E Diel, 1 Nëntor 2026

Dashi pranon gjendjen skandaloze në QSUT, sulmon Vasilin për fondet

Së shpejti privatizohen shërbimet në spital, pacientët do të mjekohen me para në dorë


Mungesa e theksuar e ilaçeve, shërbimet problematike në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza por edhe mungesa e kushteve në pavijonet e spitaleve kanë qenë gjithçka për të cilat personalisht Drejtori Ilir Dashi është prononcuar dhe ka pranuar të vërtetën në një emision televiziv. Përveç të tjerash Dashi ka deklaruar se ka marrëdhënie tepër të mira me

Ministrinë e Shëndetësisë por nga ana e kësaj të fundit ka pasur në njëfarë mënyre mungesa për fonde. Sipas Dashit, kjo ka qenë edhe arsyeja se përse në të shumtën e rasteve janë vërejtur edhe mungesa të theksuara për mjetet apo kushtet në QSUT. Ndër të tjera Drejtori Dashi ka theksuar faktin e privatizimit të shërbimeve në të gjitha pavijonet e spitalit duke përfshirë këtu edhe shërbimin e urgjencës. Sipas tij në këtë kontekst drejtoria e QSUT-së në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë do të trajnojë infermierë të veçantë që do ti shërbejnë pacientëve në urgjencën e re që do të inaugurohet së shpejti. Sipas Dashit këto punonjës do të quhen urgjentistë e do të jenë në shërbim të pacientëve 24 orë duke u ndërruar në turne. Gjatë intervistës në një prej televizioneve në vend, Dashi theksoi se Përveç ndërtesës së re që do të inaugurohet Brenda muajit të ardhshëm të mërkurën e ardhshme do të kryhet edhe inaugurimi i repartit të dializës për fëmijët, por gjithashtu do të bëhet e mundur edhe çelja e  një tjetër reparti të ri ku do të kryhet heqja e gurëve në veshka me një aparaturë të re e cila është blerë që prej dy vjetësh e nuk është vënë në përdorim për shkak të mungesës së ambienteve. Dashi theksoi edhe përmirësimin e sistemit parësor i cili do të jetë një ndër prioritetet Brenda vitit 2010. Sipas tij, protokollet e mjekimit do të jenë me një sistem të veçantë dhe përsa i përket shërbimeve do të bëhet e mundur që këto të mos jenë të shpërqendruara e të shpërndara por të jenë në një sistem referimi të qartë. Kjo sipas Drejtorit Dashi do të bëhet e mundur vetëm me zbatimin e sistemit të privatizimit proçes i cili do të jetë fillimisht i vështirë për vetë qytetarët por është e sigurt që do të rezultojë pozitive pasi pacienti duke paguar kesh në dorë do të shmangë në këtë mënyrë edhe të gjitha abuzimet e mëparshme me pagesat për shërbimet në spital. Sipas Dashit  nëse flasim për thellim të referimit shpesh herë është vënë re që masat ose rregullat zbatohen paraprakisht dhe sistemi i referimit dhe thellimi i reformës nuk vihen re. Sa më i fortë të jetë zbatimi dhe disiplinimi, i referimit  aq më të përgjegjshëm do të jenë edhe vetë qytetarët për qëndrimin korrekt ndaj rregullave në spitale. Por kjo gjë sipas Dashit do të jetë efektive edhe në rritjen e cilësinë së shërbimit duke fuqizuar në të njëjtën kohë edhe shërbimet. Dashi theksoi ndër të tjera edhe faktin se nëse vetë qytetarët nuk janë të vetëdijshëm për të zbatuar rregullat e vendosura siç mund të jetë vizita paraprake tek poliklinika e lagjes apo tek mjeku i familjes atëherë dyndja në QSUT- do të jetë e papërballueshme. Sipas Dashit, megjithëse urdhri për vizitat tek mjeku i familjes ka dalë që në Tetor të vitit të kaluar është realitet që shumë pacientë nuk e respektojnë këtë. Dashi theksoi edhe faktin se hallkat e sistemit parësor janë rregulla të pakthyeshme dhe në këto raste nuk duhet të tolerojmë. Sipas Dashit brenda këtij viti do të sigurohen barnat, por edhe aparaturat. Sipas tij për mungesë fondesh nuk janë shtuar edhe ambientet në QSUT, dhe për pasojë në shumë raste aparaturat nuk janë vënë në funksionim. Sipas Dashit gjendja e parave dhe e buxhetit është një nga pikat kyçe ku edhe pse rritja ka qenë e dukshme nga 1.4 me 1.8 është evidente se shuma e parave nuk është e mjaftueshme për të përballuar gjendjen e importuar të kushteve dhe mungesave në pavijone. Sipas tij edhe ankesat përsa i përket pastërtisë në QSUT janë në të shumtën e rasteve me vend por kjo gjë do të ndryshojë tërësisht me privatizimin e këtij  shërbimi. Dashi bëri gjithashtu publik faktin se në datën 28 të këtij muaji drejtoria e QSUT-së do të bëjë të mundur hapjen e dializës së fëmijëve si repartin më të ri. Por sipas tij pas një javë do të bëhet e mundur edhe  hapja e klinikës së varësisë nga alkooli.

Ministria e Shëndetësisë denoncon Urdhrin e Infermierëve për licencat
Ministria e Shëndetësisë ka denoncuar abuzimet që po bën kohët e fundit Urdhri i Farmacistëve në lidhje me kriteret e licencimit të farmacistëve. Në një dalje ditën e djeshme në një konferencë për shtyp zëvendësministri i shëndetësisë, Bardhi Spahia ka deklaruar se e drejta e licencimit i takon vetëm Ministrisë së Shëndetësisë dhe në këtë rast Urdhri i Farmacistëve po shkel ligjin. Prej kohësh kemi dëgjuar në media deklaratat e Urdhrit të Farmacistëve se ata kanë për detyrë dhënien e licencave. E theksoj, kjo kompetencë i takon vetëm qendrës kombëtare të licencimit ndaj këto deklarata janë abuzive dhe në kundërshtim me ligjin, tha Spahia. Zëvendësministri i Shëndetësisë ka theksuar se pranë ministrisë prej kohësh vijnë ankesa nga farmacistët ndaj zvarritjeve që bën urdhri për anëtarësimin e tyre pranë këtij subjekti. Spahia ka theksuar se për tu bërë anëtar i këtij urdhri nuk ka ndonjë kriter të veçantë përveçse të jesh shtetas shqiptar dhe të jesh diplomuar për farmaci e padyshim të punosh në këtë sektor. Ai i ka bërë thirrje  farmacistëve të denoncojnë në çdo rast  abuzimet e Urdhrit pranë organeve ligjore.

Arta AGOLLI

Last Updated on E Shtune, 24 Prill 2010 20:34

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›