E Diel, 1 Nëntor 2026

De Biazi do te jete trajneri i ri i Kombetares shqiptare

Xhovani De Biazi do të jetë trajneri i ri I Kombëtares shqiptare. Praktikisht Federata Shqiptare e Futbollit ka gjetur akordin me teknikun Italian, ndërsa tashmë pritet vetëm zyrtarizimi. 55-vjeçari mund të prezantohet në krye të stolit kuqezi në fillim të javës së ardhshme.

Ish-trajneri i Udinezes, Torinos e Breshias në Itali apo edhe Levantes në Spanjë ka fituar garën me bashkëkombasit e tij, Mario Bereta dhe Benito Karbone, të cilët vlerësoheshin si kandidatë potencialë për stolin e Shqipërisë.

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, I shoqëruar nga dy zv/presidentët Kasmi e Nuri, si edhe nga sekretari i përgjithshëm, Prodani, ishin takuar me De Biazin, si edhe me Karbonen, Pilon e Kamolezen, gjatë fundjavës së kaluar në Milano. De Biazi, së bashku me Karbonen, ishin dy trajnerët që I kishin lënë menjëherë përshtypje të shkëlqyera delegacionit të institucionit që drejton futbollin në Shqipëri.

De Biazi do të jetë trajneri i nëntë i huaj i përfaqësueses kuqezi dhe i gjashti në periudhën kur federate drejtohet nga Armand Duka dhe tekniku I dytë italian. Më parë, në stolin e Shqipërisë kanë punuar serbi Ljubisha Broshiç (në vitin 1946), hungarezi Miklos Vadas në vitin 1953, rusi Nikolaj Ljukshinov në vitin 1958. Në dekadën e fundit, në Shqipëri kanë punuar Xhuzepe Dosena, Hans Peter Brigel, Oto Bariç, Ari Han dhe Josip Kuzhe. Ndeshja e parë zyrtare e Xhani De Biazit do të jetë miqësorja e 29 shkurtit me Gjeorgjinë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›