E Shtunë, 31 Tetor 2026

David Frost: përballjet me të fuqishmit; nga Nixon te Putin

Gazetari që bisedoi me Nixon-in pas skandalit Watergate, në një intervistë 28-orëshe, së cilës iu kushtua edhe një film, flet ekskluzivisht për Ilva Taren e Tonight. Kontaktet me Shqipërinë? Nga Korfuzi ku shihte projektorët e fuqishëm të vendosur për të parandaluar arratisjen e shqiptarëve.

Sir David Frost, mirë se erdhe në Tonight!

Ilva, është kënaqësi të jem këtu. Është një privilegj.

Filmi Frost vs Nixon zgjoi interes të madh tek audienca shqiptare dhe jam e bindur se shumë shikues duan të dëgjojnë direkt nga ju se çfarë ndjesie është të të kushtohet një film dhe madje të jesh protagonisti kryesor?

Është një ndjesi interesante. Herën e parë që isha duke e parë shfaqjen në teatër, pasi u vendos në skenë, përpara se të bëhej film, duke e ditur që isha duke parë vetveten, në 25 minutat e para isha vërtet i shqetësuar. Më mundonte më shumë ideja nëse shfaqja do t’i qëndronte vërtetësisht ngjarjeve siç kishin ndodhur, sesa portretizimi im. Dhe vetëm pasi kaluan 20 minuta fillova të mendoja për karakterin Frost, edhe pse bëhej fjalë për mua, po mendoja për karakterin Frost që po shikoja në skenë. Thjesht besnikëria ndaj projektit ishte fillimisht shqetësim, por sigurisht interpretimi i Michael Sheen ishte shumë i mirë dhe Fran Langella në rolin e Richard Nixon-it ishte gjithashtu fantastik.

A kishte filmi pasaktësi krahasuar me historinë e vërtetë? A mendoni se mund të kishte fakte apo çështje të tjera që mund të ishin përfshirë apo që u përjashtuan?

E vërteta është se kur erdhën dhe më kërkuan leje për të realizuar teatrin dhe më vonë filmin, autorët menduan se do të ishte më mirë që unë të mos kisha kontroll editorial mbi përmbajtjen, që sigurisht unë mund ta kisha, sepse ishte puna ime. Meqenëse u mendua që nuk do të ishte diçka e Frostit për Frostin. Por do të ishte dikush tjetër që do të tregonte për Frostin dhe mos pasja kontroll mbi përmbajtjen do t’i jepte më shumë pavarësi autorëve dhe do t’i shërbente si shfaqjes ashtu edhe filmit. Personalisht mendoj se ishte një zgjidhje fantastike. Kam lexuar mendimet e kritikëve nga e mbarë bota dhe nuk kam parë ende asnjë qortuese. Rezultati ishte mëse i kënaqshëm. E vetmja gjë e shtuar ishin rreth 5 deri në 10 për qind skena dramatike që duheshin për efektin kinematografik, siç ishte rasti i dhënies së një profili të ulet profesional përpara intervistës me Nixon-in, që nuk ishte i vërtetë dhe gjithashtu kishte një pjesë të shkëlqyer në film që u shkrua nga autori Peter Morgan. Ishte momenti kur Nixon më telefonon përpara se të realizonim përballjen për skandalin e Watergate. Ai 5-minutësh në film ishte një portretizim fantastik i Nixon-it, vërtet i jashtëzakonshëm. Ky ishte një shembull i qartë se çfarë mund të bëjë kinematografia…

Pse ishte fantastik?

Pyetje interesante. Ishte fantastik sepse shpjegoi thelbin e hipotezave kontradiktore midis Nixon-it përmes veprimeve të tij dhe mënyrës si mendonte Nixon-i. Në film del qartë që Nixon gjithmonë e kishte ndjerë veten si i huaj edhe kur ishte President i SHBA. Ai ndihej si i huaj, sikur nuk i përkiste atij ambienti, ku përballë tij ishin njerëz të pasur, si familja Kenedy dhe Nixon mendonte se ata ishin zotëruesit e vërtetë të pushtetit. Gjatë gjithë jetës së tij Nixon e konsideroi veten si një i huaj i ardhur nga jashtë.

