E Shtunë, 31 Tetor 2026

De Biazi: Duhet të luajmë efektin surprizë

Seminar me trajnerët. Trajneri i kombëtares: Sllovakia nuk kish talente, por eliminoi Italinë, ky duhet të jetë modeli kombëtare shqiptare

Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit largohet nga Shqipëria. Abete ikën, jep mesazhet e veta, ndërkohë që në Tiranë vazhdon De Biazi show. Ende nuk dihen mesazhet e tij për skuadrën kombëtare. Direkt pas ndeshjes në Korçë do deklaronte se me pëlqeu Gilman Lika në pjesën e parë dhe Muzaka i jashtëzakonshëm në të dytën. Të tjerët???

Vetë pikëpyetjet kanë treguar se asgjë nuk ka ndodhur, asgjë nuk ka vendosur, ose ka vendosur shumë, por në mendjen e tij ai i ka të qarta idetë e përgjigjet i jep me pikatore. E ka thënë shpesh dhe hapur se Shqipëria është një skuadër modeste, që duhet respektuar, por që duhet të bëjë shumë për të qënë në elitën e futbollit europian.

Për momentin jemi ende një hap larg. Megjithatë, në kuadrin e kontratës, të martën paradite De Biazi ka zhvilluar atë që është quajtur kurs kualifikimi mes trajnerëve. Teori shumë e shkurtër dhe shumë praktikë. Gjithçka ka nisur nga teoria, por ka përfunduar më shumë në praktikë.

Kombëtarja shqiptare

Ka folur aty ku duhet, ka treguar atë që duhet në seminarin me trajnerët dhe është përqendruar në një shprehje të vetme. Nuk jemi skuadër e madhe, por duhet të shfrytëzojmë të gjitha kapacitetet e kësaj skuadre. Nëse marrim maksimumin, mund të arrijmë diçka.

Edhe Sllovakia ish një skuadër modeste, por që arriti të hynte në një kampionat botëror e akoma më shumë të eliminonte Italianë. Askujt nuk i shkonte ndër mend, por ja që ndodhi, e kjo mund të ndodhë edhe me Shqipërinë.

Efekti surprizë

Teori shumë fiktive për Sllovakinë. Një trajner si Veis, me pak ose shumë pak talente, nxori Sllovakinë në finalet e Botërorit. Arriti të eliminonte dhe Italinë, skuadrën e tij, por që dinte të karikonte skuadrën. Një shembull, të cilin një trajner De Biazi nuk e ka harruar kurrë dhe kura për Shqipërinë është e njëjta. Pra, shumë mund, shumë zemër dhe njëkohësisht sa më shumë djersë.

Skemat taktike

Sipas trajnerit të kombëtares, nuk është se janë shumë decizive. Ka argumentuar Italinë nënkampione e Botës në vitin 1970, atë kampione në vitin 1982 dhe 2006. Por ka këmbëngulur që skemat nuk janë shumë domethënëse në futboll, janë lojtarët ata që i bëjnë ato.

Përfundimi

Kemi thënë atë që De Biazi ka thënë në teori, pasi në praktikë ka qenë gjë tjetër. Një temë e cila nuk na takon ne, u takon trajnerëve shqiptarë, për të cilët detyrë stëpie janë skemat taktike, është vendosja e lojtarëve në fushë, por edhe mënyra e lojës. Ne na intereson një fakt tjetër, që De Biazi ka hedhur dorashkën në fushë: Luajmë efektin surprizë.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›