Ku mbetën premitë?
Stolisja me titull të kampionit nuk ishte arsyeja e vetme që futbollistët e Prishtinës ishin të gëzuar ndoshta si asnjëherë më parë.
Kjo pasi ata prisnin që kryesia e klubit do t’i shpërblente me premi ekstra, porsa ta çonin lart trofeun e kampionit.
Në fakt, kur skuadra bardh e kaltër ishte në fazën e garave më vendimtare të kampionatit të fundit, udhëheqësit e Prishtinës u kishin premtuar futbollistëve të tyre se nëse e fitojnë titullin e kampionit, atyre do t’ua japin të gjitha paratë që do t’i fitonin si kampionë të rinj nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) – para ato që kishin prejardhje nga shitja e të drejtave televizive.
Madje, këtë e pati thënë në një intervistë për Express edhe vetë nënkryetari i këtij klubi, Afrim Muçiqi.
Në fund Prishtina u shpall kampion, me ç’rast u shpërblye me rreth 20 mijë euro nga FFK-ja.
Por, tashmë ka kaluar gati një muaj e gjysmë nga dita kur Prishtina u stolis me titullin e më të mirit, derisa futbollistët e saj ende nuk kanë marrë nga asnjë cent premi nga ato 20 mijë euro, që ua kishte premtuar vetë udhëheqësia e klubit.
Këtë e kanë bërë të ditur për Express disa futbollistë të Prishtinës, të cilët ndiheshin të mashtruar nga udhëheqësit e tyre, por që nuk dëshironin t’u publikoheshin emrat.
“Ne kemi informacione se FFK-ja ia ka dhënë Prishtinës ato para nga të drejtat televizive. Klubi na pat premtuar se ato para do të na ndajë ne futbollistëve, por deri më tash nuk na kanë dhënë as edhe nga një cent prej atyre parave”, tha njëri ndër futbollistët.
Madje, zyrtarët e klubit tërthorazi bënë me dije se as në ditët në vijim ato para nuk do t’ua japin lojtarëve. Madje, drejtori sportiv, Sokol Krasniqi pohoi se nuk është në dijeni që kryesia e Prishtinës ua ka premtuar ato 20 mijë euro futbollistëve.
“Unë personalisht nuk e di që u janë premtuar ato premi. Por, ne një pjesë të një premie ua kemi kryer, kurse shpejt do t’ua kryejmë dhe pjesën tjetër. Tash për tash të gjitha obligimet tjera i kemi kryer ndaj tyre. FC Prishtina e ka marrë atë shumë të parave nga FFK-ja. Ato janë të dedikuara për Prishtinën pa emra të përveçëm. Pra, ato do të shpenzohen në bazë të prioriteteve financiare të bordit të klubit”, tha Krasniqi për Express.