E Shtunë, 31 Tetor 2026

Davutollu në Maqedoni: Të rritet bashkëpunimi ballkanik

Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutollu, në kuadër të vizitës së tij në Maqedoni, u takua sot në Manastir me kryetarin e komunës, Vladimir Taleski dhe me përfaqësuesit e medias.
Gjatë këtij takimi kryediplomati turk dha një koment të shkurtër për marrëdhëniet aktuale mes Maqedonisë dhe Greqisë si edhe ndikimin e tyre në situatën në Ballkan.
"Sipas rregullave, nuk do të duhet të komentoja marrëdhëniet mes dy vendeve, megjithatë ne do të donim që të gjitha marrëdhëniet ndërmjet vendeve ballkanike të ishin në nivelin më të lartë të mundshëm'', deklaroi Davutollu.
''Turqia është në anën e Republikës së Maqedonisë që nga dita e shpalljes së pavarësisë dhe mbështet anëtarësimin e saj në NATO dhe në institucionet e tjera nën emrin e saj kushtetues. Kjo mbështetje e fuqishme do të vazhdojë edhe më tej, me shpresën se marrëdhëniet mes Maqedonisë dhe Greqisë do të zhvillohen dhe vendosen në nivelin më të mirë", shtoi ai.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›