E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndreu gjithçka për gjithçka: Kastrioti me tre sulmues për të kapur finalen

Nga ANDI TANKU 

Trajneri Ramadan Ndreu, ndoshta i detyruar edhe për të fituar me 2 gola diferencë, do të fusë në fushë një formacion tërësisht sulmues

Ekipi i Kastriotit ditën e martë është grumbulluar në Krujë, për të kryer dhe seancën e fundit stërvitore, në prag të sfidës së zjarrit kundër Skënderbeut. Në një bisedë me trajnerin Ramadan Ndreu, mësojmë se kjo ndeshje për krutanët është një sfidë vendimtare, e cila përcakton edhe fatin e këtij sezoni. Ndeshja e sotme kundër Skënderbeut është një takim përcaktues për ekipin tonë.

Edhe pse rezultati i ndeshjes së parë favorizon ekipin kundërshtar, asgjë nuk ka përfunduar dhe gjithçka konsiderohet e hapur, pavarësisht se do të na duhet të shënojmë 2 gola dhe të jemi të kujdesshëm në repartin difensiv, në mënyrë që të ruajmë të paprekur portën tonë. Në dy ndeshjet e para që kemi zhvilluar kundër ekipit të Skënderbeut, kemi dalë të humbur, por besoj se këtë herë do të jemi ne ata që do të festojnë.

Motivimi, i cili mendoj se do të jetë dhe arma jonë më e fortë për këtë takim, është në maksimum, për shkak se kupa tashmë është i vetmi kompeticion që na ka mbetur për të realizuar detyrat dhe objektivat që kemi patur për këtë sezon. E them këtë, sepse në kampionat mendoj se i kemi të pakta shanset për të kapur Europën, dukë parë se jemi 5 pikë nga vendi i katërt.

Besoj se ekipi i Skënderbeut në këtë takim do të vijë më pak i motivuar se në dy ndeshjet e para që kanë zhvilluar ndaj nesh, sepse pas fitores me Tiranën, vëmendja e tyre do të jetë më e përqendruar në kampionat, për të ruajtur vendin e parë dhe të arritur te titulli kampion.

Por kjo nuk do të thotë se ne do të nënvlerësojmë kundërshtarin, por mendoj se jemi të karikuar në maksimum për të përballuar me sukses një sfidë kundër ekipit kampion në fuqi. Kjo na jep më tepër motiv për të arritur një fitore historike dhe do të kërkojmë, që të fitojmë me rezultatin e nevojshëm, rezultat që do të na dërgonte në finale dhe këtë gjë do ta kërkojmë që në minutat e para të takimit, është shprehur Ndreu.

Skemë ofensive Do të luajmë me një skemë që do ti japë përparësi fazës ofensive, pasi do të rreshtoj në fushën e lojës një skuadër me tre sulmues. Një modul skeme 4-3-3, ku lojtarët e krahut do të jenë ata që do të japin kontributin e tyre si në fazën sulmuese, ashtu dhe në atë mbrojtëse, sepse dhe ky i fundit, mendoj se është reparti që do të na duhet në lartësinë e duhur, për të mos i lejuar vetes ndonjë surprizë të pakëndshme, sepse dihet, që nëse kundërshtari shënon një gol ndaj nesh, do të na e ndërlikonte së tepërmi misionin e kualifikimit.

Gjithashtu, theksoj se do të jetë një luftë sportive e ndershme nga ana jonë dhe besoj se me pak fat do të arrijmë të kualifikohemi dhe të plotësojmë qëllimin tonë në këtë kompeticion, ka përfunduar plot optimizëm trajneri i Kastriotit, Ramadan Ndreu.

Pashaj: Jemi gati tu prishim festën korçarëve

Mbrojtësi i Kastriotit, Entonio Pashaj, ka besim te vetja dhe shokët e ekipit se në sfidën ndaj korçarëve, ata mund të bëjnë historinë, duke u kualifiuar për në finalen e kupës. Sipas tij, krutanëve po u jepet një shans, të cilin ata duhet ta shfrytëzojnë deri në pikën e fundit. Nuk të jepet përditë mundësia të luash në një ndeshje në të cilën vendoset nëse mund të kalosh në finale ose jo.

Nga kjo sfidë kërkojmë më çdo kusht finalen, si mundësinë për të justifikuar punën që kemi bërë gjatë gjithë sezonit. Edhe pse përballë kemi një ekip shumë të përgatitur në të gjitha aspektet, ne do të kërkojmë që takimin ta kthejmë në favorin tonë. Asgjë nuk ka përfunduar, pavarësisht se humbja në Korçë nuk na favorizon aspak, por të gjithë jemi gati për të befasuar ekipin e Skënderbeut.

Nëse ata kanë festuar pas ndeshjes së fituar ndaj Tiranës, ne do të mundohemi tua prishim atë, me një fitore të mjaftueshme, për të arritur kualifikimin. Kërkojmë të mbërrijmë në finalen e këtij kompeticioni dhe atje të jemi ne ata që do të festojnë, sepse e dëshirojmë me çdo kusht këtë trofe. Shanset janë për këtë objektiv dhe do të mundohemi të luajmë në unitet të plotë, thotë në prononcimin e tij shtatlarti i mbrojtjes krutane.

Kastrioti ndërron shtëpi për seancën stërvitore

Ditën e martë, ekipi i Kastriotit nuk e ka zhvilluar stërvitjen në ambientet e kompleksit Dinamo, ambient në të cilin ekipi stërvitet për këtë sezon, por në stadiumin e qytetit të Krujës. Kjo ndoshta ka ndodhur për shkak se stafit të ekipit të Kastriotit u është dukur më e arsyeshme që lojtarët të ambientohen me terrenin e stadiumit, pasi këto ditë kushtet atmosferike kanë qenë me reshje shiu. Seanca stërvitore është zhvilluar në orën 16:00, nën drejtimin e trajnerit Ndreu, e cila ishte e fundit përpara takimit të sotëm më Skënderbeun.

Takimi i kthimit do të luhet pa tifozë

Komisioni i Disiplinës ka vendosur që ekipi i Kastriotit ta luajë pa tifozë ndeshjen e radhës në stadiumin e tij kundër Skënderbeut. Kjo masë ndëshkimore është marrë për shkak të thyerjes së disiplinës nga ana e tifozërisë krutane, pikërisht në ndeshjen kundër korçarëve, takim ky i luajtur para dy javësh, e vlefshme për kampionat, e cila përfundoi në favor të ekipit juglindor me rezultatin 1-2.

Formacioni, mungon vetëm rumuni Dragoi

Kontigjenti që do të ketë në dispozicion trajneri Ramadan Ndreu për ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të kupës, do të jetë i plotë, përveç rumunit Dragoi, i cili vazhdon të vuajë një dëmtim të pësuar para disa javësh. Për këtë takim, Ndreu mund të mbështetet dhe te lojtarët që munguan në sfidën e zhvilluar ndaj Tomorit, të cilët janë kapiteni Caca dhe mbrojtësi Ognjanoviç.

Rikthime këto shumë të rëndësishme, për nga vetë pesha që këta lojtarë mbajnë në ekip. Në sfidën e sotme duhet të kenë kujdes që të mos ndëshkohet Turdiu, Ognjanoviç, Pashaj dhe Sefa, sepse kanë nga dy kartonë të verdhë. Nëse Kastrioti kualifikohet, ndonjë nga këta lojtarë, nëse ndëshkohet me të verdhë, do të humbë finalen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›