Sir David, pse mendoni që Watergate është ende skandali më i famshëm i gazetarisë investigative në botë? A nuk ka pasur skandale të tjerë në këto 40 vitet e fundit? Apo gazetaria investigative nuk ka mundur të tregohet e ashpër me Peshqit e mëdhenj?

Po, unë mendoj që Watergate ishte i jashtëzakonshëm. Mjafton të themi që Nixon ishte Presidenti i vetëm që u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të këtij skandali në më shumë se 200 vjet dhe kjo e bën Watergate-n unik në këtë drejtim. Por kemi të bëjmë edhe me vetë personazhin.

Pavarësisht se ç’mendojnë njerëzit për Nixon-in, ai ishte shumë i diskutueshëm dhe intrigues, por edhe shumë i pasigurt me disa njerëz. I ndërtoi vetes një lloj muri përreth vetes, pra Nixon ishte karakter joshës dhe, siç del dhe në film, mbante një qëndrim të tipit: Kush e bëri? Vetëm nga fundi i intervistës dhe i xhirimeve ai pranoi në një farë mënyre përgjegjësinë dhe u fal për çfarë kishte bërë. Ishte hera e parë që e bëri atë gjest. Kësisoj kishte mister në ajër, ishte ky personazh intrigues në pikëpyetje, një skandal i pashoq, siç ishte përgjimi i njerëzve dhe, mbi të gjitha, ai u detyrua të ikte nga Shtëpia e Bardhë…unë mendoj që këto ishin arsyet që kishin elementet e dramës dhe detajet e çështjeve njerëzore të përfshira.

Ju keni të drejtë. Ne duhet të jemi të shqetësuar për skandale të tjerë dhe ngjarje të rënda siç janë zhvillimet e tmerrshme në Siri dhe në vende të tjera. Por Watergate ishte i fokusuar te një njeri i vetëm, një qenie misterioze, ndonjëherë i çuditshëm, me raste simpatik, në më të shumtën e tyre aspak… çfarë karakteri ishte! Ndoshta Presidenti më interesant që ka ekzistuar ndonjëherë.

Duke ju dëgjuar sesi e përshkruani Nixon-n, më krijohet përshtypja që ju e pëlqenit. E vërtetë?

DF: Në kohën kur i bëra intervistën nuk e pëlqeja, sepse rreth 30 njerëz ishin në burg pasi kishin bërë gjëra për të cilat Nixon-i i kishte urdhëruar. Ishte e vështirë të mendoje që ata ishin në qeli teksa ne zhvillonim intervistat, ndaj ishte e vështirë ta pëlqeje Nixon-in apo të kishe simpati për të. Ndieja një lloj keqardhje për tragjedinë e këtij njeriu, që, siç e kam thënë edhe në libër, e kishte shumë për zemër të ishte i jashtëzakonshëm, por nuk ia doli të ishte i tillë. Dua të shtoj se fjala që pëlqeja është shumë personale për ta përdorur në rastin e Nixon-it, sepse ai e izolonte veten nga bota dhe nga njerëzit.

Nëse Watergate nuk do të kishte ndodhur, a mendoni se Nixon do të kishte qenë Presidenti më i madh i SHBA-ve?

Kjo është një pyetje shumë, shumë interesante. Mendoj që jo dhe dua ta shpjegoj pse. Ajo që shkaktoi skandalin e Watergate ishte paranoja e Nixon-it. Ai gjithmonë thoshte: “ata që nuk janë me ne, janë kundër nesh”. Dhe kjo nuk është e vërtetë, sepse për këtë çështje një numër i madh njerëzish ishin pro tij, disa të tjerë kundër tij, por një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik që ishte në qendër dhe nuk kishte asnjë qëndrim, nuk do të thoshte automatikisht që ishin kundër. Pra, dua të them se ai po e ekzagjeronte me nivelin e armiqësisë që mendonte se i drejtohej atij. Ja, të jap një shembull për paranojën e Nixon-it. Në një pjesë të intervistës ai tha: Ata flasin për paranojën time, por paranoja për paqen nuk është gjë e keqe. Dhe dy ditë më vonë anëtarë të staftit të tij dhe timit vendosën etiketa ku shkruhej: “Paranojë për paqen”. Me fjalë të tjera, ajo që dua të them është se cilësitë që ai kishte dhe karakteri i tij në lidhje me paranojën do të dilnin në pah në mënyra të tjera dhe ndoshta mund të kishte ndodhur një skandal tjetër apo në një dekadë tjetër, por gjasat janë që do të kishte ndodhur gjithsesi.

