Dashuritë e pamundura në kinemanë e së ardhmes
Dashuritë e pamundura do të jenë filmat e 2011-2012-s në kinematografinë shqiptare. Duket se tema mbi fatin e shqiptarëve nën diktaturën komuniste tashmë është kapitull i mbyllur. Në projektet që Qendra Kombëtare e Kinematografisë do të mbështesë për këtë vit kupton qartë se tashmë regjisorët dhe skenaristët shqiptarë kërkojnë të gjejnë subjektin e filmave të tyre te dashuritë e pamundura të së kaluarës, por edhe të së tashmes. Koka është kthyer nga romanca e munguar në prodhimet kinematografike te fatet njerëzore, historitë e dashurisë dhe pengesat e një mentaliteti sa patriarkal aq edhe etnik. Këtë të fundit ka patur parasysh regjisori Gjergj Xhuvani në projekt-filmin e tij të titulluar “Ëngjëjt janë larg”, që ishte një ndër projektet fituese të QKK-së. Filmi portretizon një dashuri të pamundur mes një djali serb dhe një vajze shqiptare. Kjo është historia “e pamundur” e dashurisë mes një serbi dhe një shqiptareje gjatë luftës së fundit në Kosovë. Skenari është bazuar në romanin me titull "Dashuria dhe rreckat e kohës", e shkrimtares Anilda Ibrahimi. Ishte dashuri me shikim të parë ajo mes Zlatan-it dhe Ajkunës, të cilët u rritën bashkë në Prishtinë, në të njëjtën lagje edhe pse ai është serb e ajo kosovare. Baballarët e tyre ndajnë bashkë pasionin për mjekësinë dhe për poezinë e Charles Simic. Mamatë e të dyve “konkurrojnë” njëra me tjetrën se kush i bën më mirë specat turshi. Një bashkëjetesë normale mes dy familjeve deri ditën kur Kosova përgjaket nga Lufta. Mes luftës së përgjakshme Ajkuna dhe Zlatan i premtojnë njëri-tjetrit dashuri të përjetshme, por ngjarjet që pasojnë i ndajnë njëri nga tjetri; atë e rekrutojnë ushtar serb, kurse ajo një refugjate kosovare. Pasojat dhe intrigat e një dashurie “të pamundur” mendohet se do ta mbërthejnë publikun para ekranit të kinemasë. “Engjëjt janë larg” mbyll në njëfarë mënyre ciklin e punës në filmat e komunizmit dhe i rreket trajtimit të një teme më të freskët dhe njëkohësisht të ndjeshme. Bashkëjetesa paqësore, humanizmi, dashuria dhe ndryshimet e patejkalueshme të mentalitetit në mes dy popujve fqinj. Një tjetër histori dashurie në kohë trazirash është ajo e regjisorit Fatmir Koçi në projekt-filmin e tij "Anglia në çatinë time". Koçi, përveçse regjisor, është dhe skenarist. Edhe në qendër të këtij filmi është dashuria “e pamundur”. Ajo rrëfen historinë e një të riu shqiptar që ëndërron një të ardhme më të mirë për veten e tij dhe këtë mendon se do ta gjejë në Angli. Prandaj vendos të martohet me një vajzë angleze, që i siguron dokumentet dhe lëvizjen e lirë për në Angli. Ngjarjet zhvillohen edhe në këtë film ashtu si në filmin e Xhuvanit, në fillim të viteve '90. Djali merr këtë vendim duke lënë pas pa e kthyer kokën dashurinë e tij shqiptare. I riu ndodhet përpara dilemës, se cilën jetë të zgjedhë. Janë histori që u kanë ndodhur rëndom shqiptarëve, probleme të emigracionit dhe integrimit. Është kjo historia e dashurisë së një emigranti në Londër, i cili ka mbetur mes dy dashurive dhe dy vendeve, Londër dhe Tiranë.
