E Diel, 1 Nëntor 2026

Borchardt: Stop presionit politik në biznes

Ambasadori Gjerman pohon se biznesi i vogël është përndjekur nga punonjësit e tatimeve për shkaqe politike


Ndërkombëtarët bëjnë thirrje për eliminimin e presionit mbi punonjësit dhe bizneset para zgjedhjeve lokale


Aktivistë të shoqërisë civile organizuan dje konferencën "Roli i politikës dhe administratës shtetërore ndaj punonjësve dhe qytetarëve gjatë fushatës elektorale të 28 qershorit", një analizë kjo e marrëdhënieve mes politikës dhe qytetarëve gjatë kësaj periudhe.


Të pranishëm në këtë konferencë ishin aktorë të ndryshëm publikë, si Ambasadori gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, Veprimtarja e grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut, Elsa Ballauri etj.
Gjatë fjalës së tij, Ambasadori gjerman, Bernd Borchardt, i bëri apel qeverisë dhe parlamentit të shmangë presionin mbi punonjësit e administratës.


Duke qenë se po afrojnë dhe zgjedhjet lokale, në këtë porosi, Borchardt, shtoi edhe bizneset e vogla, duke theksuar se edhe ato ishin pre e presionit politik. Sipas tij, këto probleme janë evidentuar nga misioni vëzhgues i OSBE/ODHIR gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit. Duke cituar raportin e këtij misioni, diplomati gjerman deklaroi se kritikat qëndrojnë në urdhrat ndaj punonjësve të administratës, për t'u bërë pjesë e aktiviteteve partiake.


Ambasadori gjerman, Bernard Borchardt, i ka bërë thirrje qeverisë dhe Parlamentit që të marrë masa në mënyrë që të eliminojë praktikat e presionit mbi punonjësit e administratës dhe bizneseve përpara zgjedhjeve të ardhshme lokale, të cilat do të mbahen në vitin 2011-të.


Parregullsi janë vërejtur nga misioni i vëzhgues i OSBE/ODIHR në zgjedhjet e 28 qershorit 2009-të dhe janë dënuar me forcë nga ndërkombëtarët. I pranishëm në këtë takim, Juristi Njazi Jaho numëroi plot 17 shkelje dhe parregullsi të kryera gjatë procesit zgjedhor.


Më pas, ambasadori gjerman, duke ju referuar raportit të OSBE/ODIHR, i cili vërejti parregullsi gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit tha se kritikat qëndrojnë në presionin mbi punonjësit e administratës publike, në udhëzimet e dhëna nëpunësve të Shërbimit Publik për pjesëmarrje në aktivitete partiake.


"Presioni arriti deri në kërcënimin për pushim nga puna të atyre që refuzuan ta merrnin pjesë në aktivitete politike", tha Borchard, duke shtuar se i njëjti presion ishte vërejtur dhe ndaj bizneseve private në mënyrë që këto të financonin partitë politike: "Ato biznese që nuk pranuan të bëheshin palë dhe të financonin, u bënë objekt i kontrollit të organeve tatimore". Kritika nuk i drejtohet vetëm një partie të vçantë, por të gjithëve pushtetarëve në nivel lokal e kombëtar.


Këto janë konkluzione tepër kritike dhe në këtë pikë do të doja t'i theksoja me force", përfundoi ambasadori. Ky fenomen tejet problematik, nuk duhet të ketë vend në një shtet demokratik dhe anëtar të NATO-s. Në përfundim të fjalës së tij, Borchard i bëri edhe një herë thirrje Parlamentit dhe qeverisë shqiptare që të marrë masa në mënyrë që të eliminojë praktika të tilla në kohën e duhur përpara zgjedhjeve.

Zv.Ministrja e Arsimit premtoi se administrata do të punësojë sipas arsimit dhe jo sipas bindjeve politike


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›