Farmaceutika në krizë, institucionet përplasen për abuzimet

Zv.ministri i Shëndetësisë, Spahia, akuzon Urdhrin e Farmacistëve për shkelje të ligjit. Jaupllari: Ministria, shkelëse e korruptuar e ligjit
Tregu farmaceutik është përfshirë në një valë akuzash për abuzime dhe shkelje të ligjit mes institucioneve shëndetësore. Zv.minsitri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, ka akuzuar Urdhrin e Farmacistëve (UF) se pengesat për anëtarësim të profesionistëve të shëndetësisë në UF janë pa asnjë bazë ligjore dhe për qëllime abuzive nga drejtuesit e tij. Ndërsa presidenti i UF-së reagon ndaj akuzave të zv.minsitrit Spahia, i cili theksoi për gazetën "Shekulli" se dikasteri i Shëndetësisë nuk zbaton ligjin e tregut farmaceutik dhe se këto abuzime i ka bërë publike edhe më parë.
Akuza
Zv.ministri i Shëndetësisë, Bardh Spahia, pohoi dje se çdo urdhër i dalë nga Urdhri i Farmacistëve mbi kriteret për licencim është i paligjshëm, si dhe në kundërshtim me ligjin për lejet dhe licencimin. Ai sqaroi për të gjithë farmacistët që kërkojnë të licencohen për ushtrimin e aktivitetit privat, të mos marrin për bazë urdhrat e dala nga Urdhri i Farmacistëve, i cili ka për detyrë të vetën vetëm kontrollin e zbatimit të kodit deontologjik, kontrollin mbi përgatitjen profesionale të farmacistëve, si dhe mbi etikën dhe sjelljen e farmacistëve. "Çdo urdhër tjetër i dalë nga ky Urdhër, lidhur me kriteret për licencim është i pa bazuar në ligj dhe abuzim me të drejtën e gjithsecilit për të marrë lejen e ushtrimit të profesionit për të bërë anëtarësimin në Urdhrin profesionist të tyre", theksoi Spahia, duke shtuar se kohë që vijnë ankesa nga farmacistët shqiptarë për pengesat që u krijohen për marrjen e certifikatës së anëtarësimit në këtë urdhër", - theksoi ai.
Reagimi
Akuzave të zv.misnitrit të Shëndetësisë i është përgjigjur presidenti i Urdhrit të Farmacistëve, Arjan Jaupllari, i cili theksoi se shkeljet e këtij dikasteri për tregun farmaceutik i ka bërë publike edhe më parë. "Mjerisht zv.ministri nuk njeh legjislacionin farmaceutik shqiptar. UF nuk licencon farmacinë, por farmacistin. Ai vazhdon të ndjekë rrugën si në kohën kur ishte kryetar i komisionit të licencimit kur shkelte ligjin dhe hapte farmacitë jashtë kritereve ligjore dhe atë të distancës midis farmacive", pohon Jaupllari, duke theksuar se UF dhe drejtuesi i tij vepron në përputhje të plotë me ligjin dhe në zbatim të kompetencave që i jep ligji. Sipas tij, UF i jep farmacistit të drejtë për të ushtruar profesionin bazuar mbi kritere ligjore dhe mbi bazën e kërkesës dhe vetëdeklarimit të tij, ku zotohet se e do të zbatojë ligjin dhe kodin deontologjik për ushtrimin e profesionit. "Ata farmacistë që duan të shkelin ligjin, për të cilin iu siguroj që janë një ose dy kanë shkuar të gjejnë ngushëllime te shkelësi i korruptuar i ligjit. Sinqerisht, më vjen keq, nëse kanë shkuar për ndihmë, sepse e njohin ligjin më mirë se ai", - theksoi Jaupllari.
Jaupllari: Kemi denoncuar shkeljen e ligjit
Urdhri i Farmacistëve ka denoncuar vazhdimisht shkeljen e nenit 30 të ligjit të barnave dhe ka bërë publike përgjegjësit e saj. Kështu u shpreh presidenti i këtij institucioni, Arjan Jaupllari, i cili theksoi se nuk ka pasur asnjë prononcim nga ata që me dashje nuk e zbatojnë këtë nen, sepse të paktën e njohin dhe sot prononcohet ai që e kishte shkelur dikur që kishte në dorë zbatimin e tij. "Institucioneve ligjore që kërkojnë zbatimin e ligjit jo vetëm që nuk i bëjnë mirë sistemit shëndetësor e farmaceutik, por dezinformojnë opinionin publik dhe atë farmaceutik. Do uroja që ky debat të ulet në tavolinat ndërinstitucionale me drejtues dhe ekspert të fushës", - theksoi Jaupllari.