Sir David, besoj se mund të njihni edhe raste të tjera udhëheqësish, politikanësh që sillen si Nixon-i, pra, ose duhet t’i pëlqesh e të jesh me ta, ose je kundër tyre; por ata janë ende në pushtet dhe nuk janë detyruar të largohen.

E vërtetë, unë mendoj që të gjithë politikanët kanë një grimcë paranoje brenda tyre, madje edhe pse përpiqen ta fshehin këtë dhe të jenë bujarë me kritikët e tyre. Por, ata nuk e shmangin dot faktin që kur shkojnë në shtëpitë e tyre, qoftë kjo Shtëpia e Bardhë apo kudo ndodhen, të mendojnë se njerëzit që i qortojnë janë paska jo patriotë. Kjo lloj paranoje gjendej pothuaj në çdo politikan.

A është pushteti ai që i bën paranojakë?

Nuk mendoj se pushteti i bën paranojakë. Është diçka që vjen bashkë me ta, që i pasqyron më së miri kur janë në pushtet dhe mund të bëjnë diçka për paranojën, të mirë a të keqe. Nëse njerëzit janë paranojakë në rrugë, poshtë kësaj godine ashtu qofshin nuk kanë ç’të bëjnë. Ata nuk mund të shkatërrojnë një vend. P.sh. një berber ose një dentist mund të të krijojë paranojë, por kjo s’do të thotë që ata mund ta shpërfaqin paranojën e tyre…ah, ndoshta një dentist edhe mundet në fakt…

Sir David, a menduat sinqerisht se do të nxirrnin një lajm me përmasa botërore nga intervista me Richard Nixon-in? Pse ishit aq këmbëngulës dhe besimplotë te vetja, deri në pikën që rrezikuat edhe karrierën tuaj. Kujtoj që…

Po, po, është vërtetë

Shitët 5% të aksioneve që zotëronit në London Weekend Television për 200 mijë dollarë, kur vetëm disa vjet më vonë vlenin 37 milionë sterlina

Aq do të vlenin.

Do të kishit qenë shumë më i pasur nëse nuk do t’i kishit shitur ato aksione atëherë. Por iu përgjigjët një komentatori të asaj kohe se do të merrje sërish të njëjtin vendim.

Je absolutisht e saktë. Sigurisht që do ta bëja sërish. Mendoj që ajo ishte një sfidë, një mundësi e vështirë, pa dyshim, por bëri histori në mënyrën e saj dhe atë lloj suksesi nuk arrin ta blesh kurrë. Ishte një sfidë që e mora përsipër. Sikur Nixon-i të kishte shpëtuar pa kërkuar ndjesë publike, do të kishte qenë një tragjedi për mua. Megjithatë, unë kisha shumë besim te vetja, që mund t’ia dilja mbanë dhe ai ishte çelësi i suksesit, pasi në fund gjithçka i mbetet në dorë besimit te vetja. Si gazetar, ju duhet ta dini se bëni gazetari gjithë kohën, por që të bësh intervista duhet të kesh besim te vetja, madje shumë besim dhe ideale për një intervistues do të ishte të mos kishte paranoja…

Por çfarë ju shtyu më shumë? Instinkti? Menduat se Nixon-i kishte diçka për të thënë?

Unë pata një parandjenjë që, nëse dikush mund të arrinte t’ia mbushte mendjen të jepte një intervistë, një intervistë të vetme apo një grup intervistash, në fund Nixon-i do të donte të fliste hapur dhe siç thuhet në gjuhën televizive “ta thoshte të tijën” për skandalin e Watergate. Më kujtohet që kur po regjistronim intervistën, në televizion po fliste Xhimi Carter, që në atë kohë ishte President. Carter po i drejtohej kombit atë natë me një fjalim dhe Nixon-i tha: “Po, po, tamam, mirë e ke. Televizori ka rëndësi televizooori”… Ai mendonte se TV do ta shpëtonte në një farë mënyre dhe, siç rezultoi, nuk ndodhi ashtu, falë Zotit për mua…

Si një veteran, një gladiator i medias a e konsideroni duelin me Nixon-in si më të vështirin e karrierës suaj? Në kujtesën tuaj, cila ka qenë intervista më sfiduese?

