E Shtunë, 31 Tetor 2026

De Biasi e fton Mehën në Kombëtare

Alban Meha ka arsye për t’u gëzuar. Mesfushori kosovar ka marrë ftesë zyrtare nga selektori Gianni de Biasi për dy ndeshjet e para kualifikuese për Botërorin 2014. Më saktësisht, Shqipëria do të luajë më 7 shtator ndaj Qipros në Tiranë dhe pas katër ditësh, më 11 shtator, ndaj Zvicrës në Luzern, ndërsa 26 vjeçari është ftuar për këto dy takime.

Këtë e ka konfirmuar Michael Nato, menaxher sportiv i Paderbornit, ku luan mesfushori kosovar. Ai ndihet i kënaqur për ftesën që mori mesfushori, i cili ka bërë paraqitje të shkëlqyeshme në ligën e dytë gjermane dhe për përparimin e tij si lojtar. “Albani ka bërë zhvillim të hatashëm në Paderborn. Ftesa e tij në Kombëtare është konfirmim i punës së mirë që ka bërë këtu”, ka thënë Nano për ueb faqen zyrtare të klubit.

Italiani De Biasi e kishte përmendur Mehën që më parë, duke mos e përjashtuar mundësinë e ftesës së tij. Meha, specialist i goditjeve të lira, bëhet kështu kosovari i nëntë që ftohet në Kombëtaren shqiptare pas Samir Ujkanit, Etrit Berishës, Lorik Canës, Mërgim Mavrajt, Armend Dallkut, Debatik Currit, Ahmed Januzit dhe Besart Berishës. Shqipëria do të ketë punë me Zvicrën, Norvegjinë, Slloveninë, Islandën dhe Qipron.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›