E Diel, 1 Nëntor 2026

Malko ka dy misione: Mposhtim Ilirinë, u japim përparësi lojtarëve të stolit

NGA JULIAN KASAPI

Dy sfidat e radhës me Ilirinë dhe Gramshin vlejnë gjashtë pikë për trajnerin Malko dhe stafin, ndërkohë që tifozët premtojnë mbështetje maksimale dhe kulturë sportive

Askush nuk e mendonte se Lushnja do të merrte tri pikë në Kavajë ndaj Besës. Të dielën, stadiumi Besa ishte i mbushur me shumë tifozë vendas, por edhe lushnjarë që kishin ardhur në kavajë për të parë e mbështetur skuadrën e tyre. Lushnja më gola të Dervishit dhe Cankës, ka mposhtur jo vetëm Besën dhe tifozerinë e saj, që nuk ka kurseyer as shishet e ujit dhe sendet e forta, por edhe gjykimin e njëanshëm të Albano Jankut.

Në Lushnje nuk ka pasur kohë për të fjetur mbi dafina, por ka nisur puna për ndeshjen që do të zhvillojnë sot në shtëpi, ku verdhejeshilët e Sajmir Malkos do të presin Ilirinë e Fushë-Krujës. Stafi teknik, me në krye arkitektin Sajmir Malko, ka ndër mend të përdorë futbollistë alternativë për freskim të skuadrës.

Do të mundohemi të fusim në formacion edhe futbollistë të freskët nga stoli, pasi kemi dy ndeshje shumë të shpejta njëra pas tjetrës. Në ndeshjen me Ilirinë do të mundohemi të sjellim dhe futbollistë të rinj. Kjo për arsyen se duhet të bëjnë pak pushim lojtarët bazë të ekipit që kanë dhënë maksimumin e tyre në të gjithë takimet e zhvilluara deri më tani. Kam besim edhe tek ata, Iliria vlen tri pikë për Lushnjen, – ka thënë trajneri Sajmir Malko në lidhje me takimin e radhës.

Mbledhja e drejtuesve

Tifozeria lushnjare sërish mbetet në qendër të vëmendjes së funksionarëve të klubit dhe bashkisë. Sot (dje) paradite në ambientet e stadiumit Roza Haxhiu pati një mbledhje midis përfaqësuesve të tifozerisë lushnjare dhe drejtuesve të klubit të futbollit, stafit teknik të skuadrës dhe përfaqësuesve të presidencës.

Gentian Nushi, numri dy i bashkisë së Lushnjes, kërkoi rregull dhe respektim të garës dhe të mos bien pre e provokimeve nga ana e kundërshtarit, pasi në të shkuarën lushnjarët janë ndëshkuar nga këto momente. Edhe tekniku Malko dhe ndihmësi i tij Çuko ishin në të njëjtin mendim, për të mos u njollosur tifozeria lushjnare me akte të padenja.

Kërkojmë nga ju të mbështesni skuadrën me seriozitet dhe përgjegjësi. Një moment i nxituar dhe i gabuar në ndeshjen me Gjirokastrën na dënoi dhe me Burrelin luajtëm pa tifozë. Është një minus i madh për ne të mos ju kemi si mbështetës, por ju lutemi të zbatoni rregullat morale të etikës, ka qenë kërkesa që u ka bërë trajneri Malko përfaqësuesit të tifozerisë lushnjare të pranishëm të takim.

Nga ana e tyre, drejtuesit e shoqatave të futbollit në rrethin e Lushnjës u zotuan të mbështesin në maksimum skuadrën në shkallët e stadiumit, pasi janë vetëm një numër i vogël tifozësh të papërgjegjshëm, të cilëve do tu tregohet vendi.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›