De Biasi, i zhgënjyer me fushat në Shqipëri

Strategu italian të martën i ka parë nga afër fushat e futbollit shqiptar dhe haptazi e ka shprehur pakënaqësinë me gjendjen e tyre. Sipas mediave shqiptare, De Biasi është shqetësuar shumë kur e ka parë nga afër gjendjen në të cilën gjendet fusha e stadiumit ‘Qemal Stafa’, në të cilin zakonisht kuqezinjtë i zhvillojnë ndeshjet e tyre.
I konsideruar si tempulli i futbollit shqiptar, stadiumi ‘Qemal Stafa’ aktualisht është në kushte vërtet të këqija, si në fushë, ashtu edhe brenda zhveshtoreve, raportojnë mediat, sipas të cilave italiani e ka rrudhur fytyrën kur e ka parë gjendjen e këtij stadiumi.
De Biasi e ka vizituar edhe kompleksin në Kamëz, ndërsa më pas ka udhëtuar drejt Durrësit, ku e ka vizituar hotelin në të cilin grumbullohet Kombëtarja shqiptare.
Në fund, ai e ka përcjellë edhe një pjesë të ndeshjes Teuta - Flamurtari, e vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Ish trajneri i Udineses, i Brescias e i Torinos priste diçka më shumë sa i përket infrastrukturës, e cila në shumë vende të tjera nuk mungon aspak.