Gjatë 12 ditëve që regjistruam intervistën me Nixon-in ne xhiruam plot 28 orë e 45 minuta, që ishte e jashtëzakonshme. Më kujtohet që ditën e parë e kuptova që kurrë më parë nuk kisha intervistuar dikë për më shumë se dy orë në mënyrë të pandërprerë, imagjinoni sesi ndihesh kur e bën për 28 orë. Ishte një ndryshim shumë i madh për mua dhe një gjë tjetër interesante është se Nixon-i çdo ditë kur vinte për intervistën dukej shumë mirë, kishte marrë rreze dielli. Mirëpo kur arritëm te dy ditët ku do diskutohej çështja e Watergate, në ditën e parë u shfaq i çlodhur, por pas pyetjeve për Watergatin, kur erdhi tek intervista e dytë kushtuar skandalit që ishte dy ditë më vonë, Nixon-i dukej sërish si njeriu që vinte nga Shtëpia e Bardhë, me pamje luftarake për të mbrojtur presidencën e tij. Kështu dukej gjatë pjesës së parë të intervistës dhe pastaj papritur në pjesën e dytë të asaj dite u shfaq më i tërhequr dhe pothuaj i përvuajtur. Ishte e jashtëzakonshme. Ai ndryshoi edhe fizikisht gjatë pyetjeve investiguese për skandalin e Watergate…

Si ishte e vërteta mbi rivalitetin e Nixon-it dhe Henry Kissinger-it?

Oh, është një histori e jashtëzakonshme. Gjatë intervistave Nixon ishte interesant në mënyrën si e përshkroi Kissinger-in. Problemi në marrëdhënien Nixon-Kissinger ishte ky: Që të dy po garonin për të marrë meritat e vendimeve të mira, që Nixon-i mori si President, dhe përpiqeshin të bënin me faj njëri tjetrin për gjërat që shkuan keq. Por nga ana tjetër, ata s’mund të ishin shumë të pasjellshëm ndaj njëri-tjetrit, për shkak të vendit që kishin në histori dhe e ardhmja e tyre ishte e lidhur së bashku. Nëse njëri shante tjetrin dhe anasjelltas, reputacioni i tyre do të binte menjëherë, por dëshira për të marrë meritat ishte vërtet shumë e madhe. Ndaj, shikoni ç’ndodhte: Nixon gjatë intervistës u shpreh: “Henri është një intelektual i çmuar, ashtu si dhe intelektualë të tjerë natyrisht, ndonjëherë merr vendime të nxituara, por e bën sepse është intelektual”. Siç e vëreni, Nixon nuk e vlerësonte shumë Kissinger-in dhe përdorte fjalë përgjithësuese. Nga ana tjetër Kissinger përdorte taktikën e marrjes përsipër të meritës dhe në të njëjtën kohë shfaqej në dukje sikur ishte i ndershëm me Nixon-in. Kur e intervistova Kissinger-in më tha: “Nuk ka asnjë dyshim presidenti Nixon ishte një president i shkëlqyer, mbi të gjitha ai ishte një delegues shumë i mirë dhe ai e kishte zakon që m’i kalonte mua të gjitha gjërat më të rëndësishme”. Kjo ishte mënyra e Kissinger-it për të marrë lëvdata për vendimet historike. Ata të dy nuk donin ta shmangnin njëri-tjetrin, por ata donin të siguroheshin për pjesën e tyre të lavdisë dhe të mos mbanin përsipër asnjë faj.

