Llapashtica e Hashani, në Trepçë

Pasi e konfirmoi edhe për sezonin e ardhshëm trajnerin Shefqet Kurti, i cili e kishte marrë këtë detyrë në fund të sezonit të kaluar, Trepça ka filluar të zgjohet nga gjumi. Skuadra ‘Xehetare’ të enjten është përforcuar me mbrojtësin e deritashëm të Prishtinës, Fitim Llapashtica dhe me kolegun e repartit Erdin Hashani, i cili sezonin e fundit e kaloi në Dritën e Gjilanit.
Të dy lojtarët i janë bashkuar ekipit të ri në stërvitjen e parë që u zhvillua dje, ndërsa më pas kanë nënshkruar kontrata njëvjeçare. Lajmin e ka konfirmuar sekretari i gjelbërezinjve, Hajrullah Haxhiu. “Të dy lojtarët do na bashkohen në stërvitje sot dhe më pas do t’i kryejmë procedurat tjera”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Haxhiu ka njoftuar se krahas këtyre dy futbollistëve, shumë shpejt Trepçës pritet t’i bashkohen edhe portieri vushtrrias Burim Sadiku, që deri tash ishte pjesë e Hysit dhe sulmuesi i deritashëm i Dritës, Florent Sejdiu. “Sapo të vijë kryetari nga jashtë, do t’i finalizojmë edhe këto dy transfere”, përfundoi Haxhiu.