E Shtunë, 31 Tetor 2026

Data, më së largu në Janar

Catherine Ashton, ndërmjetësja e dialogut politik Kosovë Serbi sapo tha në një konferencë me gazetarë që Serbia e merr datën për fillim të negociatave për anëtarësim në BE më së largu në janar të vitit të ardhshëm.

Këtë deklaratë ajo e bëri gjatë një konference të përbashkët me kryeministrin serb, Ivica Daciq para pak minutash në Bruksel.

Jam shumë e kënaqur që 27 shtetet ishin shumë përkrahëse e perspektivës evropiane të Serbisë duke i rekomanduar Këshillit të BE-së nisjen e negociatave për anëtarësim në BE dhe ndarjen e datës, më së largu në janar të vitit të ardhshëm”, tha Ashton

Përfaqësuesja e e Lartë për Politikë të Jashtme e BE-së, gjithashtu shprehu gëzimin e saj që vendet anëtare gjithashtu u pajtuan të sugjerojnë nisjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit për Kosovën.

Të dy këto sugjerime janë bërë nga Ministrat e Jashtëm të BE-së për shefat e shteteve të tyre që do takohen për të marrë vendim në samitin e 28 qershorit.

Ashton pjesën më të madhe të fjalimit të saj e ka shfrytëzuar për të lavdëruar kryeministrin serb për guximin dhe angazhimin e ti që dialogu me Kosovën të jetë i suksesshëm.

Kryeministri serb në anën tjetër ja ka kthyer njëjtë komplimentet Ashtonit duke thënë se pas gjithë kësaj kohe, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme “ka qenë një nga të paktët njerëz që i kanë mbajtur premtimet”. Daçiq u shpreh i kënaqur me sugjerimin e Ministrave të Jashtëm të BE që Serbia të nis negociatat, por kërkoi që tash e tutje të mos ketë më kushte të reja për Serbinë.

Serbia me javë të tëra e ka pasur përkrahjen e vendeve anëtare që të marrë datën për nisjen e dialogut me BE-në për anëtarësim, me përjashtim të Gjermanisë. Ky shtet vazhdimisht ka kërkuar nga Serbia implementimin në terren të marrëveshjes për “normalizim marrëdhëniesh” me Kosovën i arritur më 19 Prill./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›