Sir David, ju jeni i njohur në mbarë botën si intervistuesi i personaliteteve më të famshme, Presidentë, mbretër, princër, njerëz të famshëm, kryeministra. Keni intervistuar çdo president amerikan, që nga Kennedy dhe 8 kryeministrat e fundit të Britanisë së Madhe. A kanë këta personalitete diçka të ngjashme mes tyre, ndonjë karakteristikë që gjendet te disa prej tyre? Ose ndonjë karakteristikë që i dallon prej nesh, të vdekshmëve, pjesa tjetër…

Është pyetje interesante. Gjëja e parë që më vjen menjëherë në mëndje është se shumica e njerëzve që kanë pasur ose kanë ndarë pushtet në një periudhë të caktuar kohore shfaqen ndryshe pasi kanë ushtruar pushtetin. Edhe njerëzit që është thënë se kanë qenë të tmerrshëm në pushtet, edhe ata janë ndryshuar nga pushteti, janë rritur disi gjatë qëndrimit në pushtet. Ky është një element i përbashkët te të gjithë. Gjithashtu, ata ndajnë bindjen se të gjithë kanë qenë të suksesshëm, çfarëdo të kenë qenë president, kryeministër, ministër i Jashtëm apo ministër i Financave, ata janë të bindur se ia kanë dalë mbanë. Nuk është një vetëbesim i plotë, edhe në rastin e Nixon-it, siç po ju thosha, kishte një nivel pasigurie dhe paranoje, por ka edhe ndonjë rast të veçuar, kur këta personalitete nuk ishin në gjendje të flisnin, ndoshta sepse anglishtja nuk ka qenë gjuha e tyre e mëmës. Një detaj interesant për mua është fakti që presidenti rus Putin kur e intervistova herën e parë nuk fliste anglisht dhe kur erdhi koha për intervistën e dytë, Tony Blair më tha ta invervistoja në anglisht edhe nëse Putin nuk dëshiron, sepse është përkushtuar shumë dhe flet shumë mirë, pavarësisht hezitimit. Megjithatë, Putin sërish nuk dëshironte t’u përgjigjej në anglisht pyetjeve të mia dhe kur përkthyesi simultan më përkthente mua nga rusishtja në anglisht, Putin shumë më përpara se unë ta mbaroja pyetjen fillonte të përgjigjej. Ai dukej që ishte impenjuar shumë që ta mësonte anglishten në mënyrë që të ishte një lider me përmasa botërore. Dhe një tjetër personazh i jashtëzakonshëm është Mikhael Gorbaçov. E kam intervistuar 5 ose 6 herë dhe jemi takuar shpesh ndër vite. Është e çuditshme që z.Gorbaçov kurrë nuk mësoi anglisht, as e mori mundimin asnjëherë. Nuk flet asnjë fjalë anglisht, as sot e kësaj dite. Dhe është interesante, sepse ka qenë në qendër të vëmendjes së gjithë botës, e ka ndryshuar botën që prej 1984-s dhe ndokush mund të mendonte se do kishte bërë përpjekje të mësonte gjuhën, por ndoshta një shpjegim është përkthyesi i tij fantastik Pavel. Nëse Gorbaçov do të ishte duke na folur ne të dyve tani në rusisht, do të fliste për dy minuta rresht në gjuhë të komplikuar dhe kur ai ta mbaronte fjalimin, do të kishin mbetur vetëm 3 fjalë të pa përkthyera ende në anglisht…

Ju keni pasur shansin shpesh të intervistoni udhëheqës të famshëm, që kanë qenë publikisht të njohur si kriminelë çnjerëzorë. P.sh. më 2008-n keni intervistuar Omar Al Bashir, i akuzuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve. Çfarë ndjesie është të jesh ballë për ballë me këta njerëz?

Ajo intervistë u zhvillua në Khartoum dhe ishte interesante pjesërisht për çështjet që po diskutoheshin, por edhe për faktin që ai po fliste në një gjuhë të huaj dhe kjo krijoi distancë, dukej më e largët. Por, p.sh. nuk e pati këtë efekt me z. Karaxhiç, i cili gjithashtu nuk fliste anglisht dhe ndoshta ishte e paefektshme, sepse ajo çfarë po ndodhte aty ishte kaq e dukshme dhe ne mund ta shihnim me sytë tanë.

Ndërsa ajo që po ndodhte në Khartoum ishte larg në Darfur. Por ka shpresë për Sudanin tanimë, ekzistojnë dy shtete Sudanezë dhe mendoj se Omar Al Bashir, pavarësisht akuzave për aktivitetin e tij në Darfur ka ndikuar, ka qenë me bashkëpunues edhe pse jam i sigurt që nuk është hedhur përpjetë nga gëzimi dhe as mendoj që ai e bën këtë shpesh. Dhe ndoshta vendi më i madh në Afrikë ndoshta është tashmë në rrugën e shpresës për një të ardhme…

Si keni reaguar kur e dinit që të intervistuarit tuaj po gënjenin. Kur kishit fakte që ata po gënjenin?

