E Diel, 1 Nëntor 2026

De Biasi i del në krah Ujkanit

Gianni de Biasi i ka dalë në krah Samir Ujkanit, i cili këtë verë u rikthye në Palermo pas tri sezonesh të kaluara në Novara. Selektori i Shqipërisë e ka lavdëruar portierin kosovar, për të cilin thotë se ka bërë përvojë dhe se është i gatshëm të mbrojë për ekipin sicilian. Trajneri italian beson se 24 vjeçari mund të përmirësohet edhe më shumë në të ardhmen.

Selektori i Kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, e ka mirëpritur rikthimin e Samir Ujkanit në Palermo. Trajneri italian mendon se portieri kosovar është pjekur sa duhet dhe është i gatshëm për sfidat që e presin në klubin sicilian, pasi bëri përvojë tri sezone në Novara, ku qëndroi si huazim.

“Është mjaft reaktiv, i mirë në mes të dy shtyllave, ndërsa mund të përmirësohet ende në dalje. Dëshira për t’u zhvilluar dhe për t’u përmirësuar është kualiteti i tij më i rëndësishëm. Jemi dëgjuar javën e kaluar dhe e kam uruar si një baba i mirë i familjes”, ka thënë italiani për të përditshmen ‘Giornale di Sicilia’.

De Biasi e njeh mjaft mirë ish portierin e Anderlechtit, për të cilin ka vetëm fjalë të mira. “Djem të mirë si Samiri në futboll kam takuar pak”, ka shtuar ish mesfushori i Palermos në periudhën 1983-1986.

Ish trajneri i Modenës e i Torinos beson plotësisht në potencialin e portierit vushtrrias. Rikthimi i tij në Palermo, sipas trajnerit italian, është po ashtu në dobi të përfaqësueses shqiptare. “Ujkani është i gatshëm për Palermon. Është një djalosh i përulur, i gatshëm për të gjithë. Do të bëjë që ta vlerësojnë. Kjo është mirë edhe për Shqipërinë, sepse do të afirmohet në Palermo”, vijoi ai.

De Biasi mendon se rol të rëndësishëm për përmirësimin e Ujkanit do të luajë Franco Paleari, trajner i portierëve të Palermos dhe shok i mirë i trajnerit italian.

Fontana: Ujkani mund të arrijë shumë

Ish portieri i Palermos, Alberto Fontana ka thurur fjalë të mira për Ujkanin, me të cilin kishte punuar në kohën kur portieri kosovar ishte pjesë e këtij ekipi. “Samiri është një djalosh me aftësi të mira fizike dhe ka kualitete teknike. Gjëja më e rëndësishme është të mos ngarkohet me presione të shumta. Është i ri, ka nevojë për kohë, për t’u zhvilluar dhe përmirësuar”, thotë Fontana.

Ujkani ishte portieri i tretë në Palermo, kur Fontana ishte titullar në sezonin 2007. “Kujtimi im për Samirin është se ai është një djalë serioz, simpatik, me shumë dëshirë për të mësuar. Ai nuk ishte një djalë kryelartë. Me kualitetet që ka mund të arrijë larg”, ka përfunduar Fontana.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›