E Shtunë, 31 Tetor 2026

David Philips për zyrtarët e korruptuar: Qeveria e Kosovës duhet ti arrestoje

Qeveria e Kosovës duhet t’i arrestojë zyrtarët e lartë të përfshirë në korrupsion. Kështu u shpreh në Prishtinë drejtuesi i Komitetit Kombëtar Amerikan për Politikë të Jashtme dhe autori i raportit “Të kuptuarit e pavarësisë”, David Philips, ku ndër të tjera thuhet se korrupsioni dhe krimi i organizuar është ende në nivel të lartë dhe rrezikon të ardhmen e Kosovës dhe pavarësinë e saj.

“Politika është shumë e personalizuar, dhe të gjithë ata pjesëtarë të qeverisë të cilët dyshohet se janë të përfshirë në korrupsion duhet të largohen” tha Philips.

Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi ka theksuar se autori i këtij raporti ka qenë tejet i njëanshëm përsa i përket Shërbimit Informativ të Kosovës, ndërsa Kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa e ka mbështetur raportin.

“Sa i përket SHIK-ut mendoj se ka qenë i një anshëm, do të thotë nëse hymë në këtë temë, në Kosovë ka pasur edhe shërbime tjera mas paku tri, apo edhe katër që kanë funksionuar deri në shpalljen e pavarësisë së Kosovës” tha Krasniqi.

“Unë e kam kritikuar qeverinë dhe kam thënë se qeverisje në Kosovë nuk është e duhura, nuk është qeverisje e mirë, kemi pasur shumë dështime, e kam kritikuar edhe koalicionin në fuqi” tha Mustafa.

Kryetari i Klubit për Politikë të Jashtme, organizator i kësaj konference, Veton Surroi vlerëson se Kosova po ngulfatet nga shumë pushtete të cilat nuk mund të ekzistojnë në të njëjtën kohë.

“Kemi të bëjmë me një shtet joformal, duhet ta çmontojmë këtë shtet jo formal, ose të avancojmë ta ndërtojmë shtetin demokratikë...duhet të bëhet dekriminalizimi i politikës” tha Surroi.

Sipas Surroit, tre pushtetet e dala nga vota e qytetarëve, pushteti i SHIK-ut, ai i strukturave paralele serbe dhe i ndërkombëtarëve, tregon qartë se Kosova është shndërruar në një shtet jofunksional.

Bul Salihu
< I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›