Duhet thjesht ta provosh dhe ndonjëherë e bën në mënyrë agresive e në ndonjë rast tjetër e bën pyetjen në mënyrë më të butë, në mënyrë që i intervistuari të ndihet i relaksuar dhe pastaj ta pyesësh. Ndonjëherë përsërit pyetjen shpesh. Më kujtohet një rast, nuk po debatonim ndonjë krim serioz, por Ted Heath, që ishte në atë kohë udhëheqësi i Partisë Konservatore në Britaninë e Madhe, dhe dihej publikisht që ai vërtet e urrente, e përçmonte kryeministrin laburist të asaj kohe Harold Wilson. Ishte një gjë e pazakontë, pasi dihej që në atë kohë politikanët dilnin bashkë për një gotë, sidomos pas debateve Kryeministri dhe lideri i opozitës, ishte pjesë e traditës. Kështu që e nisa me një pyetje të thjeshtë: A të pëlqen Harold Wilson? Me një ton të shtruar prej bisede normale dhe ai u përgjigj: “Nuk besoj se ka lidhje nëse e pëlqen apo jo. Unë mendoj se çështja është që qeveria duhet të punojë mirë”. Dhe unë i thashë… “Po a të pëlqen?” Ai tha ... “hmm, kemi pasur disa mosmarrëveshje, por ne shkojmë bashkë në disa ngjarje të rëndësishme, punët e vendit ecin përpara…” Dhe unë vazhdova: “Po a të pëlqen ai?” Dhe ai tha: “Epo, duhet ta shohim këtë punë njëher딅(qesh) me shpatullat që i tundeshin. Në atë moment, kur ai u shpreh kështu, të gjithë e kuptuan 100% se çfarë mendonte Heath për kryeministrin Wilson. Dhe kur po e intervistonin për një dokumentar për mua disa vite më vonë i shfaqën këtë pjesë të intervistës që i kisha marrë dhe në fund të klipit ai tha: “Epo, nuk nxori shumë nga unë për atë punë” …siç e sheh, nuk e kishte kuptuar fare ç’kishte ndodhur në atë intervistë.

Le të flasim pak për lëvizjen tuaj nga legjendarja BBC tek Al Jazeera, që krijoi mjaft debat dhe kuriozitet. Çfarë ju nxiti ta merrnit atë vendim?

Kur m’u paraqit, propozimi më intrigoi shumë. E kam thënë gjithmonë që s’duhet t’i rezistosh sfidave dhe e mendoj vërtet këtë. Njerëzit që u bëjnë rezistencë sfidave ngurtësohen disi, për shkak se nuk kanë pranuar një mundësi që u është ofruar. Prandaj në situata të tilla përpiqem gjithmonë të përgjigjem pozitivisht. Në parim, mendoj se duhet thënë që kurrë nuk duhet t’i trembesh një sfide të re, një përballjeje. Është edhe një shprehje tjetër që e kam dëgjuar të përdoret shumë shpesh: Çfarë i bën njerëzit të të ndjekin, çfarë i ngacmon ata. Besoj se ky është pasioni im…Edhe yti mendoj…

Ju keni fituar të gjitha çmimet e mundshme që një gazetar mund të marrë, por jeni ende mjaft aktiv në media. Cila është sfida juaj e ardhshme?

