E Diel, 1 Nëntor 2026

Përvoja bëri ndryshimin. Franca fiton pas gabimeve foshnjarake të kuqezinjve

SHKRUAN: Jeton Selimi 03-09-2011 12:04

Në numrin e djeshëm, prestigjiozja franceze “L’Equipe” kishte publikuar një karikaturë në faqen e dytë. Karikatura pasqyronte një lojtar-mutant kuqezi, gjigant dhe me shumë duar, i cili terrorizon skuadrën franceze, që largohet me vrap nga fusha e lojës. Në një kënd aty poshtë, është edhe një tjetër lojtar-muntant kuqezi, kësaj radhe një liliput që pyet përbindëshin: “Ore, po këta francezët nga se kanë frikë”. Natyrisht që idea e “L’Equipe” kishte të bënte me mbivlerësimin që iu bë kombëtares shqiptare nga lojtarët e “gjelave” dhe trajneri Blank. Por pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit rus Nikolajev, mbase e kanë kuptuar se edhe mbivlerësimi nuk ishte fare i pabazuar…

Pas shkelimimit të topit nga Alban Bushi, që dje i dha lamtumirën zyrtare futbollit, erdhi shkelmimi real, ai që nisi 90 minutat e shumëpritura kundër Francës. Që në shkëmbimet e para të topit konfirmohen strategjitë e pritshme të të dy trajnerëve. Kuzhe e dinte se Blank do të kërkonte ta gjente shpejt golin dhe për këtë arsye e kishte tërhequr skuadrën kuqezi dhe Blank e dinte se Shqipëria do të rrinte në mbrojtje dhe kërkonte shumë kujdes në manovrat sulmuese të të tijve. Kuqezinjtë kërkojnë të tregohen të kujdeshëm, por ndonjëherë edhe kujdesi i tepërt është i dëmshëm. Në një rast të tillë, Benzema pasi lihet i lirë të përdorë topin në hyrje të zonës, gjen hapësirën e duhur mes murit kuqezi që e rrethonte dhe, me bashkëpunimin e portierit Ujkani, shënon golin e avantazhit. Shqipëria nuk u beson syve, madje as Blank që e kishte parashikuar shumë më të ëvshtirë. Por, menjëherë pas rëvënies së topit nga mesi i fushës, kombinimet e bukura të Skelës e Bogdanit nxjerrin përpara portës së Loris Hamdi Salihin, që bën gjithçka mirë, por topi përplaset në traverës me portierin e Lionit të mposhtur. Kur dukej se kuqezinjtë po futeshin ngadalë në lojë, vjen goditja e dytë: M’Vila hap një top në krah për Bezeman dhe ky i fundit e shërben në hyrje të zonës. Lojtari i Renës godet saktë duke mposhtur Ujkanin, kësaj radhe jo në faj. Ndryshimi vjen në minutën e 24-ët. Curri dëmtohet dhe në lojë futet Altin Lala. Ky i fundit jep shumë energji dhe kuqenjtë largojnë ndrojen që i kishte përfshirë. Në të 32-ën, Agolli lëshon një predhë të cilën Loris e grushton në këndore. Megjithatë, pesë minuta më pas Shqipëria është me fat, kur goditja e Riberi, e devijuar nga Ujkani përfundon në traversë. Kuzhe vendos të largojë Skelën dhe në fushë hedh Hykën në pjesën e dytë. Shqipëria bëhet më e shkathët. Dhe këtë shkathtësi e shfrytëzon Bogdani, që pas shërbehet mirë nga Bulku, “djeg” dyshen Abidal-Kabul dhe e kalon topin mes këmbëve të Loris. “Qemal Stafa” nis të ëndërrojë për barazimin. Dhe rasti do të vijë në të 59-ën. Depërtim i bukur i Vangjelit që shërben në qendër të zonës për Hykën. Goditja e tij gjen këmbët e një mbrojtësi. Topi shkon te Bulku dhe predha e tij qëndrore grushtohet nga Loris. Ky do të ishte dhe rasti i fundit për kuqezinjtë, pasi në 10 minutat e fundit, lojtarët e Kuzhes nuk do të jenë në gjendje të ngacmojnë më. Ndërsa francezët mund të kishin shënuar, por Nasri e Diarra do të gjejnë shtyllat në dy raste. Sidoqoftë, Franca duhet të jetë e kënaqur që e hodhi “Qemal Stafën” pas shpine.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›