E Shtunë, 31 Tetor 2026

EL CLASICO Sfide rekordesh

Barcelona bëri pushim, Reali I Madridit u stërvit. Dy gjigandët e Spanjës po I afrohen sfidës së shtatë “Klasike” për vitin 2011 dhe të parës për këtë sezon, me ritme rekord.

Katalanët kanë realizuar 20 gola në grupin e Champions League, duke barazuar ecurinë e Milanit në vitin 1998. Skuadra e Pep Guardiolës shënon prej 28 ndeshjesh radhazi, duke vendosur një primat absolute në aktivitetet e organizuara nga UEFA.

Në anën tjetër, Reali i Madridit e mbylli grupin me 6 fitore në po kaq ndeshje, diçka që më parë e kishin realizuar vetëm Milani, PSG, Spartaku i Moskës dhe Barcelona, megjithatë asnjëra nga këto skuadra nuk e kishte +17 diferencën e rrjetave. Mbi të gjitha, në Amsterdam, skuadra e Zhoze Murinjos u ngjit në kuotën e 15 fitoreve radhazi, ecuri të cilën Reali e ka pasur vetëm në sezonin e parë të viteve ’60. Për të vendosur rekordin e ri në historinë e klubit “merengue”, nevojitet fitorja përballë Barçës.

Të shtunën në orën 22.00, bota është gati të ndalojë. “El Clasico” në “Santiago Bernabeu” do të ndiqet nga 500 milionë të apasionuar, edhe sepse cilësohet ndeshja që do të përcaktojë fatet e dy skuadrave që vlerësohen si më të fortat në planet.

Në prag të supersfidës, Mou ka zgjedhur heshtjen. Tekniku portugez do të luajë vetëm një sulmues, ku stafeta ndërmjet Higuain dhe Benzema do të vazhdojë deri në çastet e fundit, i mbështetur nga Kristiano Ronaldo dhe Di Maria.

Guardiola ka diçka për të thënë. Tekniku “blaugrana” lë shifrat të flasin: si trajner, ai nuk ka pësuar asnjë humbje në “Bernabeu”, ku në 5 ndeshje ka marrë dy barazime dhe ka dalë tre herë fitues.

Për momentin, fjalën e ka marrë Lionel Mesi, i cili thekson se është jetike që Barcelona të marrë rezultat pozitiv në këtë sfidë, pasi kjo do ta ndihmonte skuadrën për pjesën e mbetur të sezonit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›