Ah, sfida e ardhshme. Asnjëherë nuk i dihet. Kur në Britani do të fillonte për herë Breakfast TV, pra lajme që në orët e para të mëngjesit, na u desh të debatonim për idenë fillimisht dhe pastaj me grupet kundërshtare. Por nëse do më kishin pyetur tre muaj para se ta filloja atë punë a do bësh program mëngjesi, do të përgjigjesha: program mëngjesi për çfarë? Sepse në Angli nuk ekzistonte në atë kohë. Duhet gjithmonë të përpiqesh të ndodhesh aty ku janë dhe kufijtë e rinj. Kur i gjen kufijtë përballesh me ta, siç thatë dhe ju, me Al Jazeeren ishte një hap i madh dhe ka funksionuar në mënyrë perfekte…Kur filluam, s’më besohet kanë kaluar 6 vjet. Valët e Al Jazeeres arrinin deri në 50 shtete dhe 8 milionë shikues. Ndërsa tani janë 125 shtete dhe 250 milionë shtëpi që na ndjekin, që është një gjë mbresëlënëse. Ju e njihni vetë mirë Al Jazeeren anglisht. Ajo ishte një sfidë e re apo lajm që bëri xhiron e botës, por sërish po të më kishe pyetur 5 muaj përpara, nuk do ta dija që do të thosha PO. Është një eksperiencë shumë, shumë e kënaqshme…Cila është sfida e ardhshme? Nuk e di ende. Kemi realizuar disa filma dhe ka gjithmonë gjëra të reja që ndodhin. Unë jam përherë në kërkim të tyre. Tanimë ka dhe teknologji të reja që duhen shfrytëzuar.

Kjo ishte dhe pyetja ime e radhës. A jeni në Facebook?

Jo, jo, nuk e kam përqafuar Facebookun. As Twitter apo Youtube, jam shkollë e vjetër në atë drejtim. Nuk di ta shpjegoj pse nuk me tërheqin. Disa nga teknologjitë e fjalës së fundit ne i përdorim në Al Jazeera English, kur filluan transmetimet me celular. Kur një gazetar ndodhej në Irak e filmonte ngjarjen dhe s’kishte nevojë ta transmetonte diku në një qendër televizive, por mund të dilte direkt nga çanta e tij.

Kam parë disa intervista tuaja të viteve të shkuara në Youtube dhe pashë që të ftuarit ju bënin dhurata. Kështu, Jon Lenno me Yoko Ono ju dhuruan kutinë e buzëqeshjes me pasqyrën brenda. Çfarë bëni me këto dhurata, i ruani?

E doja shumë atë dhuratë. E vetmja gjë është se është vjedhur nga një dhomë hoteli. Por folëm për këtë fakt disa ditë më parë kur takova Yoko Onon.

Kjo është dhurata që po ju sjell nga Shqipëria. është një bunker souvenir. Gjatë diktaturës Enver Hoxha ndërtoi rreth gjysmë milioni bunkerë të realizuar me beton, nga frika e ndonjë pushtimi armik të jashtëm. Mendova që ishte një detaj interesant nga historia e vendit tim...

Oh, të falënderoj shumë. Më kujtohet kur kam qenë në Korfuz, më 1988, liria kishte filluar të vinte në vendet e Lindjes, edhe pse në Shqipëri erdhi pak më vonë dhe ishin disa projektorë të fortë kërkimi që më bënë shumë përshtypje, pasi nuk kisha parë kurrë më parë të tillë. Siç më shpjeguan, vinin nga brigjet shqiptare, për të kontrolluar arratisjen e mundshme të shqiptarëve. Çdo mbrëmje e shihnim këtë skenë dhe dëshironim që liria të vinte dhe te ju, dhe falë Zotit tani e keni!

Lavdi Zotit e kemi! A keni një këshillë të fundit për studentët që duan të bëhen gazetarë në të ardhmen?

Nëse po interviston dikë, gjithmonë dëgjo. Gjithmonë përpiquni ta pasoni pyetjen me një tjetër. Gjithmonë rri vigjilent për ngjarjen e pritshme. Një kufi i ri, një horizont, gjithçka e re. Gjithmonë kërko një mundësi të re. Dhe është shumë e rëndësishme të mos pranoni kurrë Jo-në si përgjigje. Edhe nëse ju duhet të ktheheni sërish tek i njëjti person për të marrë përgjigje, edhe nëse ju duhet të trokisni sërish tek e njëjta gazetë për të filluar punë. Besoj se kjo është gjëja më e rëndësishme. Është detaji që i bën njerëzit të kthejnë sytë nga ty, ai është çelësi që ngacmon publikun. Dhe e fundit, kurrë mos prano Jo-në si përgjigje përfundimtare.

Sir David Frost, ju falënderoj për këtë intervistë!

Më pëlqeu shumë. Të falënderoj shumë!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›