Projekti tjetër që mbyll ciklin e dashurive është filmi “Sorkadhet e trembura”, bazuar në romanin e shkrimtarit Ismail Kadare. Historia e dashurisë së një studenti shqiptar dhe një ruseje është në qendër të subjektit. Regjisori rus Kirill Serebrennikov i është rikthyer kohës së komunizmit, por duke shtjelluar fatet e njerëzve përmes një lidhjeje dashurie, që më pas u bë e pamundur. Kryetari i Qendrës Kinematografike, Artan Minarolli, shpjegon se regjisori Kirill Serebrennikov fokusohet në historitë e grave të huaja, kryesisht ruse, të martuara me burra shqiptarë, që u përndoqën deri në marrëzi prej paranojës ndaj një armiku të jashtëm që e ushqeu deri në vdekje regjimi i Enver Hoxhës. Pas prishjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, jetojnë një histori fyerjesh, persekutimesh, vuajtjesh deri dhe burgim, por e vetmja gjë që i mban në vijë është dashuria e tyre shqiptare. Kjo do të jetë tematika e kinemasë shqiptare në këtë sezon prodhimesh. I vetmi që bën përjashtim nga rregulli është filmi i Mark Topollajt, që është bazuar mbi një ngjarje të vërtetë, siç është Revolta e të burgosurve në burgun e Spaçit. Nga trajtimi mizor, më 21 maj të vitit 1973 të burgosurit u hodhën në revoltë, e cila më pas u cilësua si revolta e parë me karakter politik në Shqipëri gjatë viteve të diktaturës. Të burgosurit ngritën në kamp flamurin e kuq me shqiponjë, por pa yll, dhe po kështu hodhëm parulla kundër diktaturës. Alarmi dhe paniku i qeverisë komuniste normal që do të ishte mjaft i madh dhe si pasojë ata urdhëruan korpusin e Burrelit për rrethimin e kampit të Spaçit me forca të shumta e tanke. Pas tri ditësh revolta u mposht mes përdorimit të shufrave të hekurit e zjarrit. 200 veta u arrestuan, ndërsa 100 prej tyre u dënuan me 1700 vjet burg. Këtë ka patur parasysh Mark Topollaj kur ka shkruar skenarin për filmin e tij të titulluar thjesht “Revolta”, i cili mbyll dhe ciklin e filmave që tashmë do të futen në prodhim për t’u shfaqur gjatë 2011-2012-s në fillim në festivale e më pas në ekranin e kinemave.
Skenarë të frymëzuar nga librat
Një tjetër risi e kinemasë së të ardhmes është dhe fakti se subjektet e filmave janë përshtatje të librave më të shitur dhe autorëve më të njohur shqiptarë. Kështu, përveç Gjergj Xhuvanit, edhe regjisori rus Kirill Serebrennikov është frymëzuar nga shkrimtari ynë Ismail Kadare për filmin e tij të radhës. Por dhe filmi ‘Revolta’ i Mark Topollajt është në një farë mënyrë një libër edhe pse i pashkruar i një ngjarjeje reale. Topollaj është bazuar për skenarin e tij në dokumentet e Arkivit të Shtetit, por dhe në rrëfimet e dëshmitarëve të asaj ngjarjeje.
Filmat e së ardhmes
Projekti “Engjëjt janë larg”
Bazuar në romanin “Dashuria dhe rreckat e kohës”
Autor: Anilda Ibrahimi
Regjia: Gjergj Xhuvani
Skenari: Gjergj Xhuvani
Producent: On film Production sh.p.k
Projekti “Anglia në çatinë time”
Regjia: Fatmir Koçi
Skenari: Fatmir Koçi
Producent: Act Film Production sh.p.k
Projekti “Sorkadhet e trembura”
Bazuar në romanin “Sorkadhet e trembura”
Autor: Ismail Kadare
Regjia: Kirill Serebrennikov
Skenari: Ismail Kadare
Producent: Albimage.sh.p.k
Projekti “Revolta”
Regjia: Mark Topallaj
Skenari: Mark Topallaj
Producent: Idromeno