Mund të rikthehet në Suedi

Labinot Harbuzi u nda përfundimisht me Gençlerbirligin të martën. Mesfushori kosovar është rikthyer në Suedi, ku planifikon të pushojë para se të mendojë se ku do ta vazhdojë karrierën.
Ish anëtari i përfaqësueses U21 të Suedisë ëndërron të luajë në një ligë të fortë evropiane, por nuk e përjashton mundësinë e rikthimit në Suedi, respektivisht tek ekipi i tij i zemrës Malmo.
“Më duhet të pushoj së pari. Ka spekulime të ndryshme, por unë do t’i konsideroj ofertat konkrete. Nuk ia mbyll dyert askujt dhe mund të bisedojmë edhe për një qëndrim të mundshëm në Suedi. Përpos Malmos, nuk do të mund të luaja në Stokholm apo diku tjetër në këtë vend”, thotë Harbuzi për të përditshmen suedez Sydsvenskan.
Edhe drejtuesit e Malmos thonë se do të bëjnë përpjekje për ta rimarrë futbollistin, edhe pse e dinë se do të jetë një mision i vështirë.
“E kemi kuptuar situatën. E dimë që është ndarë me Gençlerbirligin, por për më shumë nuk dua të komentoj për rastin. Kjo është politika të cilën e ndjekim në këtë periudhë të vitit. Mund të ketë ndonjë lëvizje në këtë rast”, deklaroi drejtori sportiv i Malmos, Per Ågren, për ueb faqen fotbollskanalen.se.
Ndërkohë, Harbuzi i ka treguar disa nga arsyet e largimit të tij nga klubi turk, ku ishte transferuar gjatë janarit të vitit 2009 nga klubi suedez Malmo.
“Ishte e çuditshme. Këtë verë ata e rritën vlerën time në mënyrë konstante, më pas e nënshkrova kontratën e re. Më pas filluan disa turbullime me pagesat. Kjo është njëra prej arsyeve që e shkëputa kontratën tash, por ka edhe gjëra të tjera për të cilat nuk jam i gatshëm të flas në detaje. Ata kanë hasur vështirësi t’i përmbushin kërkesat e kontratës”, përfundoi Harbuzi.
25 vjeçari ëndërron të luajë në Itali ose në Spanjë, por nuk ia ka mbyllur dyert një rikthimi eventual në Malmo.