazheve, të ndihen të gjithë të ftuar, të jenë të gjithë protagonistë.
Historia zë fill me një darkë, që Gurametoja, doktorit më i njohur në Gjirokastrën e 40-ës, shtron për oficerët gjerman në shtëpinë e tij. Një darkë që përcakton jetën e mëtejme të personazhit. Reth historisë së trajtuar në vepër foli edhe aktori Artan Imami, që në shfaqje ka rolin e hetuesit.
"Një ndër veprat më të spikatuara, ideologjike dhe historike, që i bën autopsi diktaturës komuniste. Është vepra ku janë ta martuara ngjarje historike të vërteta, me groteskun, makabritetin, kriminalitetin, e fillimit të një epoke, ku armiq kryesorë ishin intelektualët. Kjo do të jetë një vepër që do të na tregojë ne si popull. Ne do të shohim veten tonë në pasqyrë", pohoi aktori që prej dhjetë vjetësh mungon në skenën shqiptare.
E ka kthyer dëshira për të punuar sërish me regjisorin Fatos Haxhiraj, që ka vëzhguar rolet e tij të para. "Për mua do të jetë e lehtë dhe shumë emocionuese të rikthehem pas 10 vitesh", pohon Imami duke i besuar vlerave të dramës, përvojës së regjisorit dhe partnerëve. Për të gjitha rolet e tyre ndjen "xhelozi".
Aktori Ndriçim Xhepa, që tek "Darka..." i ka rënë për pjesë një rol negativ, nazisti, kthehet pas, në vitin '82, në fillimet e tij në teatër, kohë kur ka punuar me Fatos Haxhirajn për disa projekte teatore.
Këto kujtime, përshtypjet, mbresat, e punës me regjisorin jetojnë ende tek Xhepa, një motiv i fortë për t'i thënë "po" edhe kësaj here. "Ka qenë një regjisor i shumë veprave, në harkun e viteve '70-'90 dhe e ka të drejtën e plotë të një premiere në teatrin tonë", pohoi ai.
Kadare me romanin "Darka e gabuar" sa i vjen në ndihmë regjisorit, me përcaktimin e qartë të figurave të romanit, platformën precize të personazheve, aq edhe i nxjerr vështirësi regjisorit për ndjekjen e një linje.
Haxhiraj na thotë se linja kryesore që ai ndjek në dramë është historia e Gurametos, me peripecitë dhe fundin e dhimbshëm të tij. Historia e Gurametos, si edhe i shumë të tjerëve të vulosur nga regjimi komunist, është aktuale për regjisorin, dhe ka ç'ti thotë spekatorit shqiptar. Fatos Haxhiraj e sheh shfaqjen e kësaj drame si një kujtesë, nderim për të kaluarën, dhe njohjen e të rinjve me këtë të kaluar.
Në fund të bisedës së djeshme në Teatrin Kombëtar, pyetjet për regjisorin ishin më të më të drejtpërdrejta, larg skematizmit të zakonshëm në takimet e këtij lloji. I pyetur për nivelin e teatrit të sotëm, Haxhiraj nuk u ndal gjatë, por pohoi se "Pa diskutim që teatri ecën përpara".
Kurse lidhur me opinionin se veprat e Kadaresë nuk premtojnë shumë, rezultat i përvojës së deri tanishme, ai tha: "Duhet menduar se kur janë vënë. Veprat e tij kërkojnë maksimumin e aftësive regjisoriale".
Është hera e parë që regjisori Fatos Haxhiraj vjen në skenën e Teatrit Kombëtar pas 20 vitesh. Këtë periudhë ka jetuar dhe punuar në Romë. Një kohë e mbushur me eksperienca të reja, një stazh në "Teatro dell' orologio" të Romës, role në filmat serialë "La squadra" të transmetuar në televizionit italian Rai Tre, "Diritto di Difesa" në Rai Due dhe një rol kryesor tek "Da qualche parte in Cittá" (1994), me regji të Michele Sordillo.